Bashkimi Evropian, i cili ishte projekt paqësor, duhet sërish të bëhet i njohur për fuqinë e tij më të madhe dhe ai është europianizimi. Përmes europianizimit, Unioni arriti t’i nxitë shtetet dhe shoqëritë e kontinentit evropian vullnetarisht të transformohen. Vetëm përmes europianizimit ndërtohet Evropa, tha presidenti Gjorge Ivanov, në fjalimin e sotëm në sesionin e Samitit të 20-të euroaziatik ekonomik presidencial, që mbahet në Stamboll, transmeton MIA.
“Vetëm përmes europianizimit mund të zgjerohet hapësira e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në fqinjësinë e drejtpërdrejtë dhe më të gjerë evropiane – në Afrikën Veriore, në Lindjen e Afërt, Kaukaz. Ballkanin nuk e përmenda, sepse ai është rrënja e Evropës, por Evropa duhet e para të kujtohet dhe të kthehet në rrënjët”, theksoi presidenti i Maqedonisë.
Nga fillimi i pavarësisë para 26 viteve, shtoi Ivanov, Republika e Maqedonisë kishte për qëllim të bëhet pjesë e Unionit Evropian. Por, pikërisht në rregullim liberal që i afirmoi të drejtat dhe liritë identike, theksoi presidenti, të drejtat dhe liritë tona të patjetërsueshme të vetëidentifikimit janë kontestuar.
“Pikërisht, Bashkimi Evropian, motoja e të cilit është bashkimi në diversitet, e mohon diversitetin tonë. Jo rastësisht filozofi ynë konludoi se për Maqedoninë, liberalizmi politik ka përfunduar në atë moment kur u kontestua emri dhe identiteti. Standardet e dyfishta të rendit liberal neve na e kontestuan të drejtën e identitetit, por edhe të drejtën e prosperitetit. Maqedonisë i bllokohen integrimet e saj evropiane dhe euroatlantike. Prandaj, në këtë rast, Maqedonia bëhet hipokrizia e këtij rregulli ndërkombëtar, i cili bie për shkak të standardeve të dyfishta. Jo vetëm Maqedonia, por edhe shumë vende të tjera nuk janë të kënaqura nga standardet e dyfishta të Unionit”, tha presidenti Ivanov.
Sipas tij, Evropës nuk i janë të nevojshme parime dhe vlera të reja, por, siç tha, i janë të nevojshme edhe liderë, të cilët mund të shikojnë se europianizimi është shpëtimi për të gjitha shtetet e kontinentit tonë.
“Unioni, i cili ishte ëndrra, që u shndërrua në shpresë, do të jetë realitet për të gjithë ne vetëm nëse mbetet besnike në esencën e saj – në europianizim si proces i metamorfozës së Evropës”, porositi Ivanov.
Në Forumin euroaziatik marrin pjesë ish-burrështetasit dhe ata aktualë, presidentë, kryeministra, ministra, personalitete të shquara nga jeta shoqërore dhe politike, sektori joqeveritare dhe bashkësia ndërkombëtare prej 40 shteteve.
Organizator i Forumit Ekonomik Euroaziatik është fondacioni Marmara, grup për hulumtime ekonomike dhe shoqërore, e cila ka për qëllim përparimin e marrëdhënieve midis BE-së dhe vendeve të Azisë Qendrore dhe Lindjes së Afërt.