Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar për një deklarate të kryeministrit Edi Rama nga Tepelena, se socialistët kanë nisur një proces të gjerë të riorganizimit të procesit qeverisës.
Sipas Bardhit, ky proces i rëndësishëm i rikonceptimit të qeverisjes duhet të nisi me respektin për votën e lirë të qytetarëve e të përfundojë me largimin e Edi Ramës, siç e cilëson ai si kreu i qeverisë më të korruptuar.
“Rikonceptimi i qeverisjes nis nga respekti për votën e lirë, nga largimi i kreut të qeverisë më të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar në Europë, me vendosjen para drejtësisë të të korruptuarve.
Makiazhi mbi fytyrën e korrupsionit nuk e ndryshon realitetin e keqqeverisjes që po vuajnë çdo ditë qytetarët. Sot Edi Rama është kreu i një grupi parlamentar që ka në përbërje të tij një të arratisur të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia.
Shqiptarët kërkojnë zgjidhje. E vetmja zgjidhje është largimi i Edi Ramës dhe mbajtja e tij përgjegjës për korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar”, shkruan Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD.