22 Nëntor 1963- Vritet presidenti amerikan John F. Kennedy
Kennedy ishte duke vizituar Dallasi n, kur rreth orës 12:30 të mesditës u qëllua për vdekje, teksa po udhëtonte në një makinë presidenciale të hapur, së bashku me bashkëshorten Jacqueline, guvernatorin e Teksasit John Connally dhe bashkëshorten e këtij të fundit, Nellie. Si autor i dyshuar i ngjarjes u shpall Lee Harvey Oswald.
Një hetim 10- mujor nga Komisioni Warren, arriti në përfundimin se Osëald kishte vepruar i vetëm, ndërsa në një akt që mbetet ende sot një mister, mafiozi Jack Ruby e vrau Oswald përpara se ky i fundit të mund të dilta para gjyqit. Por në kundërshtim me konkluzionet e Komisionit Warren, Komiteti i Kongresit amerikan për Vrasjet (HSCA), arriti në vitin 1979 në përfundimin se Kennedy “ndoshta ishte vrarë si pasojë e një komploti”.
HSCA pranoi përfundimet e Komisionit Warren, se plagët vdekjeprurëse të Kennedy ishin shkaktuar nga tri goditjet me snajper të Oswald, por ata gjithashtu përcaktuan ekzistencën e një arme zjarri shtesë, bazuar në analizën e një regjistrimi audio, dhe për këtë arsye ekzistencën e një “mundësi të madhe që dy persona të armatosur, të kenë qëlluar atë ditë mbi presidentin”.
Vetë komiteti, nuk ishte në gjendje të identifikonte asnjë individ ose grupim të përfshirë me komplotin e mundshëm. Por HSCA zbuloi se hetimet origjinale federale kishin “të meta serioze”, në lidhje me shkëmbimin e informacionit dhe mundësinë e komplotit.
Bazuar tek raportet hetimore, ata përcaktuan se “të dhënat e besueshme akustike, nuk mbështesin një përfundim se ka pasur një person të dytë të armatosur”, Departamenti i Drejtësisë përfundoi hetimet aktive, dhe deklaroi “nuk është e mundur të identifikohet asnjë dëshmi bindëse, për të mbështetur teorinë e ekzistencës së një komploti në… vrasjen e Presidentit Kennedy”. Megjithatë, vrasja e Kenedit është ende subjekt i një debati të gjerë, duke prodhuar teori të shumta konspiracioni dhe skenare alternative. Një sondazh i realizuar vitin 2013, tregonte se 60 përqind e amerikanëve, besojnë se një grup komplotuesish kanë qenë përgjegjës për vrasjen e bujshme.
22 Nëntor 2005- Angela Merkel merr zytarisht detyrën si kancelarja e parë grua në historinë e Gjermanisë
Në dallim nga zgjedhjet e këtij viti, zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2005 patën një rezultat teje të ngushtë mes dy partive kryesore. Blloku CDU-CSU fitoi 35.2 përqind të votave, ndërsa SPD-ja që kishte qeverisur vendin 8 vitet e fundit, renditej e dyta me vetëm 1 përqind më pak. Të dyja palët kërkuan aleatë në një përpjekje për të formuar një koalicion qeverisës, por disa negociatat disa-mujore rezutuan të pafrytshme.
Përfundimisht, CDU-CSU dhe SPD, vendosën të krijojnë një qeveri të “koalicionit të madh” me Merkelin në krye. Më 22 nëntor, kjo e fundit mori zytrarisht detyrën si kancelare, duke u bërë gruaja e pare kancelare në Gjermani, por dhe politikania më e re, 51-vjeç, që mbante deri në atë moment këtë post.
Angela Merkel lindi më 17 korrik 1954 në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore. Babai i saj ishte një student i teologjisë, ndërsa e ema mësuese e gjuhës latine dhe angleze. Pas përfundimit të arsimimit, babai i saj u angazhua si një pastor në një Kishë në lindje, ndaj dhe familja u zhvendos në Gjermaninë Lindore vetëm disa javë pas lindjes së Merkelit.
Merkel studoi për fizikë në Universitetin Karl Marks (sot Universiteti i Lajpcigut). Ajo u njoh aty me bashkëshortin e parë Ulrich Merkel, dhe të dy u martuan në vitin 1977. Pas diplomimit, ajo punoi si anëtare e fakultetit akademik në Institutin Qëndror të Kimisë Fizike të Akademisë së Shkencave në Berlinin Lindor. Ajo mori gradën doctor për tezën e saj në kiminë kuantike në vitin 1986.
Merkel ishte aktive në rini me organizatat e shumta të ngritura nga rregimi komunist, sikurse ishte Rinia e Lirë Gjermane (nga 1968), çka më vonë i dha shkas disa ish-kolegëve të institutit ta akuzonin se kishte qenë aktive si sekretare për agjitacionin dhe propagandën. Merkeli nga ana e saj, tha se ishte përgjegjëse vetëm për kulturën, ajo nuk aplikoi asnjëherë për të qenë anëtare e Partisë Komuniste, dhe refuzoi të bëhej spiune e STASI-t.
Pas rënies së Murit të Berlinit më 1989, Merkel u bashkua me partinë Rizgjimi Demokratik. Edhe pse fitoi vetëm 0.9 përqind të votive, kjo e fundit u bë pjesë e qeverisë, dhe Merkel u bë zv. zëdhënëse e qeverisë së Lothar de Maizière nga CDU. Ajo iu bashkua kësaj të fundit në gushtin e vitit 1990.
Në zgjedhjet e para pas ribashkimit të vendit në dhjetor të vitit 1990, Merkel fitoi një vend në Bundestag, ndërsa emërohet ministre për Gratë dhe të Rinjtë nga kancelari Helmut Kohl në janarin e vitit 1991. Ajo bëhet në shtator të atij vitit zv.kryetare e CDU-së, pasi Maiziere dha dorëheqjen, për shkak të akuzave se kishte bashkëpunuar me STASI-in. Pas zgjedhjeve të vitit 1994, merr postin e ministres së Mjedisit.
Kur në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998, CDU rrëzohet nga pushteti nga Gerhard Schröder dhe Partia Social Demokratike (SPD). Merkel u zgjodh sekretare e përgjithshëm e CDU-së më 7 nëntor. Një vi më vonë një skandal financiar goditi partinë, dhe Helmut Kohl u akuzua për pranimin dhe përdorimin e kontributeve të paligjshme financiare në fushatë.
Ai tha dorëheqjen dhe caktoi Merkel si udhëheqësen e përkohshme të CDU, ndërsa më 10 prill 2000, ajo u zgjodh zytarisht drejtuese e partisë. Për shkak të suksesit të reformave, Merkel rizgjidhet për një mandate të dytë në vitin 2009, që u karakterizua kryesisht nga roli i saj personal në përgjigjen ndaj krizës së borxhit të eurozonës.
Ajo mbështeti masat shtrënguese, si një rrugë për rimëkëmbjen e ekonomive të dëmtuara të Evropës. Stili i qeverisë së Merkelit është karakterizuar nga pragmatizmi, edhe pse kritikët e kanë kritikuar qasjen e saj, si mungesë të një qëndrimi të qartë ideologjik. Ajo ka dëshmuar vullnetin e saj për të miratuar qëndrimet e kundërshtarëve të saj politikë, nëse ato dëshmohen se janë të ndjeshme dhe popullore.
22 Nëntor 1990- Jep dorëheqjen kryeministrja britanike Margaret Thatcher
Kryeministrja e parë grua në Evropë, dhe më jetëgjata në detyrë në Britani që nga vitit 1827, ka mbetur në histori si simboli i polikanes energjike, që nuk pranoi asnjë kompromis në kurriz të bindjeve të saj politike konservatore. Gjatë qeverisjes së saj 11-vjeçare, ajo përkrahu pavarësinë më të madhe të individit nga shteti; duke ndërmarrë privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe shitjen e banesave publike; reduktimin e shpenzimeve për shërbimet sociale si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe strehimi; si dhe kufizime ligjore në aktivitetin e sindikatave. Pavarësisht reagimeve të forta popullore ndaj këtyre masave, ajo arriti të fitojë 3 mandate rradhazi, edhe pse u largua një vit para mbylljes së mandatit të tretë, për shkak të humbjes së mbështetjes në rradhët e partisë së saj.
22 Nëntor 1307 – Papa Klementi V publikon “Pastoralis Praeeminentiae”, duke udhëzuar monarkët e krishterë në Evropë të arrestojnë të gjithë kalorësit templarë, dhe të sekuestrojnë pasuritë e tyre.
22 Nëntor 1940 – Pas pushtimit fillestar italian, trupat greke kundërsulmojnë duke depërtuar në Shqipërinë e pushtuar nga Italia, dhe hynë në qytetin e Korçës.
22 Nëntor 1943 – Presidenti i SHBA Franklin D.Roosevelt, Kryeministri britanik Ëinston Churchill dhe udhëheqësi kinez Chiang Kai-Shek, takohen në Kajro të Egjiptit, për të diskutuar mbi rrugën e mposhtjes së Japonisë.
22 Nëntor 1974 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, i jep statusin e vëzhgueses Organizatës për Çlirimin e Palestinës.
22 Nëntor 2012 – Në Rripin e Gazës, nis armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit, pas 8 ditëve dhunë dhe përleshje me armë, që shkaktuan vdekjen e 150 personave.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce