Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi gjatë një interviste pasditen e sotme ka komentuar marrëveshjen Rama-Basha dhe mënyrën si rrodhën ngjarjet drejt kësaj fushate elektorale.
Sipas tij, mungesa e koalicioneve me partitë e mëdha është një mundësi e mirë për PDIU pasi do të shfaqet platforma e të gjitha partive të cilat kanë pritshmëri e tyre.
Po ashtu, kreu i PDIU tha se partitë e vogla i godet kjo marrëveshje, por këto parti nëse do fokusohen te programi i tyre dhe te potenciali do të konsolidohen pasi dikur kanë qenë të kamufluara në programet e partive të mëdha.
“Kjo fushatë ka shumë të veçanta dhe për shkak të mënyrës si rrodhën ngjarjet për shkak edhe të opozitës që rrezikoi të mos futej në zgjedhje. Dukej sikur kjo krizë u përsërit sërish pas 4 vitesh. PDIU propozoi pakt kombëtar dhe fatmirësisht u gjet një konsensus, i cili për nga pikëpamja e futjes së PD në zgjedhje ishte një ogur i mirë për shqiptarët”– tha Idrizi në rubrikën ‘Opinion’.
Gjithashtu, Idrizi ka ironizuar në një farë mënyre koalicionin e PD-së me PBDNJ- në dhe renditjen e kandidatëve në qarkun e Vlorës.
“PD nuk ka pasur asnjëherë 5 deputetë dhe akoma më pak do të arrijë kësaj radhe. Atëherë nuk e kuptoj se ky i pesti ça kërkon aty. Do thoni ça keni me zotin Dule. Ka qenë një person që vazhdimisht është bërë ngacmues pa sens duke thënë që çështja çame nuk ekziston. Një rast kur kërkuam 1 minutë heshtje në parlament 139 deputetë u çuan më këmbë vetëm Dule jo, sikur donte të provokonte.
Mbaj mend që Dashi ishte shumë i nxehur dhe mezi po e mbanim të shkonte të rrihte Dulen.
E pashë në një intervistë që thoshte se do e kap për veshi t’i tregoj tokat e Çamërisë por kësaj radhe me sa duket do e marrë kalapiç. Do punojë që të fitojë Dule“,tha ai .