23 Janar 1944- Vdes piktori i famshëm norvegjez, Edvard Munch
Munch, është i njohur gjerësisht për pikturën e tij para-ekspresioniste “The Scream” (Britma).
Ai krijoi një stil të lirë, me tematika psikologjike, të gjitha të tijat. Piktura e tij “The Scream” (1893), është një nga veprat më të njohura në historinë e artit botëror. Punimet e tij të mëvonshme, rezultuan më pak të suksesshme, por pikturat e tij më të hershme, më të zymta, siguruan trashëgiminë e tij. Vetëm “The Scream” u shit për më shumë se 119 milionë dollarë në vitin 2012, duke vendosur një rekord të ri në ankandin e veprave të artit.
Edvard Munch lindi më 12 dhjetor 1863, në Löten, i dyti nga pesë fëmijët. Një vit më vonë zhvendoset me familjen e tij në qytetin e Oslos, ku e ëma vdiq 4 vjet më vonë nga tuberkulozi, çka shënoi nisjen e një serie tragjedish familjare në jetën e Munch. Edhe motra e tij, Sophie, vdiq po nga tuberkulozi më 1877, në moshën 15-vjeçare. Ndërkohë që njëra nga motrat e tjera, e kaloi shumicën e jetës në spitalet psikiatrike, ndërsa vëllai i tij vdiq nga pneumonia në moshën 30-vjeçare.
Në vitin 1879, Munch u rregjistrua në një shkollë te mesme teknike për të studiuar inxhinieri, por u largua vetëm një vit më vonë, kur ndjeu se pasioni i tij për artin ishte shumë më i madh. Në vitin 1881, nisi studimet në Shkollën Mbretërore të Artit dhe Dizajnit. Vitin që pasoi bashkë me 6 artistë të tjerë, çeli ekspozitën e tij të parë.
Pas 3 vitesh studimi, Munch fitoi një bursë dhe udhëtoi për në Paris, Francë, ku qëndroi tre javë. Pas kthimit në Oslo, filloi të punonte piktura të reja, njëra prej të cilave ishte “Fëmija i sëmurë”, që do të përfundonte më 1886. Ajo qe edhe vepra e parë që prezantonte në mënyrë simbolike ndjenjat e tij rreth vdekjes së motrës, gati 9 vjet më parë.
Në vitet 1889-1892, Munch jetoi jetonte kryesisht në Francë, i financuar nga bursa shtetërore – duke hyrë në periudhën më produktive, por edhe më të trazuarën e jetës së tij artistike. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, realizoi një seri tabllosh të famshme, që i përmblodhi në plot 22 vepra për një ekspozitë që hapi në Berlin më 1902-shin.
Me pikturat, që mbanin tituj të tillë si “Dëshpërimi” (1892), “Melankolia” (1892-1893), “Ankthi” (1894), “Xhelozia” (1894-1895) dhe “Britma” (1893) – që do të bëhej një nga pikturat më të famshme të prodhuara ndonjëherë – gjendja mendore e Munch ishte në shfaqje të plotë dhe stili i tij ndryshonte shumë, varësisht nga emocioni që e kapte kohë pas kohe.
Por suksesi nuk ishte i mjaftueshëm për të zbutur demonët e brendshëm të Munch për një kohë të gjatë, dhe duke filluar nga viti 1900, pirja e alkoolit filloi ta nxirrte nga binarët. Në vitin 1908, filloi të dëgjonte zëra, dhe u paralizua në njërën anë të trupit. Pasi u shtrua për disa kohë në një sanatorium, në pranverën e vitit 1909 mundi të rehabilitohej dhe t’i rrikthehej punës, por siç do të tregonte historia, shumica e veprave të tij më të mëdha ishin realizuar tashmë.
23 Janar 1973 – Richard Nixon shpall marrëveshjen e paqes me Vietnamin
Presidenti i SHBA, shfaqet në televizionin kombëtar, për të njoftuar arritjen e një “paqeje me nder” në Vietnam. Deklaratat e lëshuara njëkohësisht në Uashington dhe Hanoi, konfirmuan se marrëveshja e paqes mes SHBA-së dhe Vietnamit të Veriut, u nënshkrua në Paris në 12.30 me orën lokale, duke i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës.
Armëpushimi, do të fillonte mesnatën e të shtunës më 27 janar, i monitoruar nga një forcë ndërkombëtare, e përbërë nga trupa nga Kanadaja, Polonia, Hungaria dhe Indonezia. Kushtet e paqes, përfshinin lirimin e të burgosurve të luftës brenda 60 ditëve, dhe tërheqjen e të gjitha trupave amerikane po brenda dy muajsh.
23 Janar 1920 – Hollanda refuzon të ekstradojë Kajzerin gjerman Vilhelmin II tek aleatët
Në janarin e vitit 1920, perandori gjerman kryesonte listën e të ashtuquajturve kriminelë të luftës, të përpiluar nga aleatët, dhe bërë publike pas nënshkrimit të Traktatit të Versajës. Hollanda, nën drejtimin e mbreterëshes së re energjike Vilhelmina, nuk pranoi ta ekstradonte atë për ndjekje penale, ndaj Vilhelmi II mbeti në Hollandë, dhe u vendos të banonte në komunën Doorn.
Ai u godit nga një tragjedi e rëndë familjare kur djali i tij, Joakimi, kreu vetëvrasje më vonë gjatë atij viti. Ndërkohë edhe Augusta, bashkëshortja e tij dhe nëna e 7 fëmijëve të tij, vdiq pak më shumë se një viti më vonë. Më 1922-in, Vilhelmi u rimartua dhe publikoi kujtimet e tij, duke shpallur pafajësinë e tij në promovimin e Luftës së Parë Botërore.
23 Janar 1556 – Tërmeti më vdekjeprurës në histori godet Kinën
Një tërmet i forte, godet rajonin e Shaanxi në Kinë, duke shkaktuar vdekjen e rreth 830.000 njerëzve. Numërimi i viktimave ishte shpesh i pasaktë pas fatkeqësive të tilla në shkallë të gjerë, sidomos para shekullit XX-të, por ajo katastrofë cilësohet ende si më vdekjeprurësja e gjitha kohërave.
Tërmeti goditi fillimisht në orët e vona të mbrëmjes, me tronditje të vazhdueshme deri mëngjesin e ardhshëm. Më vonë, hulumtimet shkencore zbuluan se magnituda e tërmetit ishte afërsisht 8.0-8.3 ballë i shkallës Rihter. Ai ndodhi në mesin e një zone tejet të populluar, dhe me ndërtesa dhe shtëpi të ndërtuara keq, çka edhe shkaktoi numrin e madh të viktimave. Në disa vende, në tokë u krijuan të çara me një thellësi prej 20 metrash.
23 Janar 1579 – Bashkimi i Utrehtit formon një republikë protestante në Holandë.
23 Janar 1719 – Principata e Lihtenshtajnit, themelohet brenda Perandorisë së Shenjtë Romake.
23 Janar 1849 – Elizabeth Blackëell, diplomohet në Kolegjin Mjekësor të Nju Jorkut, duke u bërë mjekja e parë femër e Shteteve të Bashkuara.
23 Janar 1937 – Shtatëmbëdhjetë zyrtarë komunistë të nivelit të mesëm akuzohen në Bashkimin Sovjetik për simpati ndaj Leon Trockit, dhe për komplotim për të përmbysur regjimin e Stalinit.
23 Janar 1941 – Aviatori i famshëm Charles Lindbergh, që kapërceu i pari oqeanin Atlantik, dëshmon para Kongresit të SHBA-së, duke rekomanduar që Shtetet e Bashkuara të negociojnë një pakt të neutralitetit me Adolf Hitlerin.
23 Janar 1950 – Në Izrael, Knesset (parlamenti) vendos që Jeruzalemi të jetë kryeqyteti i vendit.
23 Janar 1960 – Batiskafi “USS Trieste” thyen një rekord në zhytje, duke zbritur në thellësinë 10.911 metra në Oqeanin Paqësor.
23 Janar 1997 – Madeleine Albright, bëhet gruaja e parë që shërben si Sekretare e Shtetit e Shteteve të Bashkuara.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce