Librashitësit ambulantë të librit në dy sheshet e kryeqytetit të Prishtinës nuk do të përballen më me kushtet e vështira sidomos në dimër.
Tashmë, këta librashitës janë pajisur me kioska të vendosura në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe “Nënë Tereza” me shpalljen e rezultateve të thirrjes për aplikim për marrjen e tyre në shfrytëzim, që ishte bërë publike në korrik të këtij viti.
Konkretisht, tetë kioska me nga tre metra katrorë u janë ndarë librashitësve ambulantë me vendim të komisionit të Komunës së Prishtinës.
Thirrjes publike i ishin përgjigjur 18 aplikues, prej të cilëve 11 individualë dhe 7 shtëpi botuese. Sipas kësaj thirrje, ata që synonin të zinin vend në “Këndet e librave” ishte dashur të dërgonin dëshmi se kanë shitur libra në sheshet e kryeqytetit të paktën në tre vitet e fundit.
Ndërkohë, shtëpitë botuese kanë pasur kritere të tjera, si kryerja e obligimeve tatimore, arka fiskale dhe numri i titujve të botuar në tre vjetët e fundit.
Komisioni pesë anëtarësh, i udhëhequr nga Genc Bashota, drejtor i Drejtorisë për planifikim strategjik dhe zhvillim të qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, ka bërë vlerësimin dhe ua ka dhënë në shfrytëzim kioskat e librit nëntë librashitësve ambulantë, mes të cilave, dy prej tyre kanë pranuar të ndajnë të njëjtën kioskë.
Çmimi i kioskave aktuale të “Këndit të librave” ishte përllogaritur të jetë 5 mijë e 700 euro.