Guximi për të qenë heronj:Fati tragjik i dy kundërshtarëve të paepur të mafias, Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino.
Befas u duk sikur Ferri kishte zbritur në Tokë. Ishte një e shtunë e nxehtë maji, ora 17:56 e pasdites. Një shpërthim shkatërroi autostradën që lidh aeroportin “Punta Raisi” me qytetin e Palermos, afër daljes për në Kapaçi:500 kg tritol shkatërrojnë 100 metra rrugë të asfaltuar, dhe fluturojnë në ajër 2 makina të blinduara.
Në atë atentat vdes Xhovani Falkone, gjykatësi simbol i luftës kundër mafias. Ishte 23 maji i vitit 1992. 57 ditë më vonë, më19 korrik gjykatësi Paolo Borselino, i angazhuar bashkë me Falkonen në luftën kundër mafias, po shkonte të vizitonte nënën e tij në rrugën “Mariano D’Amelio” në Palermo. Në orën 16:58 të pasdites, ndodh një tjetër shpërthim i fortë:këtë herë brenda në qytet.
Skena me të cilën u përballën zjarrfikësit ishte e tmerrshme. Pasuan ditë plot tension. Familja Borselino, u përplas me autoritetet, dhe refuzoi funeralin shtetëror. Ajo nuk e donte paradën rituale të politikanëve. Edhe për varrimin e truprojave të tij, krerët e institucioneve u përballën me reagime të ashpra.
Presidenti i ri i Republikës, Oskar Luixhi Skalfaro u dëbua nga Katedralja e Palermos, ndërsa ishte shefi i policisë Vinçenzo Parizi, ai që e mbrojti nga zemërimi i turmës. Me kalimin e viteve, zhvillime të reja kanë hedhur dritë mbi ato ngjarje, mbi të cilat nuk ka ende një qartësi të plotë.
Po kush ishin 2 magjistratët simbol, që sakrifikuan jetën e tyre në shërbim të shtetit? Dhe pse u vranë në një mënyrë aq brutale?Jetët e Falkones dhe Borselinos ishin të lidhura që në fillim midis tyre. Që të dy ata lindën në Palermo:Xhovani më 20 maj të vitit 1939, Paolo 8 muaj më vonë, më 19 Janar të vitit 1940.
Dhe që të dy u rritën në Kalsa, një lagje palermitane me origjinë arabe, një zonë e profesorëve, tregtarëve dhe eksponentëve të klasës së mesme. Ata e kishin shtëpinë disa dhjetëra metra larg-njërit, dhe ishin miq që fëmijë. Në jetën e Xhovanit të vogël kishte vetëm shkollë, shkuarje në Kishë dhe pak dëfrime.
Për babanë e tij të rreptë, udhëtimet dhe pushimet nuk ekzistonin. Edhe e ëma e tij ishte një grua energjike dhe autoritare. Nga ana tjetër, në shtëpinë e Borselinos atmosfera ishte disi më e gjallë. Aty vinin shpesh miq të familjes, dhe diskutohej shpesh mbi librat dhe filozofinë.
Në shkollë, Paolo ishte i shkëlqyer. Ngrihej që në orën 5 të mëngjesit për të studiuar, dhe kujtesa e tij fenomenale bëri pjesën tjetër. Prindërit e tij kishin një farmaci në rrugën Vetreria, dhe për këtë arsye i ati i tij ishte një autoritet në lagje. Xhovani dhe Paolo ndoqën që të dy gjimnazin klasik.
Pas diplomimit, Falkone hyri në Akademinë Ushtarake të Livornos, por më pas ndërroi mendje dhe nisi të studiojë për drejtësi. Ndërkohë Borselino zgjodhi menjëherë studimet për drejtësi. Por sapo nisi universitetin, i ati vdiq dhe kushtet ekonomike të familjes së tij u përkeqësuan.
Me gjithë vështirësitë, ai u diplomua me notat maksimale. Edhe Falkone u diplomua me rezultate të larta. Një vit më pas ai u njoh me Ritën:Ishte një dashuri me shikim të parë, që u pasua nga martesa. Falkone e nisi karrierën në Lentini si gjykatës i zonës, dhe më pas u transferua në Trapani në vitin 1966, ku qëndroi për 12 vjet.
Aty nisi të binte në kontakt me realitetin e mafias. Ndërkohë, Paolo kishte nisur karrierën e
tij në gjykatën civile të Enës. Në vitin 1967 u emërua magjistrat në Mazara del Valo në Trapani. Në dhjetorin e vitit 1968 u martua me Anjeze Leton, me të cilin do të kishte 3 fëmijë. Në vitin 1969 u transferua në Monreale, afër Palermos, ku punoi përkrah kapitenit të karabinierëve Emanuele Bazile, i vrarë nga mafia në vitin 1980.
Ndërkohë, edhe Falkone ishte transferuar në Palermo, ku u mor me gjykimin e biznesmenit Rozario Spatola, i akuzuar për lidhje me mafian. Në këtë mënyrë 2 miqtë e vjetër i rilidhën kontaktet, dhe filluan shkëmbimin e informacionit në lidhje me hetimet. Ndërkohë situata në Palermo po ndryshonte me shpejtësi.
Falkone kishte vënë re se të dyshuarit dhe anëtarët e bandave nën hetim, po vriteshin apo zhdukeshin gjithnjë e më shpesh dhe në mënyrë misterioze. Arsyeja? Kishte nisur një luftë brenda mafias, e cila në muajt e fundit të vitit 1981 dhe në fillimin e vitit 1982, shkaktoi 1 të vdekur çdo 3 ditë në kryeqytetin e rajonit të Siçilisë.
Në fund viktimat ishin rreth 1.200, shifër e ngjashme me një luftë civile, kryesisht nga radhët e bandave mafioze armike të “bosit të bosëve”, Toto Rina. U zbulua se pas vrasjeve qëndronin “i viddani” (fshatarët) e Korleones, rreth 70 persona nga qyteza pranë Palermos, dhe shefi i tyre ishte Rina.
“Lufta” përfundoi në vitin 1983. Por dhuna e korleonezëve ishte kthyer kundër shtetit. Ata vranë shumë zyrtarëve, mes të cilëve edhe gjeneralin e karabinierëve Karlo Alberto Dala Kieza, hero i luftës kundër terrorizmit të Brigadave të Kuqe.
Më 29 korrik të vitit 1983, një bombë vrau Roko Kiniçin, kreun e Zyrës së Antimafias në Palermo. Për ta zëvendësuar atë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit zgjodhi Antonino Kaponeton. Ky e kuptoi nevojën e krijimit të një grupi magjistratësh, që të kishin një vizion të përbashkët mbi fenomenin e mafias.
I pari që u zgjodh në këtë grupim ishte Falkone, që kishte tashmë protagonist në luftën kundër Cosa Nostra-s. Me sugjerimin e Falkones, në të u zgjodh edhe Borselino. Ky grup nisi të funksionojë me një ritëm të shpejtë, ndërsa po shtoheshin të penduarit që bashkëpunonin me drejtësinë.
Më i rëndësishmi ishte Tomazo Busheta, “Don Mazino”, që në luftën kundër Toto Rinës kishte humbur 2 fëmijët, vëllain, kunatin dhe 4 nipat. Trafikanti i drogës, ishte arratisur në Brazil, ku u arrestua dhe më pas u ekstradua në Itali. Ai donte të bashkëpunonte, por dëshironte të fliste vetëm me numrin 1 të grupit anti-mafia:Xhovani Falkonen.
Falkone e mori për ditë me radhë në pyetje dhe Busheta foli. Rezultati:366 urdhër-arreste u lëshuan vetëm më 29 shtator 1984. Falkone do të shprehej më vonë:“Para dëshmisë së Bushetës, ne kishim vetëm një ide sipërfaqësore mbi fenomenin mafioz. Ai na dha konfirmime të shumta mbi strukturën, teknikat e rekrutimit, funksionet e Cosa Nostra-s. Por mbi të gjitha një vizion global mbi fenomenin”.
Ndërkohë, Toto Rina po përgatiste një verë të përgjakshme. Në korrik-gusht të vitit 1985 u vranë zyrtarët Bepe Montana, dhe Nini Kasara, ky i fundit bashkëpunëtor i ngushtë i Falkones. Frika nga atentatet ishte e fortë. Të dy magjistratët dhe familjet e tyre u transferuan me nxitim në Azinara, për të përfunduar hetimin paraprak të “Procesit të Madh”, që nisi më 8 nëntor të po atij viti.
Gjyqi me 475 të pandehur, ishte goditja më e madhe ndaj mafias që ka ndodhur ndonjëherë në Itali. Ai përfundoi më 16 dhjetor 1987, me 360 dënime dhe 114 lirime. Kaponeto e konsideroi të mbyllur përvojën e tij në Palermo. Ai ishte i sigurt se vendin e tij do e zinte Falkone.
Por për shkak të klimës së tensionuar politike, në atë post u emërua në vitin 1988 Antonino Meli. Menjëherë Meli nisi t’u caktojë hetimin e mafiozëve magjistratëve jashtë grupit të famshëm anti-mafia, ndërsa Falkone dhe kolegët e tij nisën të anashkalohen.
Falkone kërkoi që të caktohej në një zyrë tjetër, dhe u emërua ndihmësprokuror në prokurorinë publike. Më vonë u largua nga Palermo për të marrë drejtimin e çështjeve kriminale në Romë. Ndërkohë Borselino ishte kthyer në Palermo si ndihmësprokuror, dhe me një rol menaxherial në hetimet mafioze.
I zemëruar nga dënimi me burgim të përjetshëm në mungesë, Toto Rina donte të hakmerrej. Më 12 mars të vitit 1992, u vra Salvo Lima, kreu i rrymës andreotiane të demokristianëve në Siçili. Më pas erdhi Masakra e Kapaçit e 23 majit, ku përveç Falkones, dhe gruas së tij Françeska Morvilo me të cilën ai u martua në vitin 1986 pas divorcit nga Rita, humbën jetën edhe 3 truproja.
I vetmuar dhe i lënduar nga vdekja e mikut të tij, Paolo Borselino punoi me intensitet të madh në 2 muajt që pasuan. Vdekja e tij, siç e kanë pranuar disa mafiozë të penduar, ishte e planifikuar prej kohësh. Duke parandier tradhtinë e shtetit italian, Borselino i tha më 13 korrik të vitit 1992 gruas së tij Anjeze:“Mafia do të më vrasë kur të vendosin të tjerët!”.
Më 17 korrik, për habinë e të gjithëve, ai i përshëndeti kolegët e tij një e nga një duke i përqafuar. Më 19 korrik në Palermo bënte shumë vapë. Magjistrati vendosi të vizitojë nënën e tij që banonte në rrugën D’Amelio. Dy minuta para orës 5 të pasdites, shpërthimi i një bombe në një makinë të parkuar aty pranë, vrau atë dhe 5 truprojat që e shoqëronin, si dhe u dëgjua në të gjithë Palermon.
burimi:https://www.focus.it/cultura/storia/giovanni-falcone-paolo-borsellino-il-coraggio-di-essere-eroi
Përshtatur për Tirana Today