Deputeti dhe nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj ka zhvilluar një takim me strukturat demokrate dhe banorët e Shëngjinit, Ishull Shëngjinit dhe Ishull Lezhës, në shoqërinë e deputetes Lindita Metaliaj, Kryetarit të PD-së Lezhë, Gjin Gjoni, dhe grupit të punës.
Gjekmarkaj ka shfrytëzuar këtë mundësi për të ngritur shqetësimet e tij lidhur me nevojën për zhvillim në këtë zonë, që është jo vetëm vendlindja e tij, por edhe një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë dhe ekonomisë së Shqipërisë.
Ai ka theksuar se, me gjithë potencialin e madh që ka Shëngjini, si një destinacion turistik dhe një zonë me mundësi zhvillimi, pushteti qendror dhe ai lokal kanë dështuar të ofrojnë investimet e nevojshme. Gjekmarkaj ka kritikuar ashpër situatën e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, duke theksuar se gjatë sezonit të fundit shumë biznese dhe shtëpi në Shëngjin janë përballur me ndërprerje të furnizimit me ujë dhe energji, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike. “Pushteti ka dështuar të krijojë kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit, duke e lënë Shëngjin vetëm si një hambar taksash,” tha ai.
Gjekmarkaj e vuri theksin edhe tek infrastrukturat e dobëta të Shëngjinit dhe Lezhës. Sipas tij, megjithë premtimet e shumta për investime dhe zhvillime, rrugët dhe shërbimet janë lënë pas dore, duke e bërë të vështirë çdo mundësi për një zhvillim të qëndrueshëm. “Rruga Milot-Balldre, që ka qenë një premtim i madh nga qeveria, është ende në një gjendje të dobët. Nuk ka pasur asnjë investim serioz për këtë rrugë dhe për veriun e vendit,” shtoi ai.
Në fund, Gjekmarkaj ka prezantuar programin e PD-së, duke theksuar se nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Shëngjini do të zhvillohet dhe do të bëhet një perlë e Adriatikut. Ai ka premtuar mbështetje të fortë për biznesin, investime në infrastrukturë dhe një mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin e peshkimit. “Për ne, investimet janë parësore dhe do të bëjmë gjithçka që Shëngjini dhe Lezha të zhvillohen dhe të sjellin përfitime për qytetarët,” -tha ai.
Gjekmarkaj ka përmendur gjithashtu aksionin opozitar të planifikuar për më 23 dhjetor, ku sipas tij do të zhvillohet një protestë për të garantuar votën e lirë dhe kundër keqqeverisjes aktuale. Ai ka apeluar për një revolucion qytetar dhe ka nënvizuar se është koha që qytetarët të marrin fatet e tyre në dorë, duke theksuar se është e domosdoshme të bashkohen të gjithë për të sjellë ndryshimin që vendi ka nevojë.