Qyteti kanadez London që ndodhet në provincën Ontarios ka shpallur tre ditë zie për të nderuar viktimat e një sulmi me kamion ndaj pesë anëtarëve të së njëjtës familje. Katër prej tyre humbën jetën në incident ndërsa njëri prej tyre, në moshë të re, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Hetuesit thanë se shoferi i sulmoi viktimat për shkak se ishin myslimanë. Personat që humbën jetën ishin të moshave nga 15 në 74 vjeç, ndërsa më i riu në moshë, vetëm 9 vjeç ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
“ E kuptojmë se një ngjarje e tillë mund të shkaktojë frikë dhe ankth në komunitet dhe tek të gjithë banorët e qytetit. Ne të gjithë këtu dhe shumë të tjerë ju mbështesim. Nuk ka tolerancë në këtë komunitet për individë që motivohen nga urrejtja e që ushtrojnë dhunë”, tha shefi i policisë i qytetit London, Stephen Williams.
Pas sulmit që ndodhi të dielën në mbrëmje autoritetet arrestuan një banor të qytetit në parkimin e një qendre tregtare aty pranë.
Policia tha se 29-vjeçari Nathaniel Veltman, i cili po përballet me katër akuza për vrasje të shkallës së parë, nuk i njihte viktimat./VOA