Policia e Shkodrës ka përcjellë detajet e para në lidhje me vendosjen e granatës në shtëpinë e një ish-polici. Mësohet se Shyqyri Çela, kishte një muaj që ishte kthyer nga Amerika, e kjo lidhet ngushtësisht me një konflikt që kishte pasur më herët vëllai i tij. Ndodhur në këto kushte, ai kishte marrë vendimin për tu larguar jashtë Shqipërisë.
Shyqyri Çela ka qenë ish Shef i Komisariatit të Shkodrës, para vitit 1997. 63-vjeçari Çela, përpara se të futej në Policinë e Shtetit në vitin 1996, ka qenë deputet në Parlamentin e Shqipërisë, me partinë Aleanca Demokratike. Më pas, në vitin 1997 vëllai i tij ka patur një konflikt, duke shkëmbyer të shtëna me disa persona të tjerë tek teatri “Migjeni”. Pas asaj ngjarje, ai u largua drejt Amerikës.
Kishte një muaj që kishte ardhur dhe pas ardhjes, ndodhi vendosja e granatave në oborrin e banesës, në lagjen “Rus”. Sikundër bën me dije policia përmes një deklarate për mediat, nga shpërthimi nuk pati viktima, por vetëm dëme materiale.
Informacion paraprak
Më datë 07.06.2018, rreth orës 03:00, jemi njoftuar se në oborrin e banesës të shtetasit Sh. Ç, 63 vjeç, banues në lagjen Partizani Shkodër, i kanë hedhur një granatë, e cila ka shpërthyer, duke dëmtuar disa xhama të banesës, nuk ka persona të dëmtuar.
Nga kqyrja paraprake e vendit të ngjarjes. është konstatuar edhe një granatë luftarake e pashpërthyer, ku është kërkuar ndërhyrja e specialistëve të Njësisë Anti-eksploziv.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. dhe identifikimin e kapjen e autorëve.