28 Shkurt 1953- Dy shkencëtarë amerikanë zbulojnë strukturën kimike të ADN-së
Shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit, James D. Watson dhe Francis H.C. Crick, njoftojnë se kanë arritur të përcaktojnë strukturën e dy zgjatimeve të ADN-së, molekula që përmban gjenet e njeriut. Megjithëse ADN-ja, akronimi për Acidin Dezoksiribonukleik u zbulua që më 1869, roli i saj vendimtar në përcaktimin e trashëgimisë gjenetike, nuk u arrit të provohej deri më 1943.
Në fillim të viteve 1950, Watson dhe Crick ishin vetëm 2 nga shumë shkencëtarët që po përpiqeshin njëkohësisht të zbulonin strukturën e ADN-së. Kimisti kalifornian, Linus Pauling, sugjeroi një model të gabuar në fillim të vitit 1953, duke bërë që Watson dhe Crick të përpiqeshin ta mundnin Pauling me mjetet e këtij të fundit.
Sipas zbulimeve të tyre, ADN-ja e përsëriste veten duke u ndarë në fije individuale, kur secila shndërrohej në një një model për një spirale të re të dyfishtë. Zbulimi i Watson dhe Crick, u paraqit në detaje më 25 prill 1953, pas botimit të studimit në revistën “Nature”.
Ai artikull, revolucionarizoi studimin e biologjisë dhe mjekësisë. Ndër zhvillimet që pasuan drejtpërsëdrejti, ishte shqyrtimi para lindjes i gjeneve që shkaktonin sëmundje; ushqimet e modifikuara gjenetikisht; aftësia për të identifikuar mbetjet njerëzore; trajtimi i sëmundjeve të tilla të rënda si SIDA etj.
28 Shkurt 2013- Papa Benedikti XVI jep dorëheqjen
Papa gjerman Jozef Ratzinger, 85-vjeç jep zyrtarisht dorëheqjen, 3 javë pasi e kishte bërë publik vendimin e tij të bujshëm. Duke përmendur si arsye moshën e tij të thyer, Benedikti u bë Papa i parë që dorëhiqej nga drejtimi i Kishës Katolike pas gati 600 vjetësh.
Dy javë pas largimit të Benediktit XVI, vendin e tij e zuri kryepeshkopi i Buenos Airesit, kardinali Jorge Mario Bergoglio. Ratzinger, i lindur në Marktl të Bavarisë, ishte pjesë e ushtrisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën e braktisi pas fundit të luftës.
Pasi u shugurua prift në moshën 24-vjeçare, shërbeu si profesor i teologjisë në disa universitete gjermane deri në vitin 1977, kur u emërua kryepeshkop i Mynihut; më vonë gjatë atij viti mori titullin kardinal. Gjatë viteve 1981- 2005, Ratzinger drejtoi Kongregatën për Doktrinën e Besimit, një zyrë e fuqishme e Vatikanit, përgjegjëse për zbatimin e doktrinës katolike. Në këtë rol, ai fitoi pseudonimin “Rottëeiler i Perëndisë”.
Gjatë 8 viteve të papatit të tij, pas vdekjes së Papa Gjon Palit II, Ratzinger iu përkushtua një axhende konservatore, ndërsa u përball me skandale të shumta, që përfshinin abuzimet seksuale të klerikëve me të miturit, si dhe korrupsionin në Bankën e Vatikanit. Papa i fundit që pati hequr dorë para tij ishte Gregori XII më 1415-ën, për t’i dhënë fund një lufte civile brenda kishës i quajtur Skizma e Madhe Perëndimore.
28 Shkurt 1986- Vritet kryeministri suedez Sven Olof Palme.
Palme udhëhoqi Partinë Socialdemokrate suedeze gjatë viteve 1969-1986, ndërsa kishte vetëm 2 vite që po ushtronte detyrën e kreut të qeverisë. Ai ishte një figurë e rëndësishme, e njohur dhe polarizuese brenda vendit, si dhe në politikën ndërkombëtare që nga vitet 1960.
Ai ishte i palëkundur në politikën e tij të pavarur nga superfuqitë, duke e shoqëruar me mbështetje për lëvizjet e shumta çlirimtare në Botën e Tretë pas dekolonizimit. Ai qe kryeministri i parë i një qeverie perëndimore që vizitoi Kubën, pas revolucionit që ndodhi atje.
Duke qenë shpesh kritik i politikës së jashtme amerikane dhe sovjetike, Palme artikulonte kritika të ashpra dhe shpesh polarizuese ndaj ambicieve imperialiste dhe regjimeve autoritare, duke përfshirë ato të Francisco Franco të Spanjës, Leonid Brezhnevit të Bashkimit Sovjetik, Antonio de Oliveira Salazar në Portugali, Gustav Husak në Çekosllovaki, si dhe B.J.Vorster në Afrikën e Jugut.
Denoncimi i krimeve të luftës nga trupat amerikane në Vietnam, solli një ngrirje të përkohshme në marrëdhëniet Suedi-Shtetet e Bashkuara. Afër mesnatës së 28 shkurtit, ai ishte duke u kthyer shtëpi pasi kishte qenë në kinema me gruan e tij Lisbet, në rrugën qendrore të Stokholmit, Sveavägen, kur u qëllua nga prapa.
Një e shtënë e dytë plagosi edhe Lisbet. Palme u shpall i vdekur sapo mbërriti në spital, ndërsa Lisbet mbijetoi pa lëndime serioze. I dyshuari kryesor për vrasjes ishte Christer Pettersson, një kriminel i rëndomtë dhe i ndërvarur nga droga. Ai u dënua, por më pas fitoi pafajësinë në Gjykatën e Lartë. Vrasja e Olof Palmes, mbetet ende sot e pazbardhur.
28 Shkurt 1692 – Fillon Gjuetia e Shtrigave – histeria që përfshiu fshatin Salem në Masaçusets SHBA, gjatë së cilës 23 persona u ekzekutuan me varje, nën akuzën e e paktit me Djallin.
28 Shkurt 1759 – Papa Klementi XIII, lejon që Bibla të përkthehet në gjuhë të ndryshme.
28 Shkurt 1867 – Marrëdhëniet 70-vjeçare të Selisë së Shenjtë me Shtetet e Bashkuara, marrin fund me një ndalim të Kongresit për financimin e ambasadorëve diplomatikë në Vatikan. Raportet mes dy vendeve do të rivendosen vetëm më 10 janar 1984.
28 Shkurt 1922 – Mbretëria e Bashkuar, i jep fund protektoratit të saj mbi Egjiptin, përmes një Deklarate të njëanshme të Pavarësisë.
28 Shkurt 1935 – Shkencëtari DuPont Ëallace Carothers shpall shpikjen e najlonit.
28 Shkurt 1985 – IRA kryen një sulm me mortajë në stacionin policor mbreteror në Ulster, duke vrarë 9 oficerë.
28 Shkurt 1991 – Përfundon Lufta e Parë e Gjirit Persik, me disfatën e Irakut.
28 Shkurt 1998 – Lufta e Kosovës:Policia dhe ushtria serbe, nis ofensivën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce