Teksa vendi ynë ndodhet në një krizë politike, duket se ekziston një mënyrë për zgjidhjen e saj.
Propozimin e ka dhënë kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili ka propozuar që ditën e hënë të mblidhen forumet e grave të PS, LSI, PD dhe PDIU që të zgjidhin krizën.
Këtë propozim, Idrizi e dha gjatë një takimi të organizuar në Akademinë e Arteve me Forumin e Gruas të PDIU.
Ai tha se duhet të jenë vetë partitë politike ato që duhet ta zgjidhin këtë situatë, përpara se të vijë në Tiranë, eurodeputeti David McAllister.
“Ky është propozimi i fundit i PDIU. Ne propozojmë që ditën e hënë të mblidhen forumet e grave që të zgjidhin krizën. Të jenë gratë ato që do të zgjidhin krizën, politikanët kanë dështuar. E kam vlerësuar përkrahjen e gruas në PDIU. Ne u renditëm forcë e dytë politike në Tropojë e Delvinë, ku kryetarët e PDIU ishin gra. Sa herë gratë dhe vajzat kanë qenë në detyra publike, ajo detyrë është realizuar më së miri. Nuk mbaj mend të ketë pasur akuza për korrupsion për ministre gra, apo sjellje të deputeteve në parlament si ajo që kanë burrat”, tha kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.