Gazetarja malteze që drejtoi hetimin e “Panama Papers” u ekzekutua ditën e sotme nga një atentat me bombë. Daphne Caruana Galizia u vra pasditen e kësaj të hëne, kur një mjet shpërthyes i fuqishëm hodhi në erë makinën e saj Peugeot 108. Gazetarja publikoi shkrimin e saj të fundit në faqen e internetit të “Running Commentary” në orën 2:35 të kësaj të hëne, ndërsa shpërthimi u raportua nga policia pas orës 15:00. Policia tha se trupi i saj ende nuk ishte identifikuar. Sipas burimeve, një nga djemtë e saj dëgjoi shpërthimin nga shtëpia e tyre dhe vrapoi në vendngjarje.
Blogerja Galizia, postimet e së cilës tërhiqnin më shumë lexues sesa gjithë gazetat e vendit, u përshkrua kohët e fundit si “WikiLeaksi-grua”. Shkrimet e saj thumbonin botën e krimit që mbizotëron në shtetin më të vogël të Evropës. Postimet e saj të fundit e vendosën gishtin te kryeministri i Maltës, Joseph Muskat dhe dy ndihmësit e tij më të afërt, që lidhin kompanitë off-shore me shitjen e pasaportave dhe pagesave malteze nga qeveria e Azerbajxhanit.
Asnjë grup ose individ nuk ka marrë përgjegjësi mbi sulmin. Presidentja e Maltës, Marie-Louise Coleiro Preca, bëri thirrje për qetësi. “Në këto momente, kur vendi është i tronditur nga ky sulm, unë i bëj thirrje të gjithëve të matin fjalët e tyre, të mos gjykojnë dhe të tregohen solidarë”, tha ajo.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme të kësaj vere, analistët politikë i trembeshin rikthimit të dhunës politike që sfidonte Maltën gjatë viteve 1980. Në një deklaratë, Muskat dënoi “sulmin barbar”, duke thënë se kishte kërkuar nga policia që të bashkëpunonte me shërbimet e sigurimit të vendeve të tjera për të ndihmuar identifikimin e autorëve.
“Të gjithë e dinë se Caruana Galizia ishte kritikja ime e ashpër si politikisht dhe personalisht, por askush nuk mund ta justifikojë këtë veprim barbar,” tha Muscat në një konferencë urgjente për mediat.
“Sundimi i ligjit ka rënë”, shkroi deputeti i opozitës Simon Busuttil në Twitter. “Demokracia jonë është në rrezik”.
Busuttil udhëhoqi fushatën zgjedhore të partisë nacionaliste këtë verë dhe sifdoi akuzat kundër administratës së Muskatit. Sipas mediave lokale, Galizia raportoi në polici se ishte kërcënuar me vdekje rreth 15 ditë më parë.
Galizia deklaroi se nuk kishte lidhje politike. Ajo krijoji një gamë të gjerë objektivash në hetimin e saj, nga bankat që pastronin para deri te lidhjet mes industrisë së lojërave online dhe mafies së Maltës.
Gjatë dy viteve të fundit, i përqendroi hetimet kryesisht në zbulimet e “Panama Papers”, një depo prej ku kishin rrjedhur 11.5 m dokumente nga baza e brendshme e të dhënave të kompanisë së katër më të madhe në botë, Mossack Fonseca.
Të dhënat u morën nga gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung dhe u shpërndanë anembanë botës, përfshirë “The Guardian”, nga Partneriteti Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigues (ICIJ) në Washington.
Djali i Galizias, Mateu Caruana Galizia, është gazetar dhe programues që punon për ICIJ. Gjatë këtij viti, kur Malta kryesonte presidencën e Bashkimit Evropian, zbulimet e saj bënë shumë zhurmë në Bruksel.
Deputetët kërkuan haptazi largimin e Muskatit pas një skandali ku u përfshi gruaja e tij në një kompani panameze dhe pagesa të dyshimta të vajzës së presidentit të Azerbajxhanit. Muskat, i cili ka qenë kryeministër që nga viti 2013, shkoi në zgjedhje të parakohshme rreth një vit më parë pas implikimit të gruas së tij në skandalin në fjalë.
Ai mohoi çdo akuzë dhe premtoi të dorëhiqet nëse publikohet ndonjë dëshmi se familja e tij ka llogari të fshehura për të mbuluar korrupsionin – siç pretendonte Caruana Galizia. Eurodeputeti gjerman Sven Giegold, një figurë që kryesonte hetimin e Parlamentit ndaj “Panama Papers”, tha se ishte “i tronditur dhe i pikëlluar”.
“Është shumë herët për t’u njohur me shkakun e shpërthimit, por ne presim një hetim tërësor”, tha Giegold.
“Incidente të tilla na kujtojnë Rusinë e Putinit, jo Bashkimin Evropian. Nuk mund të ketë absolutisht tolerancë për dhunën kundër shtypit dhe shkeljen e lirisë së shprehjes në Bashkimin Evropian”.
Opozitarët pohojnë se sundimi i ligjit në Maltë ka rënë që kur Muskat i ktheu Partisë Laburiste të Maltës pushtetin në vitin 2013 pas një periudhe të gjatë në opozitë. Katër komisionerë policie kanë dhënë dorëheqjen nën udhëheqjen e tij. E pesta, Lawrence Cutajar, mori postin në gusht 2016.
Në Maltë janë regjistruar disa vrasje me bombë gjatë viteve të fundit. Ndonëse autorët nuk janë identifikuar, pistat lidhen me mosmarrëveshjet midis bandave kriminale. Ndërsa asnjëra prej këtyre ngjarjeve nuk ka qenë e motivuar politikisht. Galizia ishte 53 vjeç dhe la pas burrin dhe tre djemtë e saj. Përgatiti Tirana Today