14 Dhjetor 1799 – Vdes, George Washington, një nga liderët e revolucionit për pavarësinë e SHBA-së, dhe presidenti i parë i saj
George Washington, ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare, si pasojë e një laringiti akut në fermën e tij të madhe në Virxhinia. Ai lindi në një familje fermere në kontenë Uestmorland të Virxhinias. Përvoja e tij e parë e drejtpërdrejtë ushtarake, ishte si nënkolonel në milicinë koloniale të Virxhinias në vitin 1754, kur udhëhoqi një ekspeditë të vogël kundër francezëve në luginën e lumit Ohajo, në emër të guvernatorit të Virxhinias.
Dy vjet më vonë, Washington merr komandën e mbrojtjes së kufirit perëndimor të Virxhinias, gjatë luftërave me francezët dhe indianët. Pasi luftimet u zhvendosën diku tjetër, ai dha dorëheqjen nga posti i tij ushtarak, iu rrikthye jetës së bujkut, dhe u zgjodh anëtar në asamblesë lokale të Virxhinias.
Gjatë 2 dekadave të ardhshme, Washingtoni kundërshtoi haptazi taksimin në rritje nga ana e Britanisë, dhe represionin ndaj kolonive amerikane. Pas shpërthimit të Revolucionit Amerikan në vitin 1775, Washington emërohet si komandant i përgjithshëm i ushtrisë së sapofromuar kontinentale.
Pavarësisht një ushtrie të papërvojë dhe të pajisur keq, gjenerali Ëashingtoni udhëhoqi një luftë efektive kryesisht guerrilase kundër forcave britanike në SHBA, duke inkurajuar ndërhyrjen e francezëve në këtë konflikt, në krahun e kolonistëve. Më 19 tetor 1781, me dorëzimin e ushtrisë britanike në Jorktaun të Virxhinias, Washington kishte mundur një nga kombet më të fuqishme të botës.
Pas luftës, Ai u tërhoq sërish në fermën tij në Mount Vernon, por në vitin 1787 dëgjoi thirrjen e kombit të tij, dhe u rrikthye në politikë për të kryesuar Konventën Kushtetuese në Filadelfia të Pensilvanisë. Hartuesit themeluan postin e presidentit, duke patur atë në mendje, dhe në shkurtin e vitit 1789, Washington zgjidhet unanimisht si presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara.
Në atë detyrë, ai u përpoq të bashkonte kombin dhe të mbronte interesat e republikës së re, brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 1792, rizgjidhet unanimisht për një mandat tjetër, por 4 vjet më vonë refuzoi një mandat të tretë.
14 Dhjetor 1911 – Eksploratori norvegjez Amundsen arrin në Polin e Jugut
Roald Amundsen, bëhet eksploratori i parë që mbërrin në Polin e Jugut, duke mposhtur rivalin e tij britanik, Robert Falcon Scott. Amundsen, i lindur në Borge, pranë Oslos, në vitin 1872, ka qenë një nga figurat më të mëdha të eksplorimit polar. Në vitin 1897, ai kryesoi një ekspeditë belge në Arktik, ndërsa në vitin 1903, drejtoi një anije akullthyese drejt brigjeve veriore të Kanadasë.
Amundsen planifikoi të ishte njeriu i parë që mbërrinte në Polin e Veriut, dhe qe gati të nisej në vitin 1909, kur mësoi se amerikani Robert Peary ia kishte dalë mbanë para tij. Në këto kushte, Amundsen nisi përgatitjet për të shkuar në Polin e Jugut, që gjendet në kontinentin e ngrirë të Antarktidës, kur të njëjtin synim kishte edhe eksploruesi anglez Robert F. Scott.
Në fillim të vitit 1911, Amundsen lundroi me anijen e tij në Gjirin e Balenave në Antarktidë, dhe e ngriti kampin bazë 95 km më pranë polit sesa Scott. Në tetor, të dy eksploratorët nisën garën dhe më 14 dhjetor, ekspedita e Amundsen mbërriti e para në Polin e Jugut, dhe u rrikthye e sigurtë në kampin bazë në fund të janarit.
Ekspedita e Scott ishte më pak fatlume. Slitat e tij motorike u prishën, kuajt e vegjël siberianë ngordhën rrugës, dhe slitat me qen u rrikthyen pas, ndërsa Scott dhe 4 nga bashkëpunëtorët e tij vazhduan rrugën më këmbë. Më 18 janar 1912, ata arritën në Polin e Jugut, vetëm për të zbuluar se Amundsen kishte shkelur i pari më shumë se një muaj më parë.
Moti në udhëtimin e kthimit ishte jashtëzakonisht i keq – dy nga pjesëtarët e grupit vdiqën brenda pak ditësh, ndërsa një stuhi tjetër dëbore bllokoi Scott dhe dy të mbijetuarit e tjerë në çadrën e tyre, vetëm 17 kilometra larg kampit bazë. Trupi i ngrirë i Scott u gjet më vonë atë vit. Ndërkohë Amundsen humbi jetën në vitin 1928, gjatë përpjekjes për të shpëtuar një eksplorues tjetër, që kishte rënë me avionin e tij në det pranë Spitsbergenit në Norvegji.
14 Dhjetor 1784- Mozart bëhet anëtar i një llozhe masonike
Kompozitori i njohur austriak u pranua si një nxënës në llozhën masonike vjeneze të quajtur “Zur Wohltwtigkeit” (“Bamirësia”). Ai u gradua mjeshtër mason më 7 janar 1785. Masoneria, luajti një rol të rëndësishëm në pjesën e mbetur të jetës së Mozartit. Ai mori pjesë në shumë takime, një numër i madh miqsh të tij ishin masonë, dhe në raste të ndryshme kompozoi muzikë masonike. Gjatë vizitës së tij në Vjenë në vitin 1785, edhe babai i Mozartit, Leopoldi, u bë Mason.
14 Dhjetor 1980 – CIA shpreh shqetësimin e shitjen e armëve sovjetike në vendet e Botës së Tretë
Një raport i CIA-s, pohon se Bashkimi Sovjetik kishte dhënë rreth 7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për vendet e Botës së Tretë në vitin 1979, dhe kishte fituar 8 miliardë dollarë të tjera nga shitja e armëve gjatë atij viti. Studimi vinte gjithashtu në dukje, se Moska kishte rreth 51.000 këshilltarë ushtarakë në vendet e Botës së Tretë. Raporti tregonte se shitja e armëve, kishte rritur paqëndrueshmërinë dhe shanset për konflikte ushtarake, çka u vërtetua me dhjetëra luftërat civile që u zhvilluan deri në fillimin e viteve 1990, kryesisht në vendet afrikane.
14 Dhjetor 1287 – Muret në formën e digave detare në Holandë shemben, deti mësyn në tokë, shkaktuar vdekjen e mbi 50.000 njerëzve.
14 Dhjetor 1903 – Vëllezërit Wright bëjnë përpjekjen e tyre të parë për të fluturuar me avionin e tyre ”Flyer Flyer” në Kitty Hawk, Karolina e Veriut.
14 Dhjetor 1955 – Shqipëria, Austria, Bullgaria, Kamboxhia, Sri-Lanka, Finlanda, Hungaria, Irlanda, Italia, Jordania, Laosi, Libia, Nepali, Portugalia, Rumania dhe Spanja, bëhen anëtare të Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet Rezolutës nr.109 të Këshillit të Sigurimit.
14 Dhjetor 1995 – Udhëheqësit e Republikës Federale të Jugosllavisë, Kroacisë dhe Bosnjës, nënshkruajnë në Paris, Marrëveshjen e Dejtonit, që i dha zyrtarisht fund luftës në Bosnjë.
14 Dhjetor 2008 – Gazetari irakian, Muntadhar Al-Zaidi, gjuan me këpucë në drejim të presidentit amerikan Xhorxh W. Bush gjatë një konference për shtyp në Bagdad. Bush iu shmang të dyja goditjeve, ndërsa Al-Zaidi u arrestua në çast nga forcat e sigurisë.