23 Dhjetor 2013 – Vdes “babai” i armës automatike famëkeqe, Mikhail Kalashnikov
Mikhail Kalashnikov ishte një gjeneral dhe inxhinier ushtarak, i njohur kryesisht për krijimin e modelit të pushkëve të sulmit AK-47, ose Kallashnikov siç quhen më shpesh. Ndonëse vitet e fundit të jetës shprehu keqardhje dhe dhimbje për shpërndarjen e pakontrolluar të armëve, ai u mburr me shpikjet e tij dhe reputacionin e tyre ndërkombëtar, duke theksuar se Kallashnikovi i tij është një “armë mbrojtëse” dhe “jo sulmuese”.
Kalashnikov lindi në krahinë ruse të Kurjas, si fëmija i 17 nga 19 fëmijët e Aleksandra Kalashnikov, të cilët ishin fshatarë. Në 1930, familjes iu rrëmbye toka nga autoritetet shtetërore, dhe u deportuan në fshatin Tomsk Oblast. Në rininë e tij, Mikhail vuajti nga sëmundje të ndryshme, dhe ishte në prag të vdekjes në moshën 6-vjeçare.
Ndërkohë ishte i tërhequr nga të gjitha llojet e makinerive, por shkruante gjithashtu edhe poezi duke ëndërruar të bëhej shkrimtar. Botoi 6 libra, dhe vazhdoi të shkruante poezi gjatë gjithë jetës së tij. Prindërit e Kalashnikov ishin fshatarë, por pas dëbimit në Tomsk Oblast, u detyruan të kombinonin bujqësinë me gjuetinë, ndaj Mikhail filloi të përdorte gjithnjë e më shpesh pushkën e babait të tij në adoleshencë.
Në vitin 1938, rekrutohet në Ushtrinë e Kuqe, por për shkak të shtatit të shkurtër dhe aftësive inxhinierike u caktua si mekanik tankesh, dhe më vonë u bë një komandant tankesh. Gjatë trajnimeve ai bëri shpikjet e tij të para, që kishin të bënin jo vetëm me tanket, por edhe me armët e vogla.
Plagoset në luftime në Betejën e Brianskut në tetorin e vitit 1941, dhe qëndron në spital deri në prillin e vitit 1942. Në spital, ai dëgjoi disa ushtarë të ankoheshin për pushkën sovjetike, dhe aty i lindi ideja të krijonte një pushkë të re e cila më vonë u bë AK47 (Avtomat Kalashnikova 1947). Në vitin 1949, AK-47 u bë arma standarde e trupave sovjetike të këmbësorisë.
Deri në vitin 2009, ishin prodhuar përafërsisht mbi 100 milionë kallashnikovë, ndërsa rreth gjysma e tyre janë të falsifikuar. Arma u bë e famshme për shkak të besueshmërisë së saj në kushtet klimatike më ekstreme, duke funksionuar në mënyrë të përkryer në shkretëtirën e nxehtë ashtu si edhe në tundrën e acartë.
Ajo është në përdorim zyrtar nga ushtritë e 55 vendeve, dhe ka qenë kaq shumë ndikues në luftën e disa vendeve, që e kanë vendosur edhe në flamurin e tyre si Mozambiku, lëvizja Hezbollah etj.
Pas një sëmundje të gjatë, Kalashnikov vdiq më 23 dhjetor 2013, në moshën 94 vjeçare. Në janarin e vitit 2014 u botua një letër e tij e shkruar 6 muaj para vdekjes së tij nga drejtuesi i kishës ortodokse ruse, Patriarku Kiril, dhe e përditshmja “Izvestia”.
Në atë letër ai deklaroi se po “vuante shpirtërisht” në lidhje me atë nëse ishte përgjegjës për vdekjet e shkaktuara nga armët që krijoi. “Unë vazhdoj të bëj të njëjtën pyetje pa përgjigje, nëse pushka ime u ka marrë jetën shumë njerëzve. A mundet që unë… një i krishterë dhe një besimtar ortodoks, të fajësohem për vdekjet e tyre?”.
Patriarku e falenderoi Kalashnikov, dhe tha se ai “ishte një shembull i patriotizmit, duke patur një qëndrim korrekt ndaj vendit”. Në lidhje me përgjegjësinë e projektimit të armës vdekjeprurëse, “kisha ka një pozicion të qartë:kur arma përdoret në mbrojtje të atdheut, Kisha mbështet krijuesit e saj, dhe ushtrinë që e përdor atë”.
23 Dhjetor 1979- Bashkimi Sovjetik nis pushtimin e Afganistanit
Lufta sovjeto-afgane zgjati mbi 9 vjet, nga dhjetori 1979 deri në shkurtin e vitit 1989. Grupimet kryesore rebele të njohur si muxhahidinë, si dhe grupet më të vogla maoiste, zhvilluan një luftë guerrilase kundër Ushtrisë Sovjetike dhe Qeverisë së Republikës Demokratike të Afganistanit, kryesisht në zonat rurale. Në këtë konflikt u vranë nga 562.000 – 2.000.000 civilë, ndërsa miliona afganë të tjerë u larguan nga vendi, kryesisht në Pakistan dhe Iran.
Para ardhjes së trupave sovjetike, Partia Komuniste e Afganistanit mori pushtetin me anë të një grushti shteti në vitin 1978, duke vendosur Nur Mohammad Taraki si president. Partia nisi një seri reformash rrënjësore radikale në të gjithë vendin, të cilat qenë thellësisht jopopullore, veçanërisht në mesin e popullsisë tradicionale rurale, si dhe strukturave fisnore.
Qeveria shtypi me forcë çdo protestë, arrestoi mijëra vetë, ndërsa ekzekutoi deri në 27.000 të burgosur politikë, ndërsa urdhëroi masakra kundër civilëve të paarmatosur. Shpejt u formuan grupe të armatosura kundër qeverisë, dhe nga prilli i vitit 1979 pjesë të mëdha të vendit ishin në një rebelim të hapur.
Vetë qeveria ishte shumë e paqëndrueshme, me një rivalitet të egër brenda partisë, dhe në shtatorin e vitit 1979 Taraki u vra me urdhër të rivalit të tij dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hafizullah Amin.
Përkeqësimi i marrëdhënieve dhe përshkallëzimi i rebelimit, çuan qeverinë sovjetike, nën udhëheqjen e Leonid Brezhnevit, që të vendoste të ndërhynte ushtarakisht. Pasi arritën në kryeqytetin Kabul, ata organizuan një grusht shteti, vranë presidentin Amin, dhe vendosën sërish në krye një besnik të rregjimit në Moskë, Babrak Karmal.
23 Dhjetor 1876 – Në Stamboll mbahet Konferenca e Fuqive të Mëdha mbi Ballkanin
Britania, Rusia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia u mblodhën në Stamboll, në datat 23 dhjetor 1876 deri më 20 janar 1877, për të diskutuar mbi zhvillimet në Ballkan që preknin kryesisht territoret e pushtuara nga osmanët dhe austro-hungarezët.
Pas fillimit të kryengritjes në Bonjë Hercegovinë në vitin 1875, Fuqitë e Mëdha ranë dakord mbi një projekt për reforma politike si në Bosnjë, ashtu edhe në territoret osmane me shumicë bullgare. Konferenca parashikoi krijimin e një krahine autonome, që përfshinte Bosnjën dhe pjesën më të madhe të Hercegovinës, ndërsa pjesa jugore iu dha Principatës së Malit të Zi.
Fuqitë e Mëdha ranë dakord për një autonomi të konsiderueshme bullgare, që do të merrte formën e dy provincave të reja osmane të themeluara për këtë qëllim:atë lindore, me kryeqytet Tarnovën dhe perëndimore me kryeqytet Sofjen.
Vendimet e dakordësuara të gjashtë Fuqive të Mëdha, iu dorëzuan formalisht qeverisë osmane më 23 dhjetor 1876, duke hedhur poshtë sugjerimet e kësaj të fundit, se misioni i Konferencës ishte zhvlerësuar nga një Kushtetutë e re Osmane e miratuar në të njëjtën ditë nga Sulltani Abdul Hamid II.
23 Dhjetor 1948 – Në Tokio të Japonisë, ish-kryeministri japonez, Hideki Tojo, dhe shefi i ushtrisë Kuantung, ekzekutohet më vdekje së bashku me gjashtë udhëheqës të tjerë të lartë japonezë, për krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shtatë nga të pandehurit u gjetën gjithashtu fajtorë për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, veçanërisht në lidhje me gjenocidin sistematik ndaj popullit kinez.
23 Dhjetor 1954 – Mjekët J. Hartwell Harrison dhe Joseph Murray, kryejnë transplantin e parë të suksesshëm të veshkave.
23 Dhjetor 1968 – 82 marinarë amerikanë lirohen pas 11 muajsh burgimi në Korenë e Veriut.
23 Dhjetor 1972 – Një tërmet me magnitudë 6.5 godet kryeqytetin e Nikaraguas, Managua, duke vrarë më shumë se 10 mijë njerëz.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce