Policia ka gjetur një automjet tip BMW të djegur në Fier, i cili dyshohet se u përdor për atentatin në Vlorë, ku mbetën të plagosur tre persona, mes tyre një 8-vjeçar.
Makina është gjetur e djegur në fshatin Kafaraj, ndërsa brenda saj është gjetur një armë zjarri kallashnikov, me të cilën dyshohet të kenë qëlluar agresorët.
Atentati ndodhi mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës, ku u godit me breshëri plumbash një automjet tip Benz C Class ngjyrë gri. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje.
8-vjeçari i plagosur është djali i Ferdinand Llanajt, 39-vjeçarit që dyshohet se ka qenë objektiv i atentatit. Fëmija ka marrë një plumb në krah dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
DEKLARATA E POLICISË:
Më datë 01.10.2017, rreth orës 09: 35, në rrugën Transballkanike, pranë një karburanti, nga persona ende të pa identifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti ”Mercedes Benz” me targa VL 63 68 C.
Nga të shtënat me armë zjarri kanë mbetur të plagosur shetasit D.B., 50 vjeç dhe F.Ll., 39 vjeç
Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë sëbashku me grupin hetimor ku po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha kryqëzimet kryesore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.