Pesë vjet më parë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi humbi jetën në një aksident fatal. Një humbje e madhe kjo për familjen, të afërmit, por edhe për selinë blu.
Në këtë përvjetor, Olldashin e kanë kujtuar jo vetëm të afërm, por edhe ish-kolegët e tij në PD.
Ditën e djeshme janë parë në Varrezat e Sharrës ish-deputetët Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Ridvan Bode, Igli Cara, Mesila Doda dhe Keltis Kruja, foto të publikuara nga Panorama.
I vetmi që ka mbajtur një fjalë falënderimi në ceremoninë përkujtimore të Sokol Olldashit ishte djali i tij, i cili mësohet të ketë shprehur mirënjohje për miqtë e babait të tij që e kujtojnë dhe i kanë qëndruar pranë familjes në këto vite të vështira.
Përpara se të vendosnin buqetat me lule në pllakën përkujtimore të Olldashit, miqtë e ish-deputetit të PD-së, përmes reagimeve publike kujtuan kolegun e tyre duke mos i fshehur rezervat për reagimet zyrtare të PD-së.
“Janë ca njerëz në këtë botë, që nuk mjaftohen duke gënjyer të gjallët, por guxojnë e bëjnë këtë edhe me të vdekurit. Dhe mendoj se kjo është një arsye shumë e fortë për ta shtyrë sa më shumë vdekjen. Nuk është pak t’u heqësh atyre mundësinë që të vijnë e të bëjnë sikur qajnë te varri. Madje, duke mos pritur që të mbushet edhe viti tamam, por një ditë përpara, sikur të ishte festë”, shkruan Patozi.
AKSIDENTI
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, humbi jetën mbrëmjen e 20 nëntorit 2013 në një aksident automobilistik. Olldashi po kthehej nga Elbasani në drejtim të Tiranës me automjetin e tij tip “Mercedez Benz S”, me targë AA 003 NH. Kur i kishin mbetur edhe 22 kilometra për të mbërritur në shtëpi, makina e drejtuar prej tij rrëshqiti dhe përfundoi në humnerë në anën e djathtë të rrugës.