Trupa gjykuese vendosi të kërkojë një analizë të re financiare për të ardhurat dhe shpenzimet e gjyqtarit Edmond Islamaj, të bazuar edhe në provat e administruara gjatë ankimit në Kolegjin e Apelimit.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbajti të enjten seancën e pestë të procesit të ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj.
Trupa gjyqësore e udhëhequr nga Luan Daci, me relator Sokol Çomo dhe anëtar gjykatëset Ina Rama, Rezarta Schuez dhe Albana Shtylla, vendosi që t’i kërkoi stafit të Kolegjit të ndërmarrë një vlerësim të ri financiar të të ardhurave dhe shpenzimeve të subjektit, pas administrimit të provave të reja nga Kolegji.
Gjatë seancës, Islamaj u pyet gjithashtu mbi pagesat që ai kishte marrë pas shitjes së një automjeti Land Rover.
Islamaj ka një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar dhe para se të emërohej në Gjykatën e Lartë, ka mbajtur poste të ndryshme, përfshirë gjykatës i Shkallës së Parë, kryetar gjykate, kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjykatës Apeli.
Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të funksionit dhe hetimi administrativ i udhëhequr nga Genta Tafa Bungo, arriti në përfundimin se i përmbushte të tre kriteret e vetingut, përfshirë integritetin e figurës, profesionalizmin dhe kontrollin e pasurisë.
Megjithatë, vendimi i KPK-së për sa i përket kontrollit të pasurisë u kontestua nga Komisioneri Publik, i cili çmoi se “procesi i hetimit i Komisionit për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk është i plotë, ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së tij.”
Seanca e pestë e procesit në Kolegjin e Apelimit filloi me shpjegimet e subjektit për automjetin ‘Land Rover’. Islamaj shpjegoi se ky automjet ishte blerë në bashkëpronësi me të atin në vitin 2010 dhe ishte paguar me këste nëpërmjet bankës.
Në vitin 2014, automjeti ‘Land Rover’ i është shitur shtetasit Landi Shahini dhe pagesat janë marrë ‘cash’ me tre këste, ku përfshihen një këst 10 mijë euro në korrik 2014, një këst 5 mijë euro në gusht 2014 dhe një këst 5 mijë euro në shtator 2014.
Si provë për këto pagesa Islamaj paraqiti dhe një deklaratë noteriale nga shtetasi Landi Shahini që mbështet pretendimin e tij për pagesat ‘cash’ në vitin 2014.
Komisioneri Publik nuk e kundërshtoi administrimin e kësaj prove, por vlerësimin e saj e la në dorë të Kolegjit.
Pas administrimit ë deklaratës noteriale trupa gjyqësorë u tërhoq dhe pas një orë diskutimesh vendosi që t’i kërkojë stafit të Kolegjit të Apelimit ‘të vlerësojë efektin e provave të reja mbi analizën financiare të subjektit.’
Gjatë seancës së shkuar të mbajtur me 17 dhjetor, Kolegji administroi një seri provash dhe aktesh shkresore nga disa institucione publike dhe subjekti i rivlerësimit.
Seanca e ardhshme ndaj Islamajt do të mbahet në Kolegjin e Apelimit më 15 janar 2019, ora 12:00.