Nga: Bahri Beci
Nxitjen për rishqyrtimin e kësaj problematike ma dha miku im, prof. R. Ismajli me botimin prej tij të librit “Për historinë e gjuhës shqipe”, botuar në Prishtinë më 2021, një kontribut i ri me vlerë i prof. Ismajlit në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Pjesa e parë e librit i kushtohet ndarjes dialektore të shqipes, parë nga aspekti ballkanik. Trajtohen në mënyrë kritike pikëpamjet e studiuesve të derisotëm për këtë problematikë, ndër të tjera edhe ato të J. G. Hahn-it për historinë e formimit të dy dialekteve të shqipes, po edhe të miat.
Në vitin 2018, këtu në Prishtinë, në konferencën me temë “Studime albanistike në vendet ku flitet gjermanisht”, pata mbajtur kumtesën “J.G. Hahn për historinë e dy dialekteve të shqipes…”, ku parashtroja pikëpamjet e Hahn-it për vjetërsinë, vendin dhe shkaqet e formimit të dy dialekteve të shqipes, si edhe reagimet ndaj tij.
Kisha theksuar, ndër të tjera që J. G. Hahn-i:
- ishte i pari studiues që ndarjen e sotme dialektore në gegërishte dhe toskërishte e çonte në rrethanat e kohës antike;
- problemin e vendit të formimit të dy dialekteve të shqipes J. G. Hahn-i nuk e kishte shtruar drejtpërsëdrejti, po, duke folur për origjinën e shqiptarëve, shkruante që “duhet të pranojmë që shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e banorëve të lashtë të vendit; që kanë qenë këtu para se me ardh sllavët” ose “stërgjyshnit e shqiptarëve të sotëm, kanë banuar në ato vende që zotnojnë shqiptarët sot, qysh në kohën e romakëve dhe të grekëve (…);
- shkakun e krijimit të dy dialekteve të shqipes, J. G. Hahni e gjente në praninë e ilirishtes dhe të epirotishtes, folësit e të cilave, sipas Hahn-it, ishin farefis.
Përfundimi në të cilin arrinte Hahni ishte: “në qoftë se gegët dhe toskët janë pjesë të nji trungu të përbashkët kombëtar (…), në qoftë se flasin dy dialekte të ndryshme t’asaj gjuhe; në qoftë se kufini i gjuhës asht atje ku e cakton Straboni kufinin në mes ilirëve dhe epirotëve; në qoftë se epirotët nuk janë helenë, por barbarë, atëherë na duhet të pranojmë që ka shumë mundësi që n’ato kohna të vjetra gjendja ka qenë ashtu sikundër asht edhe sot dhe se epirotët i përkitnin fisit të ilirëve.
Në librin “Për historinë e gjuhës shqipe” të botuar me 2021, prof. Ismajli shpreh rezerva ose më saktë nuk pajtohet me pikëpamjen e Hahn-it, po edhe timen, lidhur me vjetërsinë dhe shkaqet e formimit të dy dialekteve të shqipes.
Po cilat janë pikëpamjet dhe argumentet e prof. Ismajlit për të mos pranuar vjetërsinë e dy dialekteve të shqipes, a janë ato të tilla sa ta relativizojnë ose ta hedhin poshtë pikëpamjen e Hahn-it, po edhe tonën, po edhe të prof. Sh. Demirajt, mbi vjetërsinë e dy dialekteve të shqipes?
Fillimisht dua të theksoj se ka të drejtë prof. Ismajli kur relativizon pikëpamjen J. G. Hahn-it sipas se cilës:
“… folësit e dy dialekteve nuk e kuptojnë njëri tjetrin”, ose që “… dallimet dhe raportet midis dy dialekteve (të shqipes BB) mund të krahasohen me dallimet midis gjermanishtes, suedishtes dhe danishtes”.
Po pikëpamjet kryesore të J. G. Hanit që nuk pranohen nga prof. Ismajli janë:
- që ndarja dialektore e shqipes ne gegërishte dhe toskërishte të jetë bërë në kohën e hershme;
- që ndarja dialektore e shqipes në gegërishte dhe toskërishte lidhet me ndarjen e fiseve ilire dhe epirote;
- që ndarja dialektore e shqipes në gegërishte dhe toskërishte është rezultat i një ndarjeje etnike.
Konkretisht prof. Ismajli shkruante:
“Ndarja dialektore e shqipes, sipas von Hahn-it, e parë si pasojë e ndarjes etnike (dy fise), shkon larg prapa në të kaluarën dhe pasqyron ndarjen e lashtë midis ilirëve dhe epirotëve.
Ose lidhur me kufirin ndarës midis dy dialekteve, Hahn-i “fliste si për një kufi të ndarjes etnike midis fiseve ilire dhe fiseve epirote” dhe vijonte se kjo “do të donte argumentime që nuk i kemi”.
Pra, sipas prof. Ismajlit:
- është evidente që ndarja dialektore e shqipes që mund të hetojmë nuk shkon në ato kohë, pra, është me e re.
- nuk ka argumente për të pranuar që ndarja dialektore e shqipes lidhet me ndarjen midis fiseve ilire dhe epirote.
- nuk ka argumente për ta vështruar ndarjen dialektore te shqipes në dy dialekte si rezultat i një ndarjeje etnike.
Dhe shtonte se për pasojë “vlerësimet e atyre që pikëpamjet e Hahn-it i shohin valabël nuk janë të vlefshme (vetëkuptohet pikëpamjet e Becit dhe të Demirajt).
Sipas prof. Ismajlit: “Kur bëhen krahasime midis gjendjes së periudhës së lashtë dhe asaj të kohëve të vona (sh. XIX), del e domosdoshme të mendohet (çka do të thotë se deri tani nuk është menduar nga studiuesit), që ndërkohë do të ketë pasur zhvillime të brendshme e të tjera, efektet e të cilave duan marrë parasysh, sidomos sa u përket aspekteve etnografike dhe gjuhësore. Do të konstatojmë se gjendja e sotme nuk shfaq përputhje me ato ndarje”.
Pajtohem me prof. Ismajlin që shpjegimi e vjetërsisë së dy dialekteve të shqipes nga Hahn-i me praninë e fiseve ilire dhe epirote në territorin e dy dialekteve të shqipes në periudhën antike nuk përbën argument, për pasojë nuk mjafton.
Po kjo nuk na jep të drejtë që për këtë “arsye” ta hedhim poshtë tezën e tij mbi vjetërsinë e formimit të dy dialekteve të shqipes, përkundrazi, është një nxitje për ta analizuar e verifikuar në dritën e të dhënave të sotme të dialektologjisë përshkruese a historike shqiptare, po edhe të historisë se gjuhës shqipe në përgjithësi, çka jemi përpjekur ta bëjmë përmes shume botimeve jo vetëm ne, po edhe prof. Demiraj, njëri nga studiuesit më të mirë të historisë së gjuhës shqipe.
Sipas prof. Ismajlit, “nuk ka argumente për të pranuar që ndarja dialektore e shqipes lidhet me ndarjen midis fiseve ilire dhe epirote” që vlerësohej prej prof. Ismajlit si rezultat i një ndarjeje etnike.
Me sa duket, shqetësimi i vërtetë i prof. Ismajlit është se Hahn-i e shpjegonte ndarjen dialektore të shqipes si “rezultat i një ndarjeje etnike” ndërmjet ilirëve dhe epirotëve, çka nënkupton praninë në këto territore të dy popujve të ndryshëm, ilirëve në veri dhe epirotëve në jug.
Sh. Demiraj, i vetmi që në pajtim me J. G. Hahn-in, po edhe me ne, ka pranuar, jo vetëm vjetërsinë e formimit të dy dialekteve të shqipes, por edhe praninë e ilirëve në veri dhe epirotëve në jug si shkak të formimit të dy dialekteve te shqipes.
“Duke u mbështetur në vjetërsinë mjaft të madhe të ndarjes dialektore të shqipes dhe duke pasur parasysh se viset ku është zhvilluar dialekti jugor i shqipes, përkojnë në një pjesë të madhe me ato që në lashtësi bënin pjesë në trevën e të ashtuquajturit Epir, ka shkruar Sh. Demiraj, mund të pohohet se banorët e lashtë të asaj treve (të Epirit BB), në pjesën më të madhe, kanë folur një gjuhë, e cila nëpërmjet evolucionit të saj të shkallëshkallshëm ka dhënë variantin jugor të shqipes së sotme. Përndryshe, do të duhej të pranonim që stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm në një periudhë të caktuar pas-antike kanë shtegtuar në ato vise dhe kanë asimiluar një popullsi të helenizuar ose gjithsesi të ndikuar nga kultura helene, çka vështirë se mund t’i qëndrojë kritikës. Dhe me të vërtetë historia nuk dëshmon asnjë shtegtim të tillë, që pa tjetër do të ishte vënë re. Për më tepër, vështirë që një popull jo grek të mund të ketë asimiluar një popullsi të helenizuar apo të ndikuar prej kulturës greke”.
Sipas Kr. Frashërit: Epirin e zënë në gojë poshtë-lart pesëdhjetë autorë grekë, romakë dhe bizantinë. Ata u përkasin dymbëdhjetë shekujve – që nga Skilaksi i shekullit VI p.e.s., deri te Stefan Bizantini i shekullit VI e.s.
Të gjithë (autoret antikë BB) flasin për Epirin si provincë, por asnjëri prej tyre nuk thotë prerazi se ishte provincë greke. “… asnjë autor antik nuk e pohon prerazi se epirotët ishin grekë. Ndërkohë, disa prej tyre i cilësojnë fiset kryesore epirote si popullata ‘barbare’”.
Ose “Deri sot nuk kemi ndeshur ndonjë burim antik që të pohojë praninë e vendbanimeve greke në brendësi të Epirit. “Straboni … e përjashtonte Epirin nga Hellada”.
Edhe sipas burimeve historike mesjetare Epiri ose Shqipëria e Poshtme ishte pjesë e Arbërisë dhe popullsia autoktone. Që kur shfaqen dokumentet e para me karakter etnik (shek. XII-XIII) shqiptarët prezantohen si banorë autoktonë të Epirit. “Gjatë gjithë Mesjetës dhe deri në Kohët e reja, shkruan historianit P. Xhufi, Epiri ka qenë një territor kryesisht shqiptar. Nga pikëpamja etnike, Epiri ishte një territor shqiptar që i është nënshtruar një procesi të vazhdueshëm helenizimi dhe për pasojë dezalbanizimi”.
Besoj se mjafton edhe kaq për ta venë në dyshim ose për të mos pranuar që ilirët dhe epirotët ishin dy etni të ndryshme.
Në vijim të studimit të tij, prof. Ismajli, duke iu referuar pikëpamjes sime, sipas së cilës zona ku shfaqen dukuritë e toskërishtes “historikisht ka qenë banuar nga fise epirote, etnikisht të një trungu me ilirët (Beci 1992:21), pohon se “implikon ndarjen etnike dhe ndërhyrjen greke dhe/ose makedonase”, pra, (në qoftë se e kam kuptuar drejt) ndikimin e greqishtes ose të maqedonishtes në formimin e dukurive të toskërishtes.
Është interesant se pak me përpara prof. Ismajli, po në ketë punim, ka thënë të kundërtën lidhur me pikëpamjen time për ndikimet sllave në formimin e dy dialekteve të shqipes dhe konkretisht:
“Sipas Becit, këto dukuri (ato që dallojnë dy dialektet e shqipes BB) nuk janë rezultat ndikimesh të jashtme, sepse nuk ndeshen në greqishten, në tërësi nuk gjenden as në maqedonishten as në bullgarishten. Kur ndonjëra prej tyre shfaqet në maqedonisht a bullgarisht, si prania e zanores ë të theksuar, ajo është zhvilluar në periudhën midis sh. XII-XIII, më vonë se shfaqja e ë-së në toskërishten. Koneski linte mundësinë të kishte aty një ndikim të shqipes e të arumanishtes. Denazalizimi në maqedonishtenbullgarishten, sipas burimeve të tij, është i sh. XII-XIII, ndërsa rotacizmi nuk shfaqet askund. Ndërkaq, ndërlidhjen me rotacizmin e rumanishtes nuk e përjashtonte, edhe pse gjeografia nxjerr probleme, thoshte Beci. Sido që të jetë, mendonte ai, fjala është për fenomene që kanë ndodhur para kontakteve intensive me sllavishtet.
Ajo që gjithsesi e relativizon diskutimin tonë ose, thënë ndryshe, lë të hapur diskutimin me prof. Ismajlin është ajo që ai shkruan në vijim te librit të tij përkatësisht në faqen 125:
“Kur kishte përfunduar tashmë vështrimi që kemi përpara, akademik Bahri Beci pati mirësinë të më dërgonte librin e tij të ri: Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes, 2019. Në pjesën e parë të tij shtrohen çështje që lidhen me gjendjen e studimeve për historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes, diskutimet për tiparet dalluese të njësive dialektore të shqipes, për vjetërsinë e tyre e të formimit të strukturës dialektore të shqipes, për vendin e formimit të njësive dialektore të shqipes e për shkaqet e formimit të strukturës dialektore të shqipes bashkë me vlerësimin e tyre. Në pjesën e dytë Beci merret me historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes”.
Siç mund të shihet, ky libër është me interes për studimin tonë, i cili, ndërkaq, ishte konceptuar e mbyllur në vitin 2018 dhe ishte bërë publik në Seminarin e vitit 2018 dhe në ligjëratën në Qerthullin linguistik të Zagrebit dhe në ligjëratën në Akademinë Austriake në Vjenë pastaj, ndërsa për pjesë të gjera ishte botuar te “Koha” në Prishtinë në disa vazhdime. Synimet e Becit në këtë libër janë më të gjera se ato që kishim shprehur në lidhur me çështjen e ndarjes dialektore të shqipes në kontekst të studimeve ballkanike më 2015 dhe vijuar në studimin e vitit 2018, i cili po botohet tani në formë të plotë.
Shumë nga diskutimet e këtij libri të Becit ndërlidhen me diskutimet tona, por, meqë ishte momenti i fundit që e mora, do të jem i shtrënguar që për të të lë vetëm këtë shënim bashkë me rekomandimin për lexuesit që ta marrin në konsideratë për dinamizmin e zhvillimeve, ashtu edhe nevojën për ta lexuar këtë libër.
Besoj se kjo mjafton për të menduar që prof. Ismajli me natyrën dhe nivelin e njohurive të tij e ka lënë të hapur rrugën, që në dritën e botimeve të reja të Becit, për ta rivështruar këtë problematik në të ardhmen e kjo duhet mirëkuptuar e vlerësuar.