Historitë e Peter Crouch janë kthyer në një trend në Mbretërinë e Bashkuar. Vetëm pak kohë më parë ai publikoi librin e tij autobiografik dhe është kthyer në më të shiturit, pasi aty zbulohej një tjetër Peter Crouch. I aftë të shënojë mbi 100 gola në Premier League, shënuesi më i mirë me kokë në historinë e kompeticionit nga 1992 është edhe histori-tregues.
Sulmuesi që luan ende për Stoke City, ka gjetur një mënyrë për të shkëlqyer, aq sa BBC Radio i ka krijuar një program të tijin, Peter Crouch Podcast, në të cilin sulmuesi anglez tregon anekdota nga jeta e tij si futbollist e histori shumë të veçanta brenda dhe jashtë fushës.
Si ajo për ish-kapitenin e Liverpool Steven Gerrard dhe një maskimi shumë të veçantë. Gjatë programit, Crouch ka treguar për mbrëmjet e kaluara nëpër lokalet e Liverpool, me apo pa skuadrën. E ka kujtuar në veçanti atë kur legjendari me numër 8 arriti ti shpëtojë fotografëve, që prisnin jashtë lokalit, në një mënyrë mjeshtërore.
“Më kujtohet që erdhi i veshur si plak, me një maskë në fytyrë e madje edhe karrige me rrota e motorizuar. Kishte një llullë dhe një kapele në kokë. Jashtë lokalit fotografët i kapnin të gjithë, por Stevie nuk pati probleme. Madje ata i hapën rrugën dhe e ndihmuan të kalonte!”.