Kuotat politike dhe inxhinieria etnike në Ballkanin Perëndimor

Nga: Alksandar Brezar “Al Jazeera”

Në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, kuotat dhe të drejtat e tjera kanë synuar të garantojnë sigurinë e komuniteteve të caktuara, të cilat mund të përballen me diskriminim nën një mjedis post-konfliktual, duke iu garantuar përfaqësim politik në organet legjislative dhe ekzekutive.

Në Kosovë, 20 nga 120 vendet në parlament u janë caktuar pakicave, duke përfshirë 10 vende për serbët dhe pjesën tjetër për boshnjakët, egjiptianët, romët, ashkalinjtë, turqit dhe goranët. Në Bosnje, ku e gjithë veprimtaria politike ka një karakter etnik, ekzistojnë kuota strikte që u  sigurojnë tre grupeve të saj kryesore etnike – boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve- përfaqësim të barabartë në çdo nivel.

Në letër, mund të duket sikur këto kuota janë një mënyrë e mirë për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike. Por në praktikë, me to abuzohet shumë,sidomos në vendet ku ekziston një nivel i caktuar dyshimi dhe mosbesimi midis grupeve etnike.

Në realitet, siç e tregojnë zgjedhjet e fundit -ato parlamentare në Kosovë dhe ato lokale në qytetin boshnjak të Srebrenicës – këto sisteme kuotash mund të dëmtojnë interesat e komuniteteve që ato synojnë në parim të mbrojnë.

Kur flitet për mbrojtje politike për grupet etnike në Ballkanin Perëndimor, është e rëndësishme të theksohet fakti, se mosmarrëveshjet mbi të drejtat etnike dhe përfaqësimin ishin në origjinën e luftërave që çuan në shpërbërjen e federatës Jugosllave.

Në vitin 1974, Jugosllavia i dha Kosovës autonominë brenda Serbisë, pra gati të njëjtin status me 6 republikat brenda federatës Jugosllave. Në vitin 1989, në mesin e rritjes së ndjenjave nacionaliste në Serbi, autoritetet e Beogradit arrestuan politikanët dhe intelektualët kryesorë shqiptarë në Kosovë, duke vendosur figura të kompromentuara në asamblenë provinciale të Kosovës.

Ndonëse shqiptarët etnikë kishin shumicën e vendeve në parlamentin lokal, taktikat e frikësimit të autoriteteve serbe ishin të suksesshme dhe bënë që ata të votonin në favor të anulimit të autonomisë së Kosovës.

Sot, shumë analistë besojnë se lideri i Partisë Komuniste serbe Slobodan Millosheviç e përdori këtë si një mjet për të fituar mbështetje politike në republikën jugosllave të Serbisë. Ndërsa nacionalistët serbë, të cilët ndiheshin të mbivlerësuar në vendin e tyre, e panë anulimin e autonomisë si një fitore të madhe, ajo u prit me zemërim nga shqiptarët.

Në Kosovë shpërthyen protestat, që u shtypën me dhunë nga forcat ushtarake federale. Në vitet në vijim, zemërimi u shtua ndërsa shqiptarët e Kosovës e refuzuan gjithnjë e më shumë idenë e sundimit nga Beogradit, në kushtet e rritjes së prapambetjes ndaj të drejtave kulturore dhe politike shqiptare, përfshirë ndalimin e mediave në gjuhën shqipe, arsimit në gjuhën amtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira.

Në vitin 1998, në Kosovë shpërtheu një konflikt i armatosur, që çoi në bombardimet e NATO-s në Serbi në vitin 1999 dhe tërheqjen e plotë të forcave serbe. Më pas Kosova u shndërrua në protektoratin kryesor të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke e zgjidhur kështu problemin me përfaqësimin politik për shumicën shqiptare (rreth 90 për qind). Ajo miratoi një Kushtetutë, e cila bazohej në dy dokumente të OKB-së:Rezolutën 1244 të OKB-së, që vendosi protektoratin si një zëvendësim të sundimit serb, dhe të ashtuquajturin Plani Ahtisari, të përgatitur nga i Dërguari Special i OKB-së Marti Ahtisari për të zgjidhur statusin e Kosovës, dhe për të mbrojtur përfaqësimin e pakicës së saj etnike serbe.

Mosmarrëveshjet mbi të drejtat politike, shkaktuan gjithashtu konfliktin në Bosnjë. Para ngjarjeve të viteve 1990, Bosnja mburrej se ishte republika më e larmishme dhe më harmonike në aspektin etnik në federatën socialiste të Jugosllavisë.

Por kur uniteti jugosllav filloi të shkërmoqej, edhe Bosnja nisi të konsideronte mundësinë e shpalljes së pavarësisë. Në vitin 1991, teksa parlamenti boshnjak po përgatitej të votonte deklaratën e pavarësisë, deputetët serbë dolën në protestë. Pak javë më vonë ata krijuan Republikën Srpska dhe nisën një luftë në pjesën tjetër të Bosnjës, të mbështetur nga Serbia.

Lufta e Bosnjës përfundoi në vitin 1995, kur një marrëveshje e arritur me ndërmjetësimin ndërkombëtar u nënshkrua nga palët ndërluftuese, që krijuan një nga sistemet më të ashpra politike etnike në botë. Zyrtarët perëndimorë që morën pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Dejtonit mund të kenë ndjekur një kauzë fisnike, por dokumenti që ata miratuan ishte edhe Kushtetuta e Bosnjës, që prodhoi një shtet jofunksional që më shumë po vijon të ushqejë, sesa po zgjidh tensionet etnike.

Ajo i ka forcuar ndarjet etnike, duke caktuar pozicione në të gjitha nivelet e qeverisjes sipas linjave etnike, për të ruajtur gjoja një ekuilibër midis boshnjakëve myslimanë, serbëve të krishterë, ortodoksëve dhe kroatëve katolikë. Kjo ndarje e ka bërë vendimmarrjen politike jo vetëm tejet të komplikuar, por gjithashtu ka siguruar një terren pjellor për shfrytëzimin e ndarjeve etnike.

Kushtetuta e Kosovës, e pranon faktin se serbët dhe pakicat e tjera kanë nevojë për përfaqësim për t`u mbrojtur në shtetin e ri. Kur parlamenti i saj voton për ndonjë ligj apo vendim të rëndësishëm, kushtetuta kërkon miratimin nga 2/3 e deputetëve shqiptarë dhe 2/3 e deputetëve nga pakicat etnike.

Kjo dispozitë u fut që pakicat të kenë ndikim politik dhe pushtet. Por disa janë përpjekur të abuzojnë me këtë dispozitë. Me kalimin e viteve, Lista Srpska doli si partia serbe dominuese në Kosovë. Përmes retorikës së saj nacionaliste dhe mbështetjes së majme financiare nga Beogradi, ka arritur të krijojë një monopol politik mbi zonat me shumicë serbe.

Lista Srpska merr zakonisht të 10-ta vendet e ndara për pakicën serbe. Por kohët e fundit, kjo parti vendosi të mos e kufizojë ndikimin e saj vetëm tek kuota e pakicës serbe, dhe është përpjekur të marrë edhe vendet e pakicës boshnjake dhe rome.

Përpara zgjedhjeve të 14 shkurtit, u krijuan dy parti të pakicave – një parti boshnjake e quajtur Komuniteti i Bashkuar dhe një rome e quajtur Nisma Romane. Udhëheqësit boshnjakë dhe ata romë e kanë pranuar se ishin të mbështetur nga Lista Srpska, siç dëshmohet edhe nga numri i lartë i votave që ata morën në komunat me shumicë serbe.

Komuniteti i Bashkuar mori 1 vend në parlament, Nisma Romane 2 vende. Nëse Lista Srpska siguron mbështetjen e këtyre 2 partive, do t’i duhej edhe vetëm 1 vend për të arritur një shumicë 2/3 midis pakicave. Dhe aktualisht po spekulohet se ajo mund të përpiqet të kooptojë një zyrtar të zgjedhur nga komuniteti goran, një pakicë myslimane sllavisht-folëse.

Nëse kjo gjë ndodh, Lista e Srpska – dhe bashkë me të edhe Beogradi – do të ketë një ndikim të rëndësishëm në parlamentin e Kosovës, në kurriz të pakicave boshnjake, rome dhe gorane.

Kjo mund t’i japë mundësi partisë serbe, që nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, të bllokojë çdo ligj që synon forcimin e sovranitetit të vendit. Për pasojë, ekuilibri tashmë i brishtë etnik i Kosovës mund të prishet, sidomos pasi pjesë të shumicës etnike shqiptare janë që tani shumë të inatosur pse i është dhënë kaq shumë pushtet pakicave.

Edhe sistemi i kuotave në Bosnje, ka shumë të meta. Kjo gjë u pa mëmë 21 shkurt, kur komuna e Srebrenicës – vendi kryesor i gjenocidit boshnjak të vitit 1995 -ripërsëriti zgjedhjet e saj lokale për shkak të parregullsive në procesin e parë.

Gjatë luftës, komuna humbi rreth 20.000 banorë, shumica prej tyre boshnjakë. Kontrolli politik mbi Srebrenicën, që tanimë është pjesë e entitetit të Republikës Srpskës, ka qenë me rëndësi jetike për partitë nacionaliste serbe, të cilat deri më sot e mohojnë ndodhjen e gjenocidit, dhe synojnë të minimizojnë ndikimin e të kthyerve boshnjakë pas luftës.

Në një përpjekje për të siguruar përfaqësimin e drejtë të boshnjakëve, ligji zgjedhor boshnjak garanton të drejtën e votës për të gjithë ata që jetonin në atë bashki që në kohën e regjistrimit të vitit 1991. Në nëntor, kur Bosnja mbajti zgjedhjet lokale, kryetari i bashkisë Mlladen Grujiçiç fitoi një tjetër mandat në Srebrenicë. Në vitin 2016, ai u bë kryebashkiaku i parë serbo-boshnjak që u zgjodh në këtë bashki që prej vitit 1999.

Rizgjedhja e tij u shoqërua me shumë parregullsi në votime, manipulimin e listave zgjedhore dhe vjedhjen e identitetit të shumë votuesve. Në janar të këtij viti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli rezultatet e pavlefshme dhe bëri thirrje për ripërsëritjen e zgjedhjeve.

Reagimi i nacionalistëve serbë ishte të sulmonin ligjshmërinë e vendimit. Gjithsesi Grujiçiç fitoi edhe gjatë ripërsëritjes së procesit, pasi komuniteti boshnjak vendosi të bojkotojë zgjedhjet, në shenjë proteste ndaj Komisioni Zgjedhor që sipas tyre nuk kishte bërë sa duhej për të adresuar ankesat e tyre. Pra siç shihet, si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë, kjo lloj inxhinierie etnike për përfitime politike, kërcënon që të shkatërrojë akoma më tej themelet tashmë të dobëta të demokracisë elektorale.

Vazhdimi i lojërave elektorale duke përdorur kuotat etnike, vetëm sa do të forcojë më tej mosbesimin e publikut në procesin zgjedhor. Në një mjedis post-konfliktit, anulimi i të drejtave politike të një komuniteti ose margjinalizimi i pranisë së tyre politike, krijon një terren për tensionet e ardhshme etnike.

Për të shmangur këtë skenar, Kosova dhe Bosnja duhet të veprojnë. Në Kosovë, heqja e kuotave etnike do ta përkeqësonte situatën, pasi do të çonte në pak ose aspak përfaqësim politik për pakicat në parlament. Zgjidhja do të ishte kundërshtimi i ndikimit të Beogradit dhe këmbëngulja që pjesëmarrja në jetën politike të Kosovës – jashtë projekteve të saj politike, si Lista Srpska -nuk është një tradhti ndaj komunitetit serb.

Midis serbëve të Kosovës, ka udhëheqës politikë me mendje të pavarur që dëshirojnë të jenë pjesë e parlamentit, por ata dhe elektoratet e tyre frikësohen vazhdimisht nga ekstremistët. Oliver Ivanoviç, lideri më i shquar që kundërshtonte Listën Srpska, u vra në vitin 2018.

Kohët e fundit, djali adoleshent i një politikani liberal serb, që ishte kritik ndaj Listës Srpska u rrah brutalisht. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se është në interesin e tyre të mbështesin dhe mbrojnë zërat politikë të moderuar serbë, dhe jo vetëm të injorojnë komunitetin serb dhe ankesat e tyre.

Kuotat për grupet etnike janë të rëndësishme për shoqëritë që përballen ende me ndarje për shkak të trazirave të fundit politike ose gjatë luftës. Por në Ballkan me këto të drejta është abuzuar vazhdimisht, prandaj ato duhet të rishikohen me urgjencë.

Burimi i lajmit: https://www.aljazeera.com/opinions/2021/3/9/political-quotas-and-ethnic-engineering-in-the-western-balkans

Përshtatur nga TIRANA TODAY