Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për çështjen penale në ngarkim të Ervis Cvilos, i akuzuar për veprimtari të lidhura me trafikimin e narkotikëve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte ngritur ndaj Cvilos akuzat për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 28, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Procesi gjyqësor u zhvillua me procedurë të shkurtuar, dhe në përfundim të tij, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Flojera Davidhi dhe Bib Ndreca, vendosi:
Pushimin e akuzës për “Trafikim narkotikësh në formën e grupit të strukturuar kriminal”, pasi rezultoi se Cvilo ishte gjykuar më parë për të njëjtin fakt penal me vendim të formës së prerë.
Deklarimin fajtor të Ervis Cvilos për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i Kodit Penal) dhe dënimin me 3 vite burgim.
Në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ulet me 1/3, duke e çuar përfundimisht në 2 vite burgim.















