Edhe pasditen e kësaj të enjteje, 23 prill, vazhdojnë diskutimet në Forumin Ekonomik të Delphit.Raportohet se diskutimet janë shtrirë në dy tema kryesore, te Inteligjenca Artificiale dhe infrastruktura.
Është diskutuar rëndësia e jashtëzakonshme, që ka në ekonomi dhe që pritet në të ardhmen të jetë në fakt drejtimi i ekonomisë.
Ndërkohë është diskutuar shumë edhe për infrastrukturën sidomos në një kohë trazirash, si kjo që po kalon bota aktualisht. Në qendër të diskutimeve ka qenë edhe “Korridori vertikal”, i cili lidh Greqinë me Bullgarinë dhe Rumaninë. Është një korridor mjaft i rëndësishëm që ka të bëjë me të gjitha llojet e transporteve. Pritet që në Selanik të ketë një takim të ministrave, të këtyre tre vendeve, për ta diskutuar më gjerë.
Forumi i Delphit, ku ka qenë pjesëmarrës edhe kryeministri Edi Rama, i cili mbajti fjalën e tij ditën e djeshme, 22 prill, tregon për një ngrohje të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Jemi në një fazë, ku të dyja vendet në nivelet më të larta po diskutojnë të dyja çështjet e hapura.
Forumi do të vazhdojë edhe ditën e premte dhe të shtunë, me panelet e lartë, ku do të ketë diskutime të niveleve të larta.















