Diktaturat janë shpesh të papritura. Ato kanë lindur shpesh në mesin e njerëzve të begatë, të arsimuar dhe të kulturuar, dhe që dukeshin të sigurt nga çfarëdolloj diktature – në Evropë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Merrni Gjermaninë, një nga rastet më paradoksale dhe më dramatike. Gjatë fundit shekullit XIX, ajo konsiderohej gjerësisht të kishte sistemin më të mirë arsimor në botë.
Nëse ndonjë sistem arsimor, mund të largonte njerëzit nga barbarizmi, me siguri Gjermania ishte e para në këtë drejtim. Ajo praktikonte arsimimin që në fëmijërinë e hershme. Shkollat e mesme, e vinin theksin tek trajnimi kulturor. Gjermanët zhvilluan gjithashtu universitetet moderne kërkimore.
Ata qenë veçanërisht të shquar për arritjet e tyre në shkencë – mendoni pak për Karl Benzin që shpiku automobilin me benzinë, Rudolf Dieselin, i cili motorin me djegie të brendshme, Heinrich Hertzin, që vërtetoi ekzistencën e valëve elektromagnetike, Wilhelm Conrad Röntgen-in që shpiku rrezet X, Friedrich August Kekulé-n, që zhvilloi teorinë e strukturës kimike, Paul Ehrlich që prodhoi trajtimin e parë mjekësor për sifilizin dhe natyrisht, fizikanin teorik Albert Einstein.
Nuk është çudi pse kaq shumë studiues amerikanë, shkuan në universitetet gjermane për t’u diplomuar gjatë shekullit XIX-të. Pas Luftës së Parë Botërore, regjistrimet në universitet gjerman u rritën. Në vitin 1931, ato arritën në 120.000, përkundrejt një maksimumi prej 73.000 të tilla para luftës. Qeveria jepte bursa të plota për studentët e aftë, por që ishin të varfër.
Ndërsa ka pasur një farë propagande gjermane anti-semite gjatë fundit të shekullit XIX-të, Gjermania nuk dukej se qe vendi më i mundshëm që ajo të lulëzonte. Në fund të fundit, Rusia, kishte pogromet- trazirat dhe persekutimi anti-hebre – për dekada të tëra. Regjimi Bolshevik rus ia dedikoi veten urrejtjes – urrejtjes së Karl Marksit për “borgjezinë”, të cilin e fajësoi për sëmundjet e shoqërisë.
Lenini dhe pasardhësi i tij Stalini e çoi këtë filozofi më tej, duke shfarosur të ashtuquajturit “të pasur”, ku në fund u përfshinë edhe fshatarët me një lopë. Pra, pse gjermanët me një arsimim kaq të mirë përqafuan një të çmendur si Adolf Hitleri? Përgjigja e shkurtër, është se politikat e këqija shkaktuan kriza ekonomike, ushtarake dhe politike – që blenë kohë për tiranët.
Rrethanat gjermane ndryshuan për keq, dhe kur njerëzit bëhen mjaftueshëm të zemëruar apo të dëshpëruar, ata mbështesin nganjëherë njerëz të krisur që në rrethana normale nuk do të tërhiqnin as ndonjë lloj turme. Ashtu si palët e tjera ndërluftuese, gjermanët hynë në Luftën e Parë Botërore me shpresën se do ta fitonin atë, dhe do të kompensonin kostot e tyre të luftës, duke i detyruar humbësit të paguajnë.
Qeveria gjermane e bëri popullin e saj të besojë se ishin duke fituar, kështu që të gjithë u shokuan kur doli e vërteta në shesh. Pastaj presidenti amerikan Woodrow Wilson, mbajti një fjalim që përshkruante “14 Pikat” e tij, duke i çuar gjermanët të prisnin negociatat e paqes. Por, britanikët dhe francezët – aleatët kryesorë të Amerikës – ishin të vendosur për t’u hakmarrë për humbjet e tyre, dhe gjermanëve iu imponuan kushte hakmarrëse.
Ata u ndjenë të tradhtuar dhe poshtëruar. Komandantët kryesorë ushtarakë gjermanë e kuptuan se cilido që do të nënshkruante armëpushimi do të ishte i urryer nga opinioni, prandaj ata dhanë dorëheqjen dhe lejuan një zyrtar civilë që të nënshkruante kapitullimin (ai më vonë u vra). Për rrjedhojë, republika e Vajmarit, demokracia e brishtë Gjermanisë, u diskreditua menjëherë.
Hitleri që në mesin e atyre që propaganduan kundër qeverisë së Vajmarit. Ai iu bashkua Partisë së Punëtorëve në shkurt të 1920-ës, e cila u bë Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve e Punëtorëve Gjermanë (NSDAP) – më vonë e njohur me termin shkurt Partia Naziste. Ajo ushqehej nga nacionalizmi, socializmi, antisemitizmi dhe anti-kapitalizmi.
Talenti kryesor i Hitlerit dukej se qe oratoria, ndaj ai filloi të mbante fjalime, duke iu drejtuar gjermanëve të hidhëruar dhe të zhgënjyer nga rezultati i luftës. Ai denoncoi hebrenjtë, kapitalistët dhe tradhtarët e tjerë, duke u zotuar të rindërtojë madhështinë gjermane.
Historiani Ian Kershaw vëren se “Pa një luftë të humbur, revolucion, dhe ndjenjën e përhapur të poshtërimit kombëtar, Hitleri do të kishte mbetur një askush”.
Pastaj erdhi kriza e inflacionit. Aleatët fitimtarë, i kërkuan Gjermanisë të paguajë reparacione të jashtëzakonshme të luftës, pa e vrarë me sa duket mendjen se ku do t’i gjenin paratë gjermanët.
Kufizimet mbi tregtinë, e bënë të vështirë që kompanitë gjermane të fitonin para nëpërmjet eksporteve. Tarifat evropiane në përgjithësi u trefishuan, dhe qenë më shumë që 800 për qind më të larta se sa nivelet e paraluftës.
Qeveria gjermane e hodhi poshtë marrëveshjen e reparacioneve. Të vendosur për të nxjerrë dëmshpërblime nga gjermanët, francezët dërguan në janar të vitit 1923 trupa ushtarake në Ruhr, ku ishte e vendosur pjesa më e madhe e industrisë gjermane.
Qeveria gjermane reagoi, duke subvencionuar ata që ndërmorën më vonë një rezistencë pasive ndaj francezëve. Për pasojë, deficitet buxhetore gjermane u rritën. Vetëm reparacionet do të mjaftonin për të shkaktuar një situatë të frikshme, por kishte ndërkohë probleme të mëdha me financimin e sistemit të mirëqenies sociale. Thuajse 90 për qind e shpenzimeve qeveritare shkonin për një burokraci të madhe, programe sociale, kompani shtetërore që dilnin me humbje, dhe subvencione të tjera.
Qeveria gjermane ofronte sigurim shëndetësor për miliona njerëz, mes tyre për 1.5 milionë veteranë lufte me aftësi të kufizuara. Banka Qendrore, filloi shtypjen e sasive të jashtëzakonshme të parave për të përballuar këtë barrë. Në kulmin e inflacionit në fund të vitit 1923, vetëm 1.3 për qind e shpenzimeve qeveritare mbuloheshin nga të ardhurat tatimore. Rezultati ishte se në më pak se 5 vjet, çmimet u rritën 100 miliardë-fish.
Hiperinflacioni i dëmtoi të gjithë në një shkallë apo tjetrën. Shumë depozita bankare u zhvleftësuan në asgjë. Historiani Gerald D. Feldman raportonte se bandat e minatorëve të papunë plaçkitnin fshatrat, për shkak se fermerët nuk pranonin të tregtonin produktet e tyre, në këmbim të disa copa letrash që nuk vlenin asgjë.
Hitleri mbante fjalime joshëse për ata që i quajti “miliarderë të uritur”, dhe që zotëronin miliarda para ne letër, por që s’mund të përballonin blerjen e një buke. Gjatë inflacionit, Hitleri rekrutoi gjithsej mbi 50.000 nazistë, dhe u bë një forcë politike e spikatur. Ekonomisti Constantino Bresciani-Turronie, e cilësoi Hitlerin si “fëmijën e ushqyer nga inflacioni”.
Sigurisht, ai u përpoq të organizonte një grusht shteti që dështoi (8 nëntor 1923), dhe pas të cilit u burgos. Por, ai i ruajti pasuesit e tij kryesorë, dhe shkroi kujtimet e tij helmatisëse “Mein Kampf”, e cila u bë Bibla naziste. Gjatë fundit të viteve 1920, ekonomia gjermane filloi të rimëkëmbet, ndërsa publiku kishte më pak interes për nazistët.
Në zgjedhjet e vitit 1928, këta të fundit morën vetëm 2.6 për qind të votave. Nëse do të kishin vazhduar kohët e mira, Hitleri mund të ishte harruar. Ai kishte nevojë për një krizë tjetër, për të pasur sukses në fitimin e pushtetit politik. Kriza erdhi pasi një sërë politikash të gabuara, të cilat shkaktuan jo pak pengesa për sipërmarrjen e lirë, dhe çuan në Depresionin e Madh.
Qeveria nxiti deflacionin. Ajo fiksoi çmimet mbi nivelin e pagave, çka i dekurajoi konsumatorët të blinin, dhe paga fikse pagat mbi nivelet e tregut, gjë që i dekurajoi punëdhënësit nga shtimi i vendeve të punës në kompanitë e tyre.
Kartelet e sanksionuara nga qeveria, e kufizuan konkurrencën. Taksat e larta e bënë më të vështirë për njerëzit të kursenin dhe investonin, ndërsa tarifat e larta e kufizuan edhe tregtinë. Të gjitha këto politika e bënë më të vështirë rritjen ekonomike.
Për më tepër, bankat gjermane qenë të ndjeshme, pasi nuk e patën rimarrë plotësisht veten nga inflacioni që kishte zhdukur një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të tyre, duke i lënë ato të ndërvarura nga depozitat e huaja afatshkurtra që mund të tërhiqeshin.
Ndërsa numri i të papunëve u shtua, më shumë gjermanë votuan për nazistët, dhe numri i anëtarëve të partisë nazistë u rrit përsëri.
Hitleri bënte propagandë të ndërprerë për të marrë pushtetin. Ai udhëtoi vazhdimisht, duke mbajtur fjalime në të gjithë Gjermaninë. Ai donte që kundërshtarët e tij të shkatërroheshin, ndaj i demonizoi ata, duke i akuzuar se qenë tradhtarë. Dy organizata paraushtarake naziste, S.A. dhe S.S., nisën sulme të përgjakshme ndaj kundërshtarëve të tij. Kjo tërhoqi edhe më shumë banditë në radhët e nazistëve.
Çdo natë, kishte mitingje dhe marshime naziste. Promotorët e Hitlerit e nxitën atë të botojë një revistë naziste, duke shpërndarë propagandën dhe promovuar filmat nazistë. Ata u bënë organizata më e madhe politike në Gjermani, dhe në 30 janar 1933, me ndihmën edhe të shantazhit, Hitleri bëhet kancelar i Gjermanisë – kreu i qeverisë. Ai vazhdoi të konsolidonte pushtetin e pakufizuar, përpara se dikush të kuptonte se çfarë po ndodhte.
Duhet të kuptojmë se Hitleri nuk mori nën kontroll një qeveri të vogël, me një ndarje efektive të kompetencave të numëruara, deleguara dhe të kufizuara. Ai mori një shtet të mirë të mirëqenies sociale, që ishte krijuar nga kancelari autokratik Otto von Bismarck, i cili u zgjerua me shpejtësi gjatë Luftës së Parë Botërore dhe fitoi kontrollin total të ekonomisë.
Bizneset e lidhura me luftën, u shndërruan në zyra burokratike të qeverisë. Qeveria mbylli bizneset private, të cilat zyrtarët i konsideronin si të panevojshme. Puna qe e detyrueshme, dhe askush nuk mund ta ndryshonte atë pa lejen e qeverisë. Për herë të parë, ky “socializëm i luftës” i tregoi botës se si do të dukej një ekonomi socialiste, dhe u bë një model për Leninin dhe teoricienët e tjerë komunistë.
Aleatët drejtuan çmontimin e makinerisë luftarake gjermane, por një ekonomi e drejtuar nga qeveria në thelb arriti të mbijetojë. Megjithëse Hitleri i bëri jehonë planifikimit ekonomik qendror të stilit sovjetik me një Plan Katër Vjeçar, metoda e tij synonte të mbyste rregulloret dhe ligjëronte shpronësimet.
Kishte formalisht pronë private, por nën kontrollin e qeverisë. Ai e trajtoi problemin e papunësinë, duke zbatuar punën e detyruar për burrat dhe gratë. Kontrolli qeveritar i ekonomisë, e bëri virtualisht të pamundur për këdo që të kërcënonte seriozisht regjimin e tij. Hitleri forcoi policinë sekrete, kampet e vdekjes dhe një tjetër makineri lufte.
Sistemi arsimor gjerman, që kishte frymëzuar kaq shumë progresistë amerikanë, luajti një rol të madh në gjithë këtë. Gjatë shekullit të shkuar, qeveria vuri nën kontroll të plotë shkollat dhe universitetet, dhe përparësia e tyre kryesore ishte mësimi i bindjes. Elita e profesorëve promovoi kolektivizmin. Nderi më i madh ishte t’i shërbeje qeverisë. Në vitin 1919, sociologu Max Weber raportoi se “nderi i shërbyesit civil, qëndron në aftësinë e tij për të ekzekutuar në mënyrë të ndërgjegjshme rendin e autoriteteve superiore”./Jim Powell, “Forbes”
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce