1 Mars 1953 – Josif Stalin bie në koma, dhe vdes pas 4 ditësh
Më 1 mars 1953, stafi mjekesor e gjeti udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik Stalinit në një gjendje gjysmë të vetëdijshme në dhomën e gjumit, në daçën e tij në Volinskoje. Ai kishte pësuar një hemorragji cerebrale. Stalini u vendos menjëherë mbi shtrat, dhe qëndroi atje për 4 ditë.
Ai ushqej nga të tjerët me një lugë të vogël. I dhanë ilaçe, dhe i bënë injeksione të ndryshme. Dy fëmijët e tij, Svetlana dhe Vasili u thirrën në daça më 2 mars. Ky i fundit ishte tërësisht i dehur, dhe nisi t’i ulëriste i zemëruar mjekëve, çka e detyroi stafin e sigurisë ta dërgojë sërish në shtëpi.
Stalini vdiq më 5 mars. Sipas vajzës së tij Svetlana, ishte “një vdekje e vështirë dhe e tmerrshme”. Autopsia zbuloi se më vonë se përveç hemoragjisë cerebrale, dikatori sovjetik vuante nga dëmtime të rënda për shkak të aterosklerozës.
Megjithatë ka shumë hipoteza se Stalini u vra. Dhe për këtë dyshohej shefi i tij i policisë sekrete, Laventri Beria, që kishte projektuar të merrte vetëm pushtetin pas vdekjes së padronit të tij. Megjithatë nuk është shfaqur asnjëherë ndonjë dëshmi e fortë, për këtë pretendim, në një kohë që Beria u vra vetëm disa muaj më vonë, në zyrat e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste në Moskë.
Vdekja e Stalinit, u njoftua më 6 mars. Trupi i tij u balsamos, dhe më pas u vendos për homazhe në Selinë e Sindikatave për 3 ditë. Turmat ishin aq të mëdha, saqë në një rrëmujë humbën jetën rreth 100 njerëz. Stalini nuk la asnjë pasardhës të përcaktuar prej tij, dhe asnjë lloj kuadri brenda të cilit mund të ndodhte transferimi i pushtetit.
Komiteti Qëndror u mblodh që ditën e vdekjes së tij, me Malenkovin, Berian dhe Hrushovin, që u shfaqën si figurat kryesore të partisë. U rivendos sistemi i udhëheqjes kolektive, dhe u prezantuan masat për të parandaluar që një anëtar tjetër të mund të arrinte sërish një dominimin autokratik të partisë dhe vendit.
Menjëherë nisi ndërmarrja e shumë reformave në sistemin sovjetik. Ajo ekonomike shkurtoi projektet masive të ndërtimit, duke e vënë më tepër theksin tek ndërtimi i shtëpive për familjet e pastreha, ndëresa lehtësoi nivelet e tatimit mbi fshatarësinë për të stimuluar prodhimin.
Udhëheqësit e rinj kërkuan afrimin me Jugosllavinë, dhe një marrëdhënie më pak armiqësore me SHBA-në, duke arritur brenda atij viti një fund të negociuar të Luftës Koreane. Mjekët e burgosur u liruan, ndërsa u nderprenë spastrimet anti-semite. U miratua një amnisti masive për ata të burgosurit politikë, duke e përgjysmuar popullatën e burgjeve, ndërsa u krye reformimi i sigurisë dhe sistemit të Gulagëve, me ndalimin e torturës në prill të vitit 1953.
Vetëm pak ditë pas vdekjes së Stalinit, Malenkovi, e denoncoi i pari kultin e personalitetit që kishte ngritur për vete Stalini. Atë e pasoi edhe shtypi zyrtar. Qyteti i Stalingradit, u quajt Volgograd, ndërsa Svetlana ndryshoi mbiemrin e saj nga Stalin në mbiemrin e të ëmës Allilueva.
Në vitin 1956, Hrushovi denoncoi në Kongresin e XXII-të gabimet e shumta të Stalinit në drejtimin e vendit. Në tetor të vitit 1961, trupi i Stalinit u hoq nga mauzoleumi dhe u varros në nekropolin pranë pranë mureve të Kremlinit, me vendndodhjen e varrit që shënohej vetëm nga një bust i thjeshtë.
1 Mars 1978 – Vidhet në Zvicër kufoma e Charlie Chaplin
Më 2 mars 1978, Oona Chaplin, bashkëshortja e fundit e aktorit të mirënjohur britanik, mori një telefonatë nga policia lokale. Tre muaj më parë, burri i saj Charlie Chaplin, ylli i filmave pa zë, vdiq nga shkaqe natyrale në shtëpinë e tyre në Corsier-sur-Vevey, buzë Liqenit të Gjenevës në Zvicër. Ai ishte 88 vjeç. Oona, gruaja e tij e katërt, dhe tetë fëmijët e tyre e kishin varrosur në një varrezë jo shumë larg shtëpisë së tyre.
“Ata më thanë:Dikush e e ka nxjerrrë nga varri dhe e ka grabitur arkivolin e bashkëshortit tuaj!”- kujton ajo më vonë. Ky ishte fillimi i njërës prej “pengmarrjeve” më të çuditshme, por edhe më të pasuksesshme në histori. Hajdutët telefonuan shumë shpejt familjarët e të ndjerit, duke i bërë të ditura kushtet për rrikthimin e trupit të Chaplin.
Ata donin jo pak se 600 mijë dollarë për rikthimin e sigurtë të trupit të pajetë, ndërsa kërcënuan edhe jetën e fëmijëve të vegjël të çiftit, nëse kërkesat e tyre nuk do të përmbusheshin. Në maj të atij viti, duke pritur një tjetër telefonatë nga rrëmbyesit, policia i telefonoi Oona nga çdonjëra prej 200 kabinave telefonike të zonës, të monitoruar nga detektivët.
Këto përpjekje dhanë frytet e veta, dhe 2 refugjatë politikë me profesion mekanik, nga Evropa Lindore, Roman Vardas dhe Gancko Ganev, më në fund u kapën. Pas marrjes në pyetje, ata pohuan se e kishin rivarrosur përkohësisht Chaplinin në një fushë me miser, 2 km larg shtëpisë së tij.
Ata dolën para gjyqit për përdhosje varresh, dhe tentativë për grabitje. Vardas, i cilësuar si organizator i aktit u dënua me 4 vjet burg, ndërsa Ganev mori një dënim me kusht prej 18 muajsh. Ndërkohë familja Chaplin, zgjodhi ndërtimin e një shtrese betoni mbi varrin e aktori, për të parandaluar çdo plaçkitje të ardhshme
1 Mars 1562 – Gjashtëdhjetë e tre hygenotë masakrohen për vdekje në Ëassy, Francë, duke shënuar fillimin e luftërave fetare në vend.
1 Mars 1780 – Pensilvania, bëhet shteti i parë amerikan që anulon skllavërinë (vetëm për zezakët që lindën pas asaj date).
1 Mars 1941 – Trupat gjermane pushtojnë Bullgarinë; po atë ditë, Sofia i bashkohet fuqive të Boshtit (Gjermani – Itali – Japoni), dhe u shpall luftë aleatëve.
1 Mars 1941 – Heinrich Himmler, shefi i SS-ve nazistë, inspekton kampin famëkeq të përqëndrimit në Aushvic. Deri në fillim të vitit 1945, aty do të humbnin jetën mbi 1 milionë njerëz.
1 Mars 1946 –Qeveria britanike merr kontrollin e Bankës së Anglisë, që ishte private që nga krijimi i saj më 1694 nga skocezi Uilliam Paterson.
1 Mars 1954 – Katër nacionalistë portorikanë hapin zjarr në Kongresin e SHBA, duke plagosur 4 kongresmenë.
1 Mars 1961 – Presidenti amerikan Xhon Kenedi nënshkruan urdhrin ekzekutiv për krijimin e Korpusit Vullnetar të Paqes. Nga ai moment, dhe deri në vitin 2013, mbi 210 mijë amerikanë iu bashkuan Korpusit, dhe shërbyen në 139 vende të botës.
1 Mars 1991 – Në Irak fillojnë rebelimet kundër Sadam Huseinit, duke çuar në vdekjen e më shumë se 25.000 njerëzve, kryesisht civilë.
1 Mars 2003 – Gjykata Penale Ndërkombëtare mban seancën e saj inauguruese në Hagë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce