Dalin pamjet e para të vrasësit grek, Eftimiu Eftimius pas ekzekutimit të Devi Kasmit, para pak ditësh në Tiranë.
41-vjeçari grek është shfaqur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku po mbahet seanca gjyqësore lidhur me atentatin e Kasmit.
Ish-efektivi i Forcave Speciale greke është parë i qetë, me flokë të gjata të zeza, me mjekër dhe me një xhup të zi, teksa qëndronte përballë trupit gjykues në pritje të vendimit.
Ekzekutori grek ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e Kasmit, ndërsa mbrohet nga Sajmir Visha.
Sot është zbardhur edhe dokumenti i Prokurorisë mbi sekuestrimin e provave materiale që i janë gjetur 41-vjeçarit grek, shtetasit Efthymiou Efthymious i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë.
Sipas procesverbalit të Prokurorisë, publikuar nga BalkanWeb, ekzekutorit grek i janë gjetur:
-16 kartëmonedha me prerje 2000 lekëshe,
-3 kartëmonedha të prerjes 1000 mijë lekëshe,
-3 kartëmonedha të prerjes 500 lekëshe,
-20 kartëmonedha të prerjes 100 euro.
Gjithashtu shtetasit grek i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pasaportë greke, një mbajtëse fotoje me kapak, një patentë në gjuhën greke, një kartë debiti, një dokument në gjuhën greke.
Përveç parave, Efthymiou iu gjet një celular Samsung i mbyllur me kod sigurie dhe një dokument në greqisht me foton e një femre.
Gjatë dëshmisë së shtetasit grek para uniformave blu, ai ka pranuar se ka njohje me një nga të akuzuarit për ngjarjen, me shtetasin Aurel Hoxhallari, i cili është shpallur në kërkim nga policia.
“Aurelin e njoh që kur ishte emigrant në Greqi. Kam ardhur disa herë në Shqipëri dhe e kam takuar. Kam qëndruar disa herë tek vila e Aurelit në Mëzez, por qëndroja edhe në shtëpinë time që kam marrë me qira”, ka dëshmuar Efthymiou Efthymious.
Por pavarësisht kësaj njohje, ai këmbëngul se nuk ka lidhje me vrasjen dhe viktimën. 41-vjeçari grek ka pajtuar si avokat mbrojtës Saimir Vishën, por që nga momenti i arrestimit në datën 2 shkurt, ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.