Besimtarët ortodoksë të Korçës kanë kremtuar këtë pasdite të Premten e Zezë, ditën që simbolizon vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezu Krishtit.
Në një atmosferë të qetë dhe plot solemnitet, ritualit të kalimit nën Epitaf dhe ceremonisë së varrimit të Krishtit iu bashkua një numër i madh qytetarësh, të mbledhur për të përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të besimit ortodoks.
Në sheshin para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” u bashkuan epitafet e të gjitha kishave të qytetit.
Më pas, të shoqëruara nga besimtarë të shumtë dhe nën tingujt e marsheve funebre, epitafet përshkuan bulevardet kryesore të Korçës, në një procesion tradicional që ndërthur besimin, përkushtimin dhe traditën.
Procesioni u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastas, ndërsa lutjet dhe këngët kishtare shoqëruan çdo hap të kësaj ceremonie të veçantë.
E Premtja para Pashkës, e cila njihet si e Premtja e Zezë, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë, duke ecur drejt vendit ku u kryqëzua, për t’u ringjallur të dielën e Pashkës.















