Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e deputetëve të opozitës për shpalljen anti-kushtetues të marrëveshjes për Marinën e Jahteve në Durrës, por pa i hyrë aspak themelit të çështjes. Gjithçka është zbuluar sot nga vendimi i zbardhur në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetutuese. Tetë nga nëntë gjyqtarët kanë vlerësuar se nuk kanë tagër për të shqyrtuar ligjin ratifikues të marrëveshjes, e cila i hapi rrugë shkatërrimit të Portit Tregtar të Durrësit dhe ndërtimit aty të një kompleksi gjigand kullash e godinash betoni.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të marrëveshjes personale të Edi Ramës me një kompani off-shore, të përfaqësuar nga biznesmeni saudit Mohamed el Alabar, është marrë në 14 qershor të këtij viti dhe u shpall ditën e sotme. Sipas vendimit, gjashtë gjyqtarë, Holta Zaçja, Gent Ibrahimi, Elsa Toska, Sandër Beci, Marjana Semini dhe Ilir Toska, janë shprehur kategorikisht kundër kërkesës së deputetëve opozitarë për shpalljen antikushtetuese të marrëveshjes Rama-Alabar. Dy, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji ishin kundër, por me argument ndryshe nga pjesa tjetër. E vetmja gjyqtare që ka dalë kundër marrëveshjes Rama-Alabar dhe që ishte pro shpalljes anti-kushtetuese të saj ishte gjyqtarja Sonila Bejtja.
Në mendimin e pakicës, Bejtja mban qëndrim se Gjykata Kushtetuese ka tagrin për të shqyrtuar ligjin që ka ratifikuar Marrëveshjen Ndërkombëtare, pasi ajo tashmë ka hyrë në rendin kushtetues shqiptar. Por mendimi i tyre kundër nuk ka vlerë pasi, shumica e Gjykatës Kushtetuese ka refuzuar sërish që të përballet me vendimmarrjen kontraverse të Edi Ramës, duke u fokusuar tek teknikalitete, të cilat i shmangen thelbit të problemit.
Megjithatë kjo nuk është hera e vetme që gjyqtarja ka dalë kundër dhe jo e bashkuar me shumicën, duke marrë parasysh gjykimin e bërë për çështjen e zgjedhjeve lokale të 2019, që u zhvilluan pa pjesëmarrjen e opozitës. Në këtë dosje, Bejtja ishte e vetmja që e pranoi se çështja mund të gjykohej nga Gjykata Kushtetuese. Edhe lidhur me çështjen e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste dhe njëherazi ministres së Jashtme, Olta Xhaçka sërish ajo arsyetoi se 1/5 e deputetëve legjitimohej të kërkonte heqjen e mandatit. Të kundërtën argumentuan kolegët e saj. E fundit ishte çështja e Akademisë së Shkencave, ku edhe kësaj here ajo ishte në pakicë. Së fundmi, porti i Durrësit, ishte çështja në të cilën ajo sërish mbeti e vetm4e. Bejtja mbetet e vetme gjyqtare që pranon se asnjë akt publik qofshin këto marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të kalojnë pa u kontrolluar nga Gjykata Kushtetuese.