Kamerat e sigurisë së një argjendarie të grabitur, kanë arritur të identifikojnë si autor të ngjarjes një 32-vjeçar shqiptar, i cili ishte në kërkim për vrasje. Aleksandër Mata, apo Eno Mata (identiteti tjetër i tij) është filmuar nga kamerat e sigurisë, teksa ka grabitur me dhunë një argjendari në lagjen “Ambelokipi” të Athinës.
Madje, shqiptari, ka qenë ai që ka goditur vajzën e pronarit të argjendarisë, para se të bënin grabitjen e bizhuterive dhe më pas u larguan me makinë.
Ai është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit dhe më pas hetuesit kanë verifikuar se bëhet fjalë pikërisht për shqiptarin e shumëkërkuar.
Ai kërkohet për vrasjen e avokatit grek Mixaleis Zafeiropoulos , ngjarje e ndodhur në Tetor të vitit 2017 në Athinë. Ai njihet edhe për një letër të lënë me shkrimin e tij me mbishkrimin “Maradona fluturues”, që e la pas një grabitjeje, në të cilën shkruante se nuk kishte lidhje me akuzën për vrasjen e avokatit grek.
31-vjeçari shqiptar është rritur në qytetin Arkadia në Greqi dhe ka luajtur futboll me ekipin e atij qyteti. Shokët e tij e thërrisnin “Maradona shqiptar” për shkak të aftësive të tij në futboll.