4 Shkurt 1945 – Në Krime nis Konferenca Ndërkombëtare e Jaltës
Presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt, kryeministri britanik Winston Churchill dhe udhëheqësi sovjetik Joseph Stalin takohen në Jaltë, për të diskutuar dhe planifikuar botën e pasluftës – domethënë, përcaktimin e mënyrës së rishpërndarjes së pushtetit dhe ndikimit. Pikërsht në Jaltë, shumë nga historianët shohin rrënjët e Luftës së Ftohtë.
Ishte tashmë e përcaktuar që një Gjermani e mposhtur, do të ndahej në zona të pushtuara nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik, fuqitë kryesore aleate. Pasi të hynin në Gjermani, aleatët do të ç’mobilizonin ushtrinë naziste, dhe nxirrnin para gjyqit kriminelët e luftës.
Ndërkohë, një komision i posaçëm do të përcaktonte dëmshpërblimet e luftës. Por çështja më e rëndësishme, ajo që do të fuste konferencën në histori, ishte harta e Stalinit mbi Evropën Lindore. (Kërkesat e Stalinit kishin filluar herët, me dëshirën që konferenca të mbahej në një vendpushim në Detit e Zi pranë BRSS-së. Ai pretendonte se qe shumë sëmurë për të udhëtuar larg).
Roosevelt dhe Churchill u përpoqën të krijonin një front të bashkuar kundër diktatorit sovjetik; këshilltarët e tyre kishin përcaktuar tashmë pozicione të qarta për Evropën, dhe krijimin e Kombeve të Bashkuara. Ata parashtruan parimet e Kartës së Atlantikut, të formuluara që në gushtin e vitit 1941, që do të siguronin “jetën, lirinë, pavarësinë, si dhe lirinë e besimit” për një Evropë të lirë, dhe që garantonin, se vetëm ato kombe që i kishin shpallur luftë fuqive të Boshtit, do të mund të anëtarësoheshin të parat në OKB.
Stalini u pajtua me këto parime (megjithëse u tërhoq nga premtimi i tij se të 16 republikat sovjetike, do të kishin një përfaqësim të veçantë brenda Kombeve të Bashkuara), si dhe një marrëveshje me anë të së cilës Tre të Mëdhenjtë, do të ndihmonin çdo komb të pushtuar më herët nga fuqitë e Boshtit, në krijimin e “autoriteteve të përkohshme qeveritare, që përfaqësojnë gjerësisht të gjitha elementet demokratike të popullsisë… dhe vendosen më pas të qeverive legjitime përmes zgjedhjeve të lira, dhe në respekti të plotë të vullnetit të popullit”.
Në këtë kuadër, Roosevelt dhe Churchill i dhanë mbështetje qeverisë polake në Londër. Stalini kundërshtoi, duke mbështetur qeverinë e Komitetit Polak të Çlirimit Kombëtar, e mbizotëruar nga komunistët polakë pro-sovjetikë me seli në Poloni. I vetmi kompromis që u arrit, ishte përfshirja e grupeve “të tjera” politike në komitet. Sa i përket kufijve të rinj të Polonisë, ato u diskutuan, por nuk u arrit në ndonjë përfundim.
Konferenca krijoi iluzionin e një unanimiteti, veçanërisht në dritën e riangazhimit të Stalinit për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në ato vende të Evropës Lindore, që çliruan sovjetikët në fund të luftës. Roosevelt dhe Churchill, i besuan Stalinit, para së gjithash për shkak se kishin nevojë për sovjetikët për të mposhtur japonezët. Në fakt, BRSS luajti një rol shumë më të vogël në dhënien fund të luftës në Lindje, sesa supozohej më herët. Por s’kishte më kthim pas. Një “perde e hekurt”, kishte nisur të binte mbi Evropën.
4 Shkurt 1964 – Themelohet Organizata për Çlirimin e Palestinës
Organizata për Çlirimin e Palestinës, u formua për të centralizuar udhëheqjen e grupeve të ndryshme palestineze, që më herët kishin vepruar si lëvizje të rezistencës klandestine. Por vetëm pas humbjes së shteteve arabe përballë Izraelit në Luftën Gjashtëditore të qershorit 1967, OÇP nisi të njihej gjerësisht si përfaqësuese e palestinezëve, dhe të promovonte një axhendë të veçantë.
Disfata diskreditoi vendet arabe, dhe palestinezët kërkuan autonomi më të madhe në luftën e tyre me Izraelin. Në vitin 1968, krerët e grupeve guerile palestineze fituan përfaqësim në organizatë. Grupimet më radikale, mbetën të palëkundur në synimet e tyre për shkatërrimin e Izraelit, dhe zëvendësimin e tij me një shtet laik, në të cilin myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët, do të jetojnë si të barabartë.
Ndërkohë fraksionet më të moderuara brenda OÇP-së, janë dëshmuar të gatshëm të pranojnë një zgjidhje të negociuar me Izraelin, që do të krijonte një shtet palestinez, çka ka çuar shpesh herë në përplasje të brendshme të dhunshme. Në vitin 1969, Jaser Arafat , udhëheqës i fraksionit të moderuar Fatah, u emërua kryetar i OÇP-së.
Nga fundi i viteve 1960, organizata organizoi dhe ndërmorri sulme guerrilase kundër Izraelit nga bazat e saj në Jordani, gjë që shkaktoi represione të ashpra izraelite, duke çuar në destabilitet brenda Jordanisë. Për rrjedhojë, OÇP u dëbua me forcë nga vendi më 1971, për të zhvendosur bazat e saj në Liban, ku dhe vazhdoi sulmet ndaj Izraelit.
Por edhe marrëdhëniet e OÇP-së me libanezët ishin të trazuara, dhe organizata shpejt u përfshi në mosmarrëveshjet sektare, dhe kontribuoi në rrëshqitjen e vendit drejt luftës civile. Në vitin 1974, krerët e shteteve arabe e njohën OÇP-në si përfaqësuesen e vetme legjitime të të gjithë palestinezëve, dhe ajo u pranua anëtare e Lidhjes Arabe në vitin 1976.
Në prillin e vitit 1993, OÇP hyri në negociata sekrete me Izraelin për një zgjidhje të mundshme paqësore mes të dy palëve. Dokumenti i pare, të ashtuquajturat Marrëveshjet e Oslos – u nënshkrua më 13 shtator 1993, nga Arafati dhe udhëheqësit e qeverisë izraelite.
Marrëveshjet kërkuan njohje reciproke midis dy palëve, dhe përcaktuan kushtet nën të cilat Bregu Perëndimor dhe Gaza do të kalonin gradualisht nën kontrollin e Autoritetit të sapoformuar Palestinez, president i cilit do të bëhej Arafat. Marrëveshjet nisën të zbatoheshin në një farë mase, por raportet izraelito-palestineze u acaruan sërish, dhe situate në terren u përkeqësua
4 Shkurt 1169 – Një tërmet i fortë goditi bregun jonian të ishullit të Siçilisë në Itali, duke shkaktuar dhjetëra mijëra të vdekur, veçanërisht në Katania.
4 Shkurt 1789 – Xhorxh Uashingtoni zgjidhet njëzëri si Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara nga Kolegji Zgjedhor i SHBA.
4 Shkurt 1794 – Asambleja Kombëtare e Francës, shfuqizon skllavërinë në të gjitha territoret e Republikës së Parë Franceze. Skllavëria do të rivendoset në Inditë Perëndimore të Francës më 1802.
4 Shkurt 1974 – Ushtria e përkohshme Republikane Irlandeze (IRA), shpërthen një bombë në një autobus që transporton personelin e Forcave të Armatosura britanike në Jorkshajër, Angli. Nëntë ushtarë dhe tre civilë gjejnë vdekjen.
4 Shkurt 1992 – Një grusht shteti, udhëhiqet nga Hugo Chavez kundër presidentit të Venezuelës, Carlos Andres Perez.
4 Shkurt 1999 – Emigranti i paarmatosur nga Afrika, Amadou Diallo, qëllohet 41 herë nga 4 policë të Policisë së Nju Jorkut gjatë një kontrolli rutinë, duke ndezur tensionet raciale në qytet.
4 Shkurt 2003 – Republika Federale e Jugosllavisë, riemërohet zyrtarisht Serbia dhe Mali i Zi, dhe miraton një kushtetutë të re.
4 Shkurt 2004 – Rrjeti më popullor social në botë Facebook, themelohet nga Mark Zuckerberg.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce