Nga: Pëllumb Kulla
Gëzim Kame mbushi sot 75 vjet dhe unë kam kënaqësi t’I uroj të mbushë Qindin! Për Kamen dhe meritat e tij mund të flitet gjatë ngaqë ai rezulton të jetë regjisori ynë më prodhimtar. Por do të ndalesha më shumë në një tipar tjetër dallues të këtij artisti. Ai është një nga regjisorët që, ndoshta më shumë nga të tjerët, ka kërkuar përherë rrugë të reja, shtigje të pazbuluar më parë në fushën e teatrit tonë.
Në jetën e tij të pasur teatrore Gëzim Kame ka kërkuar dhe ka kërkuar, pa u lodhur. E ka bërë këtë në teatrin qëndror, por edhe në ata të periferisë. E ka bërë këtë edhe me shfaqjet gjatë praktikës pedagogjike, me elementin e ri studentor. Se siç dihet ai ka qënë mbi dhjetë vjet drejtuesi i Fakultetit të Dramës dhe Teatrit në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve).
Më të spikatura këto dalje të tij në mejdanin teatror janë spektakli me dramën “Shkallët” të autorit Ruzhdi Pulaha, në të cilën regjisori Kame befasoi me fushën e lojës. Ai përdori vetë sallën për dekorin dhe lojën e aktorëve, kurse spektatorëve, u la llozhat, galerinë dhe madje merreni me mend vetë Lartmadhërinë e Saj, Skenën!
I bukur ishte edhe eksperimenti me dramën time “Ishulli i Çmëndur” një subjekt që unë e pata mbajtur gjatë në sirtarin e ëndrrave të mia. Ishte një vepër skenike me një personazh të egër, që në një ishull të harruar mes oqeanit, qeveriste një “republikë” me shtatë njerëz, shpëtuar nga një mbytje vapori. Një përkim i çartur i regjisorit konceptuar pa dekor në hapësirën e Piramidës që pat qenë ngritur dikur si homazh arqitektonik për diktatorin. .
Gëzim Kame ka guxuar mjaft edhe në fushën e tematikës së mprehtë. Këtë e shohim tek “Shkallët” përmendur më sipër, ku në podiumin e akuzës vihej shteti i degraduar komunist i vendit, i cili ishte i rrezikshëm dhe reaktiv deri në orët e tij të fundit. Mund ta vemë re dhe tek drama e Garsia-Lorkës “Shtëpia e Bernarda Albës”, ku një zonjë tirane u kish imponuar zinë e përjetshme vajzave të saja, që u vlonte në deje gjaku rinor dhe që atë zi e kishin një zgjedhë të vërtetë në rruhën e lumturisë së tyre. Dhe ky spektakël dinjitoz, realizuar me studentët e fakultetit, e hapte perden më 1985, pas asaj koreografie madhore të vajtimit të Enver Hoxhës dhe Shqipërisë së përzishme që pasoi.
Këtë angazhim qytetar artistiko-politik të këtij regjisori mund ta vemë re dhe në qëmtimet në repertorin e huaj, për t’u dhënë jetë alegorive të shumta që i tërheqin artistët e impenjuar, të cilët nuk rrijnë dot pa u vërtitur si fluturat rreth flakëve. Ata që kujtojnë “Kush e vrau Kastijin” e realizuar në teatrin e Fierit dhe “Vizitën e Damës Plakë” të Dyrenmattit në Teatri Popullor, me siguri e kanë ndjerë këtë tendencë të spikatur të këtij regjisori me ambicie të bukura.
Artisti për të cilin po flasim ka bërë një punë shumë të kualifikuar në fushën pedagogjike dhe në përgjithësi në tërë drejtim-administrimin e fakultetit të dramës dhe teatrit. Aty ai ka qenë angazhuar në një punë mësimore që nga abc-ja e mjeshtërisë së aktorit e deri tek realizimi i spektakleve që mund të rrinin përkrah atyre të teatrove profesioniste. Kjo është një fushë që përbën objekt studimor që një ditë duhet medoemos të fillojë të rrihet. Dhe jam i bindur që ky individ, Gëzim Kame, në ato studime do të zerë një hapësirë dhe një kënd nderi, sidomos për faktin se atij i takon merita për hartimin e librit të vetëm studimor për mjeshtrinë aktoriale.
Do të dukej disi vetjake lënia për në fund e miqësisë së hershme të Gëzimit me të nënshkruarin, po të qe kjo miqësi e palidhur me mbështetjen e ndjerë dhe të jashtëzakonshme, që ky artist me zemër të madhe më ka dhënë në përpjekjet e mia, mua një individi të vështirë. Ne të dy nuk kemi të njëjtën moshë dhe, natyrisht, as shokë shkolle nuk kemi qenë ndonjëherë, por u lidhëm në një miqësi, nga e cila mund të shtrydhësh shumë motive dhe mesazhe shoqërorë dhe bile politikë. Gëzim Kame u mundua të më mbante afër Fakultetit të Teatrit që ai drejtonte në Akademinë e Artit, duke më ftuar si pedagog të jashtëm, duke më përfshirë vit për vit në komisionet e përzgjedhjes së studentëve. Ai i bëri komeditë e mia lëndë mësimore dhe paralelisht nuk i ndërpreu asnjëherë përpjekjet e tij të shumëanshme në organet e partisë dhe ato shtetërore për tërheqjen time si pedagog të përhershëm në trupën mësimore të fakultetit.
Nuk i la përpjekjet deri sa e arriti atë që deshëm që të dy, falë dashamirësisë së disa njerëzve me pushtet e falë autoritetit politik dhe artistik të vetë Gëzimit, këtij miku të vyer dhe të pazëvendësueshëm.
Miqësia jonë ka gjeneruar frymëzim në punët tona të përveçme dhe të përbashkëta. Unë e afrova Gëzimin me teatrin e Bonnit, në kohën që kjo qendër ishte kryeqyteti i atëhershëm i Republikës Federale të Gjermanisë dhe unë bëja pjesë në stafin diplomatik, angazhuar me punët e kulturës dhe të shtypit. Mikun tim e kam ndihmuar me përkthime, sugjerime dhe konsulta edhe që nga Nju Jorku dhe Florida, ku banoj aktualisht. Kurse ai, sa kohë unë u mora me praktikën skenike më ndënji afër në të gjitha fazat përgatitore.
E qeshura e mikut tim Gëzim Kame mua më mrekullon. E dij që e bezdis me thumbat dhe ironitë e mia. Dhe shakatë konsumator të parë kanë vetë atë. U bënë vite që unë tjerr legjendën e Ditlindjes së Gëzimit që ka rastisur të jetë më 7 nëntor, ditën e madhe të Revolucionit të Tetorit bolshevik. Mbahet mend që e kam filluar serinë e shakave në një hotel të Bukureshtit, ku patëm shkuar si delegacion në festivalin e teatrove të hapësirave rumune. Dhe e përsëris atë çdo fundjave të parë të nëntorit. E lidh me listën botërore të njerëzve që kanë lindur ditën e 7 nëntorit dhe që Kremlini u ka akorduar atyre pension te posaçëm. Janë dymbëdhjetë bullgarë, tetë egjiptianë, dyzeteshtatë kubanë dhe vetëm një shqiptar. Thuhet se vit për vit e merr edhe Gëzimi ynë, por mesa duket nuk e deklaron per pune të taksave! E për t’i dhënë një finale serioze nuk harroj të pyes Moskën nëse ka mbaruar atje parada në Sheshin e Kuq. Se duam të fillojmë paradën me sukseset e personazhit tonë, me bëmat e këtushme, me elementët që ka sjellë dhe futur në lojë për veprat e tij skenike.
Kuadratet e paradës time fillojnë me parakalimin e autorëve e aty bën pjesë Kadareja, Lorka, Pulaha, Dyrenmatti, Kulla, Kabo… Pataj ai me aktorët: Kadri Roshi, Sul Pitarka, Robert Ndrenika, Fatos Sela, Viktor Zhusti…. Vazhdon kuadrati i grave: Tinka Kurti, Edi Luarasi, Hajrie Rondo, Yllka Mujo, Rajmonda Bulku… Nuk mungon dhe një kuadrat me politikanë, të cilëve Kame ua ka premtuar gjithnjë votën dhe gjithnjë i ka gënjyer: Nanon, Berishan, Skender Gjinushin, Edi Ramën,..
Dhe për ta mbyllur këtë urim gazmor kujtoj se si para ca vitesh zbrita në Rinas, në një ditë kur Kame, president inisiator i Festivalit Ballkanik të Teatrove, i jepte udhë natës së parë.
Atë qendrim në atdhe vendosa ta nis me një vajtje në Teatrin Kombëtar. Takova mikun tim dhe u ulëm bashkë. Para se të hapej perdja, presidenti Kame bëri çeljen me një fjalim të shkurtër përshëndetës. Dhe meqënëse në natën inaugurative kishin ardhur dhe autoritete shtetërorë, madje në llozhën qëndrore ndodhej vetë kryeministri i kohës, Gëzimi e pa të udhës të falenderonte praninë e tyre. Përshëndetësit i shpëtoi edhe një frazë që na mbin nganjëherë në gjuhët tona, një frazë që ka të gatuar tok mirësjelljen me poetikën krehbishtore: “Të dashur spektatorë kam kënaqësinë të nënvizoj, se sonte sallën e teatrit na e ndriçon me praninë e tij dhe kryeministri i vendit!”
Më parë unë pata takuar regjisorin Xhelili dhe ai më pat folur për për shfaqjen që do të shihnim, për aktorët… Dija, pra, ca detaje dhe kur presidenti i festivalit, pas përshëndetjes, m’u ul pranë i pëshpërita:“Gëzim, regjisori më tha që perdja nuk mbyllet asnjëherë dhe punëtorët e skenës, ashtu, me perde të hapur, në errësirë, ndërrojnë dekorin dhe rekuizitën.”“Është e vërtetë”, më pohoi Gëzimi.“Ouuu! Po kryeministri që i jep dritë sallës?” ia bëra i shqetësuar unë. “A nuk u prish punë punëtorëve me ndriçimin e tij, ai? Prandaj vini një njeri aty tek dera e llozhës qëndrore, që kur të vijë puna të ndërrohen skenat, njeriu juaj le të trokasë dhe t’i thotë kryeministrit: “Shkëlqesi, kini mirësinë të vini pak këtu jashtë, sa të ndërrojmë dekorin?”
E tregoj këtë dhe kjo e bezdis atë, por Gëzim Kamia qesh më shumë se të tjerët. Dhe kur të lexojë edhe fundin e këtyre shënimeve, me siguri do të thotë:“Po ky i pacipë, sa herë shkruan, si nuk e harron këtë histori të shpifur?!