Shkrimtari Ismail Kadare është kandidati për çmimin Nobel në letërsi.
Lajmin e bën të ditur gazeta suedeze “Dagens Nyheter”, ku njofton për fillimin e sezonit të shpalljes së çmimeve për Nobel, ndërsa përmend se njëri ndër kandidatët për letërsi është edhe shkrimtari Ismail Kadare.
Sezoni i 201-ës hapet këtë të hënë me shpalljen e çmimit Nobel për mjekësi, ndjekur nga çmimi në fizikë ditën e martë dhe çmimi i kimisë ditën e mërkurën.
Çmimi i paqes do të jepet në datën 6 tetor, ndërsa data për çmimin në letërsi zbulohet disa ditë përpara, por si traditë, jepet të enjteve, pra ky çmim mund të jepet në datën 5 ose 12 tetor.
Akademia e Suedisë e mban të fshehtë listën e kandidatëve për çmimin në letërsi, ndërsa disa nga emra që po citohen në media ku mendohet se janë pjesë e kësaj liste janë: Don DeLillo i Amerikës, Margaret Atwood e Kanadasë, poeti i lindur në Siri, Adonis, romancieri japonez Haruki Murakami dhe shkrimtari nga Kenya, Ngugi Wa Thiong’o, Amos Oz i Izraelit dhe David Grossman, Claudio Magris i Italisë, Ismail Kadare i Shqipërisë dhe Michel Houellebecq i Francës.
Redaktori i kulturës në të përditshmen kryesore suedeze “Dagens Nyheter”, Bjorn Wiman parashikon se këtë vit fituesi do të jetë një romancier apo eseist mashkull me rrënjë në Evropë.
“Ajo çfarë ndodhi vjet ishte vërtet e pazakontë. Këtë vit mendoj se do të jetë një romancier apo eseist mashkull, me rrënjë në Europë. Mendoj se do të jetë krejt i kundërti i Bob Dylan,” shprehet Bjorn Wiman, ndërsa shton se Antonio Lobo Antunes i Portugalisë dhe Kadare i Shqipërisë kanë mundësi të mira për të fituar.
Këtë vit, secili Çmim Nobel vjen me një shpërblim prej nëntë milion koronash (1,1 milion dollarë ose 940,500 Euro) i cili mund të ndahet nëse zgjidhen disa laureatë për të njëjtën disiplinë.
Laureatët i marrin çmimet në banketet formale që mbahen në Stockholm dhe Oslo, në datën 10 dhjetor.