Këngëtari Devis Xherahu ka folur për karrierën e tij. Ai hyri në tregun muzikor shqiptar pasi ndërtoi një karrierë në Greqi. Eksperienca atje e bëri këngëtarin më të përgatitur me performancat live.
Në një intervistë për Panorama, Xherahu ka komentuar edhe fotot e tij me ish- kryeministrin Fatos Nano dhe me Dritan Hoxhën. Këngëtari tha se ishin ata që kishin shkuar ta shihnin Xherahun tek këndonte live, madje Dritan Hoxha e kishte ndihmuar në kontaktin e parë me publikun shqiptar.
Devisi ka treguar:
Ka qenë vetëm një rast kur u takuam me Fatosin dhe që atëherë nuk jemi takuar më. Por po përmend rastin e mikut tim të nderuar, të ndjerit Dritan Hoxha. U njohëm në një nga buzukët ku unë performoja me Lefteris Pantazis. Kishte dëgjuar për mua dhe erdhi të më dëgjonte e që atëherë ai vinte shpesh në buzuqet ku unë performoja. E meqenëse para disa ditësh u festua ditëlindja e 50 e tij, unë shpreh mirënjohjen, pasi ai ishte mbështetja ime kryesore në kontaktin e parë me publikun tim shqiptar nëpërmjet “Top Channel”. E kujtoj dhe do e kujtoj me respekt mikun tim, babain e medias shqiptare. Ndjehem me fat që e takova!”