Kandidati më i ri i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Albano Idrizi, i cili kryeson listën për Qarkun e Beratit, thekson se përfshirja e të rinjve në listat e partive politike në qarqet e ndryshme të vendit është një vlerë e shtuar për Parlamentin e ardhshëm.
Në një intervistë për “Tirana Today”, Idrizi, i cili është vetëm 25 vjeç, vë në dukje se Shqipëria mund të ndryshojë përmes të rinjve, ashtu siç studentët e Dhjetorit të viteve ’90, bënë të mundur rrëzimin e regjimit komunist.
Në këto zgjedhje vihet re një tendencë e re e partive politike për të vendosur në listat e tyre, kandidatë me moshë relativisht shumë të re. Si e shpjegoni një gjë të tillë në rastin tuaj?
Unë besoj se të rinjtë janë një vlerë e shtuar në shoqërinë shqiptare. Të rinjtë në politikë nuk janë një gjë e re në Shqipëri. Mos të harrojmë që ndryshimet e mëdha i bën studentët e Dhjetorit ‘90. Unë mbështes çdo të ri në politikë, sepse shoh që gjërat në Shqipëri mund të ndryshohen duke përkrahur idetë e reja dhe brezin e ri. Në filozofinë e PDIU-së mbështetja ndaj të rinjve është shumë e madhe, kjo pasqyrohet edhe në listat që janë lançuar. Ajo që i karakterizon të rinjtë tanë janë arsimimi, integriteti moral dhe profesional. Mbi të gjitha janë patriotë.
Çfarë mendoni se i sjellin të rinjtë politikës shqiptare, ku shumica e tyre janë krejt pa përvojë dhe ndjekin modelin e politikanëve të vjetër?
Përvoja më e madhe është dëshira për të ndryshuar këtë realitet dhe për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Sa për modele, unë besoj se të rinjtë e PDIU-së kanë një formim të admirueshëm arsimor dhe intelektual.
A mendoni se keni mundësi për të fituar në Qarkun e Beratit, ku përballë jush keni emra si: Nasip Naço dhe Blendi Klosi?
Unë në Berat jam në qytetin tim, familja ime jeton këtu. Jeta ime është e lidhur ngushtë me këtë qytet fantastik. Besoj se qytetarët e Beratit janë të vetëdijshëm që duhet të bëjnë zgjedhjen e duhur. Në këtë garë, unë përfaqësoj një alternativë. Respektoj çdo kandidat që është në garë. Sa për kandidatë të fuqishëm, atë le ta vendosin qytetarët.
Sa vend do të zërë çështja çame gjatë fushatës suaj?
Së pari, i jam borxhli beratasve për mikpritjen që i bëri gjyshërve të mi, kur u dëbuan nga trojet e tyre çame. Ndaj jam besimplotë se beratasit kanë ditur të mirëpresin çamet në ditët më të vështira. Sot është detyra ime morale t’i kthej nderin qytetit dhe qytetarëve. Nisur nga paranteza, them me bindje se vendi që zë çështja çame është shumë e rëndësishme, jo sot, por prej vitesh.
Tirana Today