Kultivuesit e agrumeve në Divjakë përballen me një krizë të rëndë për shkak të mungesës së tregut të shitjes, çka ka bërë që mbi 50% e prodhimit të mbetet në pemë. Fermerët thonë se çmimi i limonit ka rënë në 20-25 lekë/kg, duke mos mbuluar as kostot e prodhimit.
“Kam tre dynym limona që do t’i shkul sepse nuk shiten. Jam 61 vjeç dhe nuk kam më mundësi të investoj. Shteti duhet të marrë masa”, thotë një prej fermerëve, Ali Boçka.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Lam Shuli, i cili deklaron se ka arritur të shesë vetëm 500 kg nga e gjithë prodhimi i tij, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur në tokë.
Për shkak të kësaj gjendjeje, fermerët po mendojnë të zëvendësojnë agrumet me ullinj dhe vreshta, pasi këto kultura kërkojnë më pak fuqi punëtore dhe janë më të qëndrueshme ekonomikisht.
“Në fshat kanë mbetur vetëm të moshuarit, dhe nuk përballojmë dot shërbimet që kërkojnë agrumet. Ullinjtë janë më të lehtë për t’u menaxhuar”, thonë ata.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje nga qeveria, qoftë me subvencione apo ndihmë në gjetjen e tregjeve, për të shmangur falimentimin dhe braktisjen e tokave.