Pep Guardiola në një intervistë ka dhënë lajmin e madh për “katalanasit”, pasi është shprehur se kërkon që ta mbyllë karrierën e tij aty ku e filloi. “Do ta përfundoj aty ku e kam filluar”, ka thënë Guardiola në një intervistë me Universo Valdanon. “Hapat e mi të fundit të karrierës si trajner do të jenë në Barcelonë në La Masia”.
Me “blaugranat” Guardiola fitoi gjithçka, duke përfshirë tre kampionate të La Ligas, dy Champions League e dy Botërore klubesh. Nga viti 2013 deri në vitin 2016, ai drejtoi Bayernin e Mynihut, ku fitoi 3 Bundesliga radhazi, e që prej 2 vitesh është trajner i Manchester City-t, me të cilin fitoi Premier League në sezonin e shkuar, duke grumbulluar gjithsej 100 pikë.
Me klubin anglez, trajneri katalana ka një kontratë deri në vitin 2021, të cilën me shumë mundësi do ta rinovojë. Ai ka përjashtuar një rikthim si trajner tek ekipi i parë i Barcelonës, por mediat spanjolle kanë aluduar shpesh se në të ardhmen, ai mund të bëhet drejtor sportiv i skuadrës.
Guardiola e ka nisur mirë sezonin e ri me Manchester Cityn, duke marrë 10 nga 12 pikë në 4 ndeshjet e para, pa harruar fitoren në Community Shield kundër Chelsea.