Një garë mjaft e bukur në pistën e Monzas, e cila në fund u mbyll me festën e Lewis Hamilton me Mercedes, i cili festoi në shtëpinë e Ferrarit. Një sukses i merituar për pilotin britanik, i cili zhvilloi një garë fantastike duke përjashtuar aksidentin në xhiron e parë që nxori jashtë luftës për vend të parë rivalin e tij të Ferrarit, Sebastian Vettel.
Mbi të gjitha, piloti i Mercedes arriti të mposhtë Kimi Raikkonen me makinën tjetër Ferrari, që e kryesoi garën në shumicën e kohës, por u detyrua të hapë krahun 8 xhiro nga fundi. Finlandezi u rendit i dyti, ndërsa i treti u rendit Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes.
“Kokëkuqja” ishte favorite në këtë garë, pasi është pista që siguron më shumë pjesë të drejta dhe dihet që Ferrari është më e shpejtë se makinat e tjera, por duket se edhe këtë herë strategjia e tyre nuk funksionoi. Ndërkohë që Vettel mbetet zhgënjimi më i madh i garës, pasi u rendit i katërti edhe pse rikuperoi shumë pozicione pas kontaktit në start, për të cilin komisarët e pistës nuk morën asnjë masë.
Për të vlerësuar në këtë pistë ishte dhe performaca e Bottas, i cili pas futjes në pitstop të Hamilton bën një lojë perfekte të skuadrës duke mbajtur pas Raikkonen dhe i dha mundësinë britanikut që të afrohej sa më shumë.
Duel i fortë për vendin e tretë, me Verstappen që e mbyll garën para Bottas, por holandezi i Red Bull penalizohet me 5 sekonda për një kontakt mes tyre disa xhiro më parë dhe dorëzon 2 pozicione (renditet i pesti). Ndërsa Vettel renditet i katërti dhe humbet shumë terren karshi britanikut në renditjen e përgjithshme, tashmë -30 pikë pas Hamilton.