Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz përuruan sot fillimin e punimeve për rindërtimin sipas parimit të efiçiencës energjetike, të godinave të Qytetit Studenti nr. 2, në kuadër të projektit për rehabilitimin e konvikteve, ku Bashkia e Tiranës është përfituese direkte.
Projekti synon përmirësimin e kushteve të jetesës për rreth 600 studentë, nëpërmjet rinovimit të ndërtesave me një sistem më të mirë ngrohjeje dhe rinovimit të strukturës së brendshme të ndërtesave për të rritur cilësinë e jetesës, si dhe mundësite e ngrohjes për studentët.
Kështu, studentët e shkollës së inxhinierisë dhe fakulteteve të tjera, që jetojnë në Qytetin Studenti Nr.2, pranë “21 Dhjetorit”, do të kenë shumë shpejt mjedise tërësisht të rikonstruktura dhe me standarde që garantojnë ngrohje me efiçencë energjetike.
Ambasadorja gjermane, Susanne Schütz, theksoi se Qeveria Federale ka vënë në dispozicion 15.5 milionë euro për të gjithë projektin: nga të cilët, 9 milionë euro do të përdoren për rikonstruksionin energjetik të katër konvikteve, duke përmirësuar ndjeshëm izolimin termik dhe duke rinovuar impiantet e ngrohjes.