Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka shpërthyer ndaj Francës dhe Gjermanisë teksa i akuzoi se po përdorin një retorikë boshe pro-evropiane, ndërkohë që po ndjekin interesat e tyre kombëtare ku janë në pyetje çështjet e emigracionit, industrisë dhe diplomacisë ndërkombëtare.
Këto akuza, Conte i bëri gjatë një interviste për Corriere della Sera, ku deklaroi se Italia nuk ishte më e gatshme të trajtohet si një “lidhje e dobët” ndërkohë që shtetet më të mëdha të BE-së, po përpiqen të rrisin fuqinë dhe ndikimin e tyre në kurriz të integrimit të vërtetë evropian.
Presidenti francez, Emmanuel Macron është kritikuar shpesh nga partitë e koalicionit qeverisës në Itali, se po varfëron Afrikën dhe po nxit migrimin nga i gjithë Mesdheu drejt Italisë.
Kryeministri italian paralajmëroi Francën dhe Gjermaninë që të mos përpiqen të izolojnë Italinë:
“Sigurisht që aleatët tanë nuk mund të besojnë se ne do të rrimë në heshtje në tryezë për të nënshkruar vendimet e marra nga të tjerët”, tha ai.