INSTAT ka publikuar raportin “Tregtia e jashtme e mallrave”, sipas të cilit eksportet dhe importet e mallrave janë rritur në 6 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konkretisht, eksportet arritën vlerën 133 mld lekë, duke u rritur me 13.5%, ndërsa importet arritën vlerën 295 mld lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me një vit më parë.
Deficiti tregtar arriti vlerën 162 mld lekë, duke u ulur me 0,1 %, krahasuar me 2016.
Por, cilat grupe kanë ndikuar në ndryshimin vjetor të eksporteve?
Rënia vjetore e eksporteve prej -0,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -11,4 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,02 pikë përqindje. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,8 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje.
Eksportet, gjatë gjashtëmujorit të parë janë rritur me +13,5 %, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2016. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +5,3 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,6 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,9 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është “prodhime druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.
Për sa i përket importeve, grupet që kanë ndikuar më së shumti sipas INSTAT janë:
Rritja vjetore e importeve prej +8,4 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “materiale ndërtimi dhe metale” me +3,7 pikë përqindje, “ushqim, pije, duhan” me +2,4 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar negativisht grupet: “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,7 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.
Importet, gjatë gjashtë muajve të parë, janë rritur me +5,6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “produkte kimike dhe plastike” me +1,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +1,2 pikë përqindje, “ushqim, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetore të importeve, është: “materiale ndërtimi dhe metale” me -0,3 pikë përqindje.
Për sa i përket muajit Qershor 2017, eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 0,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 %, në krahasim me Maj 2017.
E kundërta ka ndodhur me importet e mallrave në muajin Qershor 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u rritur me 15,1 %, krahasuar me Qershor 2016 dhe me 7,9 %, në krahasim me Maj 2017.