Pas 30 vitesh kërkime, më në fund policia braziliane ka arritur të arrestojë një nga krerët më famëkeq të drogës, i cili përdorte kirurgji plastike për t’iu shmangur arrestimit.
Luiz Carlos da Rocha, i njohur si “Shefi i Bardhë” besohet të jetë udhëheqësi i një perandorie masive të kokainës në Amerikën e Jugut, ndërsa policia federale tha se dënimet ndaj Rocha-s arrijnë mbi 50 vite burg.
“Ishte një kriminel që jetonte në mënyrë diskrete dhe në hije”, tha ndër të tjera policia duke justifikuar moskapjen e kapos prej 30 vitesh.
Rocha u arrestua në Sorriso, në shtetin perëndimor të Mato Grosso, dhe kishte jetuar në qytet nën emrin Vitor Luiz de Moraes.
Agjentët krahasuan fotografitë e vjetra të njohura të Rocha-s me imazhet e të dyshuarit të ri duke arriti në përfundimin se Luiz Carlos da Rocha dhe Vitor Luiz janë i njëjti person.
Mësohet se organizata e Rocha-s ishte e njohur për dhunën e saj, duke përdorur armë të rënda dhe makina të blinduara.
Policia vlerëson se perandoria e tij prodhonte rreth pesë ton kokainë çdo muaj, ndërsa Rocha është akuzuar si një nga ofruesit kryesorë të kokainës për organizatat kriminale brenda Brazilit, në Sao Paulo dhe Rio de Janeiro.
Operacioni sekuestroi gjithashtu rreth 10 milionë dollarë pasuri kriminale, duke përfshirë ferma, automjete luksoze dhe avionë.