PAOK-ut i jepet masa e parë ndëshkuese për ngjarjet e ndodhura në minutat e fundit të sfidës me AEK-un, kur pronari i skuadrës Ivan Savidis hyri në fushën e lojës me armë në brez. Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Klubeve Europiane të futbollit (ECA) vendosi në mënyrë unanime që të pezullojë menjëherë klubin grek nga aktivitetet, vendim që u mor në bazë të statuteve të saj.
Ivan Savvidis, presidenti i PAOK-ut, befasoi mbarë opinioni publik kur zbriti në fushë me armë në brez dhe ka kërkuar të sqarohet me gjyqtarët e takimit për golin e anuluar. Ka pasur shumë reagime të ndryshme nga njerëz të futbollit për këtë veprim të manjatit rus, mes tyre nuk mund të mungonte dhe Ergys Kaçe.
Mesfushori i kombëtares shqiptare i ka dal në mbrojtje presidentit të klubit, i cili rrezikon deri në pesë vjet përjashtim nga aktivitetet sportive.
“Disa vite më parë, në periudhën më të vështirë të jetës sime, ti më mbështete si të ishe babai im. Prandaj edhe unë do të mbështes në të njëjtën mënyrë. Jemi të gjithë pas teje!” shkruan Ergysi në Instagram. 24-vjeçari shqiptar është i huazuar te skuadra e madhe e ligës elitare greke Panathinaikos.