Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar padinë e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Metës ndaj Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, të cilët i akuzonte për 6 shkelje ligjore.
Në këtë mënyrë Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin për nisjen e hetimit për Autoritetit të Dosjeve.
“Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është shqyrtuar çështja penale që i përket ankuesit Ilir Metaj, me objekt: Ankimin ndaj vendimit “Për mosfillimin e procedimit penal”, datë 21.09.2022 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022. Paraqitur nga ankuesi, ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informim mbi dokumetat e ish-Sigurimit të Shtetit, Tiranë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 ka vendosur: Shfuqizimin e vendimit datë 21.09.2022 “Për mosfillimin e proçedimit penal” të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal Nr.11409, datë 06.09.2022. Detyrimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të regjistrojë procedimin penal për kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022 dhe të kryejë hetimet përshkruar në pjesën arsyetuese të këtij vendimi. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokuoria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e vendimit të gjykatës dhe lënien në fuqi të vendimit mbi “Mosfillimin e procedimit penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj Gjykate.
Kujtojmë që ish-presidenti Ilir Meta kallëzoi penalisht në fillim të shtatorit Autoritetin e Dosjeve, duke pretenduar se drejtuesit dhe anëtarët kishin kryer shkelje të rënda, ndër të tjera edhe falsifikime, për llogari të kryeministrit Edi Rama, në mënyrë që t’ë përdornin një dosje të falsifikuar ku ai aludohet si ish-spiun i Sigurimit, për shantazh politik.
Sipas Metës, Autoriteti i Dosjeve kishte kryer 6 vepra penale, ndër to edhe “përhapja e informatave të rreme që shkaktojnë panik”. Beteja mes Metës dhe institucionit nisi gjatë muajit gusht, kur Autoriteti deklaroi se në postet e larta të politikës ka ish-bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, ndër ta edhe politikani me inicialet I.M.
Menjëherë u aludua se bëhej fjalë për ish-presidentin Ilir Metaj i cili kishte spiunuar shokun student gjatë tentativës për t’u arratisur nga vendi, por ky i fundit i hodhi poshtë akuzat duke u shprehur se në klasë ka patur edhe dy të tjerë me emrin Ilir Metaj.