Sot është zgjedhur Arta Marku si kryeprokurore e përkohshme e Shqipërisë. Me 69 vota pro por me shumë kontestime dhe debate nga opozita. Marku renditet e shtata në këtë post që pas rënies së komunizmit. Po cilët ishin ata, betejat që bënë me krimin, cilat janë çështjet që ata hetuan dhe si u larguan nga ajo detyrë?
Kryeprokurori i parë pas ardhjes së demokracisë në vend është Petrit Serjani. Ai është emëruar kryeprokuror me vendim të Parlamentit në maj të vitit 1991 deri në korrik të vitit 1992. Serjani mbaroi Fakultetin Juridik në vitin 1973. Ai e filloi karrierën e tij në seksionin gjyqësor të Përmetit, më pas ka punuar si gjykatës në Mirditë. Në vitin 1987 Serjani u rikthye në Tiranë në Drejtorinë e Hetuesisë së Përgjithshme për Krimin Ekonomik. Para se të merrte postin e kryeprokurorit ai mbante postin e kryetarit të hetuesisë në Tiranë, shkruan TIRANA TODAY.
Proceset e bujshme të Petrit Serjani
a) Rinisjen e hetimeve për bombën në ambasadën Ruse ku 20 vetë ishin pushkatuar. U dha pafajësi. Në 1953 nuk ishte bërë gjyq. b) Çështja e Beqir Ballukut, kërkoi pafajësi për akuzën krime ndaj shtetit. c) Me urdhër të tij u arrestua Manush Myftiun, Hekuran Isain, Nexhmije Hoxhën, Qirjako Mihalin, etj. d) Hetoi në vitin 1991 problemin e depozitimit të arit shqiptar në Zvicër. e) Hetim Xhon Mekgou për depozitat e arit shqiptar në Zvicër
Pas thuajse në viti në drejtimin e kryeprokurorisë, Serjani zëvendësohet nga Maksim Maxhia. Në Gusht të vitit 1992 Maxhia u vendos kryeprokuror. Haxhia ishte jurist i njohur por në këtë detyrë qëndroj vetëm tre muaj. Me shumicë votash parlamenti I dominuar nga Partia Demokratike vendos shkarkimin e tij. Haxhia u shkarkua nga detyra me votim në parlament.
Maksim Haxhia u përplas me presidentin Berisha, për faktin se po tregohej i “ngathët” në realizimin e procesit gjyqësor në ngarkim të drejtuesve të lartë të shtetit komunist. Haxhia u përplas edhe me deputetët demokratë të Parlamentit, pse nuk po dërgonte policinë të gjente dhe të vinte në pranga drejtuesi e pushteti të vjetër që akuzoheshin për genocid, krime kundër njerëzimit.
Berisha e shkarkoi shpejt Haxhinë nga detyra për t’ia ngarkuar atë një juristi tjetër, që mbante postin e zëvendësprokurorit, Alush Dragosha, propozuar në atë detyrë nga ish-kryeprokurori Petrit Serjani. Ndaj Maksim Haxhisë u morën masa deri dhe në bllokimin e pasaportës diplomatike në aeroportin e Rinasit pak para nisjes për në konferencën e Kanës dhe të Londrës. Pra, ai nuk u lejua të dilte nga Shqipëria.
Në krye të Prokurorisë pas shkarkimit të Haxhisë do të vinte Alush Dragosha që do të miratonte veprimin e vartësit të tij, Arben Qeleshi, i cili më 31 korrik të vitit 1993 arrestoi Fatos Nanon.
Dragosha emërohet kryeprokuror në nëntor të vitit 1992. Dragosha kishte firmosur fletë-arrestin për ish-kryeministrin dhe kryetarin e PS-së, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Akuzat kishin të bënin me çështjen e shumëpërfolur të asaj kohë, atë të ndihmave italiane. Pak ditë pas arrestimit të Nanos, Prokuroria firmos arrestin edhe për ish-zëvendësministrin e Jashtëm, Sokrat Plaka.
Dragoshi u shkarkua në verën e vitit 1997 me shumicë votash të deputetëve socialistë. Ai qëndroi në krye të Prokurorisë së përgjithshme 4 vjet e 9 muaj.
Proceset e bujshme që drejtoi Alush Dragoshi si kryeprokruor
a) Arrestohet ish-presidenti Ramiz Alia dhe gjykohet për gjenocid së bashku me 18 drejtues të shtetit komunist, ndërmjet tyre dhe Nexhmije Hoxha, e cila u dënua nga gjykata me 9 vjet heqje lirie. b) Në 31 korrik 1993 u arrestua ish-kryeministri dhe kryetari I PS, Fatos Nano c) U arrestua ish-kryeministri Vilson Ahmeti
Në vitin e vështirë 1997, parlamenti i dominuar nga socialistët zgjedh në gusht të atij viti kryperokuror Arben Rakipin, me propozim të Rexhep Mejdanit.. Rakipi u shkarkua nga demokratët dhe një pjesë e socialistëve duke u akuzuar se e kishte përdorur prokurorinë për qëllime politike. Rakipi ishte propozuar për të qenë zv. kryetar i SH.I.K, por nuk pranoi. Rakipi mbajti postin e kryeprokurorit për 4 vjet e 7 muaj.
Proceset të bujshme që drejtoi Arben Rakipi
a) Bandat e vitit 1997, b) Arrestimi më 23 gusht 1998 TË gjashtë funksionarëve të PD-së, Safet Zhulali, Halit Shamata, Sokol Mulosmani, Blerim Çela, Kreshnik Lusha dhe Bujar Rama.
c) Hetimet për vrasjen e Azem Hajdarit. d) Dosja “Kokaina” e) Dosjet e korrupsionit
Për ngjarjet e këtij viti, Rakipi urdhëron edhe arrestimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, Halit Shamata, Sokol Mulosmani, Blerim Çela, Kreshnik Lusha dhe Bujar Rama.
Edhe politika shqiptare ishte tejet e konfrontuar. Ngjarja më e rëndë që i takoi të hetohej në kohën që Rakipi kryente detyrën e kreut të organit të akuzës shqiptare ishte vraja e deputetit të PD-së Azem Hajdarit më 12 shtator të vitit 1998. E dy ditë pas saj shpërthyen revolta që tashmë përmblidhen me emrin: Ngjarja e 14 Shtatorit. Më pas, një proces i bujshëm që do të niste nga Prokuroria e Përgjithshme ishte dhe çështja “Kokaina” ku u arrestuan Sokol Koçiu, Frederik Durda, Mentor Hadërgjonaj, Vehbi Hysi dhe Alfred Nanaj.
Në vitin 2003 kryeprokuror i përgjithshëm emërohet Theodhori Sollaku. Është prokurori i parë më një gradë shkencore. Sollaku ka një karrierë të pasur akademike me trajnime të shumta. Sollaku njihet si kryeprokurori i parë shqiptar ndaj familjes të së cilit i është bërë anëtar. Sollaku qëndroj në detyrë deri në nëntor të vitit 2007.
Ngjarja e bujshme, vrasja e shoferit të Sollakut
Plumba familjes së kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Gruaja dhe vajza e numrit një të Prokurorisë i kanë shpëtuar një atentati, i cili i ka marrë jetën shoferit të makinës me të cilën udhëtonin. Gardisti Genci Sina, 32-vjeç, është qëlluar me një pistoletë me silenciator në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë pastiçeri “Laguna”, 100 metra përballë Piramidës, ndërsa drejtonte automjetin “Rover”, tip fuoristrada me targa Tr 1762 I, të eskortës së prokurorit të Përgjithshëm. Pasi është siguruar se ka kryer ekzekutimin, vrasësi është larguar në këmbë në drejtim të godinës së Parlamentit, duke lënë të tmerruara nga skena e përjetuar, gruan dhe vajzën e Sollakut. Pak çaste më pas, policia ka marrë në mbrojtje vetë kryeprokurorin, i cili ndodhej në restorant “Piazza” në shoqërinë e ish-presidentit Mejdani dhe disa miqve të tjerë. I dyshuar për vrasjen e Sinës ishte Altin Arapi, që u arrestua nga policia Belge, por më pas për parregullsi të dosjes hetimore dërguar atje nga Prokuroria Shqiptare, u la i lirë.
Por në vitin 2007, falë edhe një votimi që përçau PS-në dhe nga ana tjetër u quajt si blerje deputetësh, President i Republikës zgjidhet me 3/5-at e deputetëve, Bamir topi numri dy i Partisë Demokratike.
Një ndër vendimet e para të tij, ishte edhe firmosja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, bazuar mbi raportin e komisionit hetimor për veprimtarinë e prokurorisë.
Theodhori Sollaku e ankimoi vendimin e parlamentit në Gjykatën Kushtetuese. Pas shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi antikushtetues vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Sollakut por ashtu siç ndodhi me Rakipin, as Sollaku nuk u kthye në detyrë.
Përmes të njëjtit dekret, Topi emëroi në këtë detyre prokuroren Ina Rama në nëntor të vitit 2007. Juristja 35 vjeçare, ishte anëtare e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda.
Ndërkohë që vlerësimi i Berishës për Ina Ramën kaloi nga “Silvia Kondi e Shqipërisë” tek një “lavire bulevardi”, shkarkimi i saj nuk do të vononte. Mazhoranca e djathtë e shkarkoi Ina Ramën me motivacionin që ka mbushur mandatin 5-vjeçar në këtë institucion.
Proceset e bujshme që drejtoi Ina Rama si kryeprokurore:
a) Shpërthimi i depove ushtarake në Gërdec të Tiranës b)Hetim i çështjes së kasetës së ministrit Dritan Prifti. c) Hetimi ngjarjeve të 21 janar 2011 në të cilën mbetën të vdekur 4 protestues. d)Hetim i abuzimeve me ndërtimin e rrugës së Kombit, ish-ministri I Transporteve Lulzim Basha.
Pas Ina Ramës në dhjetor të vitit 2012 në krye të Prokurorisë së Përgjithshme u zgjodh Adriatik Llalla. Ai ishte në atë kohë drejtues i Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive.
Prej kohës kur ka ardhur në krye të organit të akuzës, Llalla ka dhënë shumë dëshmi të bujshme, por aktet e bujshme nuk kanë qënë aq të shumta. Megjithatë Llalla do të mbahet mend si prokurori që ka arrestuar Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, akt që u mirëprit nga qytetarët. Janë kryer edhe disa arrestime deputetësh e ish-zyratrësh të niveleve të ulëta në qeverisje. Megjithatë, ende Kryeprokurori nuk është në lartësinë e deklaratave të bujshme që ai ka bërë të tipit: “jemi në një proçes hetimi i cili mund të ndryshojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.”
Kryeprokurori i ardhur në detyrë në vitin 2012 njihet për shprehjen e tij të përvitëshme se “në vjeshtë do të ketë arrestime të bujshme”.
Proceset më të bujshme
a) Arrestimi dhe hetimi i ministrit të Punës Spiro Ksera. b) Çështja e Tom Doshit. c)Hetimi për trafikun e drogës. TIRANA TODAY