Shkrimtari Ismail Kadare ka marrë një qëndrim publik për ato që i quan denoncime politike të Fatos Lubonjës ndaj tij, në gjyqin e Todi Lubonjës. Përmes një letre drejtuar botuesit të gazetës “Mapo”, Kadare e cilëson sjelljen e Lubonjës të dënueshme dhe shprehet i shqetësuar për një lloj tolerance, që sipas shkrimtarit, është shfaqur ndaj akteve të tij. Më poshtë teksti ashtu siç publikohet sot, në “Mapo”
Përgjigje për zotin Henri Çili
Po ju përgjigjem për kërkesën tuaj drejtuar publikisht nëpërmjet shtypit, lidhur me një dosje hetimore zbuluar pjesërisht kohët e fundit, ku përmendet emri im. Ju shfaqni mendimin se do të ishte mirë që, i bazuar në ligjet e sotme, unë si shkrimtar, të kërkoja hapjen e kësaj dosjeje të fshehtë, për t’i dhënë mundësi shtypit shqiptar që, në kuadër të debatit për arkivat e fshehta, të mund të merrej me të.
Të vërtetat e mbuluara të jetës letrare janë pjesë përbërëse e atij terri të përgjithshëm, për të cilin tirania e rrëzuar komuniste ka bërë çmos që të mos sqarohet asnjëherë. Nisur nga kjo, kërkesa juaj jo vetëm nuk më bezdis, por ju jam mirënjohës për të. Zbulimi i së vërtetës për diktaturën komuniste është i domosdoshëm sot, madje i vonuar.
Shumë vite më parë kam qenë një ndër të parët që e kam kërkuar publikisht një gjë të tillë, jo për vete, jo vetëm për shkrimtarët, por për gjithkënd. Për fat të keq, kërkesa përveçse nuk është dëgjuar, ka shkaktuar nervozizëm të dukshëm. Sot, pas më shumë se një çerek shekulli, ky lloj nervozizmi, arsyet e të cilit mund të merren me mend, vazhdon.
Dosja për të cilën ju flisni, duke patur në thelb një ngjarje disi të rrallë, rastin e familjes Lubonja, at e bir, ku i biri ka bërë shkaktar të atin për “mendimet e gabuara”, që po e çonin drejt burgut, në një pamje të parë mund të duket si dramë brenda familjes, në të cilën e drejta për t’u përzier është vetvetiu e kufizuar. Ndërkaq në tekstin e hetuesisë, përveç dy personazheve, figuron një i tretë, shkrimtari I. Kadare, çka besoj se përbën edhe arsyen për të cilën më jeni drejtuar. Shkrimtari Kadare përmendet në një kontekst krejtësisht dëmtues për të. E zezë mbi të bardhë deklarohet prej Fatos Lubonjës se i ati, Todi Lubonja, ai që ka shkaktuar çoroditjen politike të të birit, ndikohej shumë nga ky shkrimtar.
Askush nuk mund të hiqet si naiv e të mos pranojë se jemi përpara një denoncimi të mirëfilltë politik, aq më tepër që ngjarja po ndodh në sfondin e zbulimit të “një grupi armiqësor në kulturë”.
Ajo që më është dukur më shqetësuese në këtë histori, është një farë tolerance ndaj denoncimit dhe denoncuesve, që vihet re kohët e fundit, në raste si ky. S’kam qenë dhe s’jam aq i painformuar sa të kem besuar se mund të rrezikohesha nga “denoncime” kaq të thjeshta si ky, në krahasim me llahtarët që më kanë parë sytë, siç ka qenë dosja Ziçishti e vitit e 1982, e njohur dhe e botuar tashmë, ku akuzohesha si komplotist kundër shtetit.
Nga ana tjetër, e kam ditur dhe përfytyruar ferrin e hetuesisë komuniste, dhe të dyja këto kushtëzime do të kishin mjaftuar plotësisht për të mos ia kujtuar kurrë Lubonjës, incidentin e dikurshëm. Ndërkaq më duhet të pohoj se ka diçka në këtë histori që as e harroj dhe as nuk e fal: qëndrimin e Lubonjës pas rënies së komunizmit. Në vend të një vrasje, sado të thjeshtë ndërgjegjeje, siç ndodh në raste të tilla, ky njeri tregoi një dashakeqësi të papërfytyrueshme, shoqëruar me akuza makabre ndaj meje
si shovinist shqiptaromadh, racist anti-serb (gjuha serbe – një jevgë përballë zonjës së rëndë shqipe) e të tjera si këto. Duke mos u mjaftuar me hapësirën shqiptare e duke abuzuar me statusin e tij si ish-i burgosur politik, ai u përpoq t’i shpërndante këto shpifje në shtypin botëror, për ta dëmtuar sa më fort shkrimtarin në sytë e gjithë botës.
Më lejoni që pa u zgjatur me këtë histori të shëmtuar, t’ju falenderoj edhe një herë për letrën tuaj. Ju bëj të ditur ndërkaq se unë e kam kërkuar që prej dy javësh hapjen e dosjes sime, pa vënë asnjë kusht e asnjë kufizim për asgjë.
Replika e Lubonjës
Gazetari dhe analisti, Fatos Lubonja, ka reaguar për “News 24” në lidhje me replikat mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe publicistit Henri Çili.
Ky i fundit i është drejtuar Kadaresë me një letër, ku i kërkon që të hapë dosjen e tij gjatë regjimit komunist dhe, sidomos, gjyqin ndaj Todi Lubonjës dhe Fatos Lubonjës.
Në përgjigje të letrës së Çilit, Kadare shkruante se Lubonja vetë e kishte pranuar në gjyqin ndaj të atit, se Todi Lubonja ishte influencuar prej Kadaresë për t’u bërë armik i regjimit.
Mirëpo, Fatos Lubonja e ka hedhur poshtë këtë version. Ai ka thënë sot se Kadare ka transformuar gjithçka dhe kërkon të paraqesë një njeri tjetër nga ai çfarë ka qenë në ato vite.
“Përgjigjja ime është kjo: e para është një keqardhje e madhe se si vazhdon kultura e manipulimit në Shqipëri, e simulimit të heronjve dhe që Kadareja në rrjedhën e tij për të transformuar jetën e tij, për të krijuar një Kadare tjetër, një Kadare falso, siç e quaj unë, punon vazhdimisht me këtë formë manipulimi dhe marrim vetëm atë fletën e tij që kishte shkruar, kjo ideja që unë paskam thënë se Kadareja është ai që paska influencuar Todi Lubonjën, e paska bërë ai armik Todi Lubonjën, që kërkon ta përhapë tani, është vetëm qesharake.
Sepse dhe po të kishte qenë kaq i rrezikshëm ky do ta kishte marrë e do ta kishte futur Enver Hoxha këtë të parin kryetarin e grupit.
Këtë as unë se kam thënë dhe as e vërtetë nuk është. Unë kam thënë thjesht që im atë kishte simpati për Kadarenë dhe Dritëro Agollin, sepse i konsideronte më me kurajë artistike në krahasim me të tjerët që vuanin nga skematizmi.
Ta kthesh këtë tani që Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami ishin kryetarë të grupit armiqësor është tallje me njerëzit, historinë… me njerëzit që e kanë jetuar atë kohë.
E dyta, lidhur me periudhën pas burgut pashë që thotë aty se unë paskam bërë akuza makabre (i quan) që ky është shovinist dhe ka thënë që gjuha serbe është një gjuhë jevg etj. etj., si këto siç i patë në letër.
Problemi është ky, unë përgjithësisht nuk e kam zakon as të shpif, as të sajoj, as të transformoj gjërat.
Unë nuk kam thënë shovinist, por kam thënë shqiptaromadh dhe në qoftë se këto janë makabre, këto makabritete i ka thënë Kadareja. Unë ju ftoj që thjesht të shkoni dhe të hapni gazetën “Drita”, të cilës i jam referuar unë dhe kjo është edhe në ditarin tim të burgut dhe kjo thënie është botuar edhe jashtë shtetit, ku ky i thotë këto fjalë: “Gjuha shqipe është si një zonjë, përpara së cilës gjuha serbe qëndron si një jevgë”. Në qoftë se kjo është makabre, nuk e kam thënë unë por e ka thënë Kadareja.
Mjaftojnë këto dy fakte për të parë se si transformohet historian në këtë vend. Por mua nuk më vjen keq për Kadarenë se në fund fare Kadareja është dhe i vjetër tani dhe e pashë diku në një intervistë ku thotë në një takim me disa shqiptarë se Nënë Tereza i tha Bill Klinton bëj diçka për shqiptarët dhe ai bombardoi ndërkohë që, kur u bënë bombardimet e Kosovës ajo kishte vdekur. Mua më vjen keq për gazetarët që venë këto tituj, që hyjnë dhe janë pjesë e kulturës së manipulimit, që nuk kontrollojnë, ballafaqojnë nëse e ka thënë këtë vërtet ky kështu apo jo.
Çfarë ka thënë Lubonja? Sepse kjo është një gjellë që këta e nxorën përpara disa muajsh dhe sipas mendimit tim e rinxorën këtë gjellë, e ringrohën, i futën dhe disa erëza të tjera mbasi unë bëra një shkrim mbi narcizizmin malinj dhe kulturën perverse shqiptare dhe e nxorën tamam për të vërtetuar atë që them unë se si ne i shikojmë gjërat bardhë e zi në një shoqëri ku, ose je hero, ose je i keq dhe i zi, sipas interesit tim dhe ku gjithë historia në vend që të tregohet siç është që ne ta mësojmë historinë, manipulohet për çështje pushteti, personale apo pushteti grupi. Mjafton t’ju them vetëm dy gjëra për ta mbyllur këtë temë. Shikoni se cilët janë njerëzit me të cilët bashkëpunon Kadareja për të denoncuar Lubonjën.
Qemal Lame ka qenë kryetar i hetuesisë nga ’91-92’, është njeriu që ka fabrikuar të gjithë ato gjyqe të rreme që dhe me ligjet e kohës duhet të ishte futur në burg, dhe imagjinoni tani që ky njeri bashkëpunon me Kadarenë dhe sulmon Lubonjën që ishte gjithë kohës nëpër burgje. Po pse? Sepse kanë qenë të lidhur, sepse është ky njeri që kur futën në psikiatri atë djalin e famshëm Renato Rapi, që dashuronte të bijën, ky është ai njeri që e futi në psikiatri, e çoi në internim dhe tani çuditërisht vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe sulmojnë Lubonjën”, thotë Lubonja.
Më tej ai tregon se çfarë ndodhi në Hetuesi në gjyqin për të atin.
“Unë jam akuzuar, sepse më gjetën shkrime dhe një letër të babait tim kundër Enver Hoxhës dhe mua më është dashur të jap shpjegime për këtë letër të shkruar nga babai im kundër tij. Kjo është drama dhe Kadareja nuk hyn fare në atë histori. Kadareja do që të përdorë këtë histori për të sulmuar Fatos Lubonjën.
Në ato kushte nuk pretendoj që kam bërë heroin, por kam tentuar të ruaj tim atë dhe vetveten në shpjegimet që kam dhënë për këto fakte të gjetura nga sigurimi.
Në qoftë se është fjala për të hapur, këta duhet të flasin se kush ishin ata agjentë që bënë që të gjenden këto dokumente që na futën ne në burg dhe jo çfarë na nxorën ne me dhunë dhe përdhunë gjatë hetuesisë, sepse kjo është e rëndë, kjo është imoralja në këtë histori.
Duhet të akuzojnë Qemal Lamen që i futëm këta njerëz në hu atje dhe i përdhunuan njerëzit dhe jo njerëzit që u përdhunuan. Që këtu fillon problem i madh i shoqërisë shqiptare, është njësoj sikur t’i thuash njerëzve që u përdhunuan ‘Ore po pse i hape këmbët ti’…kjo është shumë e rëndë, ky është problem i madh i shoqërisë shqiptare”, thotë ai.