Në plazhin e Sarandës, Ksamil, një djalë gjeti një portofol me një shumë të konsiderueshme parash prej 1400 eurosh, por nuk u mendua dy herë për t’ia kthyer atë të zotit.
Për këtë gjest ai u shpërblye me 650 euro dhe me një punë në Zvicër. Të paktën ky është shpjegimi që ka bërë djali, i cili ka dërguar edhe mesazhin në JOQ.
Në këtë mesazh ai bën edhe një apel për të gjithë ata që mund të ndodhen në situata të tilla. Ai thekson se është më vlefshme që njerëzit që gjenden në këto situata t’i rikthejnë paratë tek i zoti sepse në këtë mënyrë mund të fitojnë edhe një mik më shumë.
“Ky është shpërblimi që mora nga zotëria. Janë plot 650 euro, 100 franga dhe 50 mijë lekë shqiptare. Dmth zotëria me dha gjysmat e shumës së gjetur dhe në fund të fundit bëra një mik të mirë. Nuk më intereson shumë shpërblimi që ai më dha, se të isha keq për ato lekë, nuk ia kisha kthyer. Doja t’u bëja thirrje të gjithë shqiptarëve nëse do u vijë një rast i tillë në dorë, mos u nxitoni ti mbani lekët për vete, sepse aq lekë nuk u bëjnë të pasur. Mund të fitoni një mik të mirë që mund t’ju hapë dyert për çdo problem që të keni, siç ndodhi në rastin im. Zotëria më dha një mundësi të mirë për të punuar në Zvicër në kompaninë e tij, në një pozicion shumë të mirë pune, vetëm prej gjestit që bëra”, – apelon ai.