Emri i Renato Mekollit komentohet pozitivisht dhe negativisht. Qytetarët ndajnë bindje të ndryshme sa i takon pjesëmarrjes së tij në “Hell’s Kitchen”, ku ai në të shumtën e rasteve sillet mjaft agresiv.
Javë pas jave situatat kanë degraduar deri në sharje. Madje në media qarkulloi dhe lajmi se një prej konkurrentëve ishte përpjekur të priste damarët, për shkak të presionit të madh.
I ftuar në emisionin “Ftesë në 5” për të folur në lidhje me spektaklin, shef Renato tregoi me humor se nervat i ka të trashëguara pak nga Greqia, por jo se shqiptarët janë më të qetë.
“Je kaq i vogël, i imët dhe elegant dhe them nga del gjithë ai zë?”, e pyet moderatorja e “Ftesë në 5”.
“Nga nervi moj, që nuk marr kile”, u përgjigj Renato Mekolli.
“Nga e ke trashëguar gjithë këtë nerv, shqiptar është apo është grek ?”, e pyet Bieta.
“Po grek duhet të jetë. Pastaj edhe ne jemi shumë keq, nervat e shqiptarëve janë o Zot na ruaj”, tha duke qeshur shefi i kuzhinës.