Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese amerikane dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ka goditur një rrjet të strukturuar kontrabande të qenieve njerëzore, në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeti”.
Në përfundim të hetimeve disamujore, janë arrestuar tre shtetas të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal, Cerkez Nikoci, 62 vjeç, Hazir Maçi, 58 vjeç dhe Ardjan Pirani, 58 vjeç.
Sipas informacioneve zyrtare, rrjeti kriminal dyshohet se ndihmonte shtetas shqiptarë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufijtë shtetërorë, me destinacion final SHBA-në dhe Kanadanë. Hetimet kanë zbuluar se rrjeti përdorte dokumente të falsifikuara udhëtimi për të kaluar personat fillimisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, më pas në rajonin e Karaibeve, dhe në fund drejt Amerikës së Veriut.
Shtetasi Hazir Maçi, i identifikuar si organizatori kryesor, dyshohet se ka përfituar shuma që variojnë nga 20 deri në 35 mijë dollarë për person, në këmbim të “shërbimit” për trafikimin drejt SHBA-së dhe Kanadasë. Ai rezulton me precedentë të mëparshëm në fushën e kontrabandës së njerëzve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar para cash, dokumente të falsifikuara udhëtimi dhe prova të tjera të vlefshme për hetimin.
Operacioni është zhvilluar nga Njësia e Shërbimeve Hetimore në bashkëpunim me Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU me prezencë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, si dhe me Forcën e Posaçme Operacionale dhe autoritetet e drejtësisë në Tiranë.
Policia e Shtetit ka shprehur falënderimet për partnerët amerikanë dhe për institucionet e tjera ligjzbatuese në Kosovë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali dhe Republikën Domenikane, për kontributin e tyre në koordinimin e këtij operacioni.
Hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.















