Shumë shqiptarë kanë rënë pre të një kompanie të tregtimit online, teksa kërkonin të blinin një automjet.
Mashtrimi kryhet në këtë mënyrë: automjetet shfaqen me një çmim shumë më të lirë se vlera reale, duke bërë që shqiptarët të kryejnë pagesën bankare, por që në këmbim nuk marrin asgjë.
Bëhet fjalë për website-in autobrandnet.com, ku pretendohet shitja e automjeteve online nga SHBA-të, por në të vërtetë është vetëm një mashtrim, pre e së cilit kanë rënë shumë qytetarë, kryesisht nga Tirana dhe Durrësi, vetëm gjatë muajve të fundit Gusht–Shtator.
“Njerëzit hyjnë në website autobrandnet.com kërkojnë të blejnë një makinë, bëjnë pagesë bankare nëpërmjet dokumenteve dhe makina nuk ju vjen. Është një shtetas meksikan, që fshihet pas këtij ëebsite”, shpjegon për Klan Plus Alban Kosova, ekspert teknologjie.
Ai sjell shembullin e një qytetari nga Tirana, që në Gusht u mashtrua për blerjen e një mjeti Volksëagen Passat të vitit 2012.
“Në rastin konkret ka bërë 4 200 dollarë parapagesë me bankë, çmimi real i makinës ishte diku tek 9 000 dollarë”.
Por si funksionon realisht skema e mashtrimit nëpërmjet vjedhjes së të dhënave dhe informacionit nga agjencitë serioze të shitjes së makinave?
“Marrim rastin e një makine të përdorur Porche të viti 2015, që tek autobrandnet.com shitet 24 900 dollarë, e njëjta makinë ndodhet tek ëebsite i besuar, me vlerë 92 mijë dollarë dhe është në ankand, për të cilën shumë persona mund të japin ofertë dhe nuk mund ta blejnë. Ndërsa tek autobrand, me foto të vjedhura të tregon se mund ta blesh direkt, ndërsa realisht mund ta blesh vetëm në ankand”, thotë Kosova.
Tirana Today e ka denoncuar edhe më herët mashtrimin e kësaj kompanie fantazmë, por duket se mungon informimi i qytetarëve lidhur me të, ndërsa shqetësues mbetet fakti që qytetarët, për arsye të ndryshme, nuk denoncojnë në polici raste të tilla mashtrimi me shuma të mëdha monetare.