Peshëngritësi Daniel Godelli ka dështuar në të tria provat në stilin e shkëputjes në pedanën e Europianit të Rumanisë. Godelli kishte humbur shansin që të ishte pjesë e Botërorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi Ambasada Amerikane i kishte refuzuar kërkesën për ta pajisur me vizë.
Shtangisti nga Elbasani dështoi 3 herë për të ngritur peshën 159 kg, në stilin e shkëputjes, në peshën deri 77 kg. Vlen të përmendet se pesha që sportisti shqiptar tentoi të ngrejë, ishte absolutisht më e larta mes kandidatëve, pasi vendi i parë arriti të ngrejë 158 kg, por vetëm në provën e 3-të .
Më pas, në stilin e shtytjes Godelli vendosi të tërhiqej, duke mos realizuar asnjë nga provat dhe mbyllur Europianin pa asnjë medalje. Ditën e djeshme, sportisti tjetër shqiptar, Briken Çalja ngriti lart flamurin shqiptar, duke marrë 3 medalje ari, në shtytje, shkëputje dhe dygarësh.